Në Shkup, në lumin Vardar, si arterien kryesore ujore në Maqedoni, sipas të dhënave të Entit Meteorologjik, në vit lëshohen rreth 10.457.400 metër kub ujëra të papastruara nga amvisëritë dhe industria
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 18 qershor – Mbeturinat industriale dhe sidomos ujërat e ndotura që lëshon industria, pesticidet dhe plehrat artificial, mbeturinat që prodhojnë amvisëritë… vlerësohen të jenë ndër ndotësit kryesor të ujit në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA. Duke marrë parasysh se mbi 50 për qind e ujërave e kanalizimeve vijnë nga kapacitetet industriale që shpesh pa filtrim paraprak e lëshojnë ujin e kanalizimit në ujërat sipërfaqësor, del se ndotësit kryesor të ujit në vend janë kapacitetet industriale.
Njëherësh, ujërat komunal nga amvisëritë në të shumtën e rasteve edhe treten tërësisht në aspektin biologjik për shkak se më së shumti janë të ngarkuara me materie organike me prejardhje bimore dhe shtazore. Gjithashtu, një nivel i caktuar i ujërave komunale vjen nga përdorimi i mjeteve sintetike për pastërti, si dhe shfrytëzimin e kripës dhe zallit në muajt e dimrit e që ndikon edhe ndotjen e ujërave në shtet.
Në Shkup, në lumin Vardar, si arterien kryesore ujore në Maqedoni, sipas të dhënave të Entit Meteorologjik, në vit lëshohen rreth 10.457.400 metër kub ujëra të papastruara nga amvisëritë dhe industria. Që para disa dekadash, në Vardar edhe mund të lahej, por tani uji është i ndaluar për larje për shkak të ndotjes tejet të madhe, ndërsa me ndotje të madhe shquhet edhe lumi Bregallnica.
“Mjaft probleme të ambientit jetësor janë krijuar në aspekt historik, andaj nevojitet të orientohemi në më shumë fronte për ti zgjidhur ato. Me ardhjen e pranverës dhe vjeshtës, aktualizohet ndotja e ajrit dhe grimcat PM10. Këtu është edhe problemi me ndotjen e ajrit në gati të gjitha qytetet në Maqedoni. Këto janë probleme që duhet të zgjidhen sipas Programës së miratuar të Qeverisë kohë më parë, e që sipas meje, është relativisht mirë e përgatitur dhe duhet të zbatohet”, thotë për KOHA, profesori universitar Trajçe Stafillov.
Sipas tij, edhe problemi me ujërat është mjaft serioz, për shkak se të gjitha studimet për ujërat dhe pellgjet e lumenjve tregojnë ndotje të madhe të ujit, sidomos me pesticide, ndërsa diku edhe me metale të rënda. Nga ana tjetër, analizat tregojnë se në Maqedoni, ajri dhe toka bujqësore e ndotur së bashku me mungesën e informacioneve të sakta të burimeve të ndryshme të ndotjes dhe zgjidhja e problemit të ndotjes jo në mënyrë parciale, por të përgjithshme – janë problemet kryesore të mbrojtjes së ambientit që brengosin qytetarët në vend.
Gjithashtu, edhe mungesa e mbikëqyrjes së ndryshimeve në ambiente dhe mungesa e statistikës së saktë pamundëson mungesën e zgjidhjes.
Problem tjetër është edhe mungesa e të hollave për investime më të mëdha në sektorin e ambientit jetësor që është dhe mbetet ndër fushat më komplekse që kërkojnë angazhime të mëdha lidhur me koordinimin , investimet dhe përgjegjësinë e madhe të administratës në nivel lokal dhe qendror.
Si problem kryesor për zgjidhjen e problemeve me mjedisin jetësor theksohet moszbatimi i rregullativës së re ligjore. “Pas miratimit të numrit më të madh të ligjeve dhe akteve nënligjore të harmonizuara me legjislacionin e BE-së, mbetet nevoja për përforcimin e vazhdueshëm të kapaciteteve dhe sigurimin e mekanizmave për monitorimin dhe zbatimin e ligjeve në nivel lokal dhe qendror. Nuk duhet të anashkalohen as kapacitetet e faktorëve të tjerë, si ato të sektorit joqeveritar dhe atij shkencor”, theksojnë më tej nga Enti i Statistikës.
“Mungesa e të dhënave të sigurta dhe gjithëpërfshirëse për substancat ndotëse dhe ndotësit e ndryshëm, mungesa e qasjes së integruar për zgjidhjen e problemeve me mjedisin jetësor, sidomos lidhur me resurset e ujit dhe menaxhimin me mbeturinat, si dhe mungesa e investimeve kapitale për financimin e infrastrukturës në këto fusha , në mënyrë shtesë i ngadalësojnë proceset në vendosjen e një sistemi efikas të mbrojtjes së mjedisit në Maqedoni”, thuhet në publikimin Statistika e ambientit jetësor 2017 të realizuar nga Enti Shtetëror i Statistikës.
Nga ana tjetër, të dhënat e Entit të Statistikës tregojnë se për mbrojtjen e ambientit në Maqedoni, në vitin 2016 janë harxhuar 9.778.945 mijë denarë, apo afër 160 milionë euro. Pjesëmarrje më të madhe me afër 42 për qind në këtë total kanë harxhimet për menaxhimin me mbeturinat, pasojnë harxhimet për menaxhimin me ujërat ndotës me afër 34 për qind, dhe harxhimet për sistemet qarkullues të furnizimin me ujë me 9 për qind. Statistika gjithashtu tregon se 65 për qind të totalit të harxhimeve për mbrojtjen e ambientit janë kryer nga industria. (koha.mk)