Shkup, 27 janar – Industria e çelikut në tre vitet e ardhshme do të punojë me pasiguri nga kuotat e vendosura për import në Bashkimin Evropian. Alternativë për këtë treg nuk ka ku do të ishte riorientuar plasmani i produkteve, por mbyllje të fabrikave dhe përjashtime nuk do të ketë. Do të punojnë me shpenzime të rritura fikse, konkurrencë të zvogëluar të produktit, por edhe pamundësi të kontraktimit në afat të gjatë. Humbjet brenda vitit vlerësohen në 150-160 milionë euro.
– Masat e prekin gjithë industrinë e çelikut. Situatë të këtillë nuk kemi pasur prej moti. Kjo do të thotë se të gjitha produktet e çelikut, me përjashtim të hekurit të betonit nga “Dojran stil”, janë prekur me këto kufizime – tubat dhe profilet, fletët metalike me izolim nga të nxehtit dhe të ftohtit, fletët metalike të galvanizuara. E gjithë kjo në këtë strukturë industriale shkakton brengosje të madhe meqë në një vit të mirë si 2018-a kur për herë të parë ndjejmë stabilizim të tregut, zhvillime paksa më normale në treg, sërish do të përballemi me kufizime që këtë situatë do ta bëjnë dukshëm të pasigurt në tre vitet e ardhshme, tha Mitko Koçovski, kryetar i Shoqatës së Metalurgjisë të Odës Ekonomike të Maqedonisë në konferencën e sotme për media.
Ai potencoi se pasi që përfundimisht u publikuan masat më 15 janar, industria e çelikut tashmë e di se çfarë e pret gjatë eksportit të kësaj industrie në tregjet evropiane. Kufizimet, siç vlerëson, do të kenë reperkusione serioze gjatë punës së ndërmarrjeve, në kuptim të sasive, pasigurive në lidhjen e kontratave komerciale në periudhë afatgjate, pasiguri në raport me bisedimet me bankat dhe mendim rreth ndërprerjes së aktiviteteve të caktuara investuese.
Në Maqedoni me këto masa do të përfshihen Fabrika IGM Kavadar, Fabrika e tubave në Kumanovë, Metalopromet nga Strumica, Makstil, Arçelor mital. Te të gjitha është dominues tregu i BE-së ku eksportojnë më shumë se gjysmën e prodhimtarisë dhe nuk kanë alternativë.
Koçovski sqaron se në pjesën e tubave dhe profileve janë përfshirë tre subjekte IGM Kavadar, Fabrika e tubave në Kumanovë dhe Metalopromet nga Strumica për të cilët me kuotën e siguruar u ulet importi në BE për 70 mijë tonë ose 45 milionë euro më pak të ardhura në vit.
Krahas humbjeve të vlerësuara prej 135 milionë euro, te ky grup problem plotësues janë edhe hetimet antidamping që zhvillohen kundër tre prodhuesve te ne dhe duhet të mbarojnë deri në fund të gjysmëvjetorit të parë.
Sipas tij këtyre prodhuesve u qëndrojnë në dispozicion rritja e kuotës nacionale në tremujorin e katërt për pesë për qind, që nuk do të ketë ndonjë ndryshim shumë të rëndësishëm meqë pesë për qind janë 5.000 tonë. Mundësia tjetër është kërkesë nga kuota globale në tremujorin e katërt, nëse shpenzohet kuota nacionale, por gjasat janë të vogla që nëse shpenzohet kuota nacionale të mbetet hapësirë te kuota globale.
Për shkak të prodhimtarisë së zvogëluar prej 70 mijë tonëve në vit, vlerëson, do të kishin rritje të shpenzimeve fikse për njësi të produktit që gjithashtu, do të paraqesë goditje serioze për produktet e tyre gjatë plasmanit.
Maja Shapkovska, drejtore e “Metalopromet” – Strumicë, shprehet se kuotat për tre kompanitë janë shumë të vogla meqë janë bërë në bazë të mesatares së vitit 2015, 2016 dhe 2017, dhe se është shumë e vogël krahasuar me atë që mund ta bëjnë ata. Zgjidhjen e shikon ndoshta në ndarjen e kuotës këtu në Maqedoni.
– Kuotat për eksport të çelikut në BE na reflektohen negativisht në punë edhe atë në mënyrë retroaktive që nga prilli i vitit të kaluar kur u vendosën kuota të përkohshme, që zgjasin 200 ditë dhe duhet të mbarojnë më 3 shkurt. Atëherë fillojnë kuotat e reja. Ato janë shumë të vogla për tre kompani nga Maqedonia: “Metalopromet” – Strumicë, “IGM” – Kavadar dhe “11 Tetori” – Kumanovë, meqë janë bërë në bazë të mesatares për eksport që e kemi pasur tri kompanitë për periudhën prej vitit 2015 deri vitin 2017 me rritje të parashikuar prej vetëm pesë për qind, ndërsa nuk merret parasysh se kjo industri vetëm në vitin 2018 ka pasur 40 për qind rritje të eksportit. Prandaj, kjo mesatare është shumë e vogël në krahasim me atë që mund ta bëjmë të tri kompanitë, veçanërisht “IGM”-ja, shprehet Maja Shapkovska, drejtore e kompanisë “Metalopromet” nga Strumica.
Shton se problem të madh për eksportuesit maqedonas të çelikut dhe produktet nga ky metal është pikërisht konkurrenca jolojale, të cilën e kanë në kompaninë “IGM”, meqë ajo ka ndërmarrje në Slloveni dhe në këtë mënyrë mund ta plotësojë më shpejtë kuotën për eksport në BE.
– Në planin financiar reflektohet me atë që klientët tanë nuk duan të porosisin, meqë nuk e dinë nëse kur kamioni do të mbërrijë në kufirin me BE-në a do të duhet të paguajnë ose jo 25 për qind doganë për shkak të plotësimit të kuotave, shton Shapkovska.
Sipas saj, për zgjidhjen e këtij problemi të madh nevojitet veprim politik dhe Qeveria t’i ndajë kuotat e kompanive këtu, në Maqedoni.
– Shteti duhet të gjejë mënyrë që të na i sistemojë kuotat. Meqë “IGM”-ja është më e madhja prej nesh, asaj le t’i takojnë 50 për qind, ndërsa neve dhe “11 Tetorit” nga 25 për qind. Nëse nuk ndodhë kjo do të duhet t’i vëmë drynin fabrikës. Paguajmë pagë për katër muajt e fundit, ndërsa nuk e kemi fituar dhe kështu krijojmë humbje. Përveç kësaj, deri tani askush nuk më ka paralajmëruar se do të vjen deri te kjo dhe nëse do të ishim paralajmëruar për kuotat, atëherë nuk do të investonim shuma milionëshe në këtë biznes, konsideron Maja Shapkovska.
Potencon se tri kompanitë janë në mesin e paguesve më të mëdhenj të TVSH-së në shtet në shumë prej 120 milionë eurove në vit.
Maqedonia është në grupin e vendeve që deri më 3 shkurt të këtij viti kanë pasur kuota për eksport të çelikut bashkë me Turqinë, Ukrainën dhe Rusinë. Nga i 4-ti i muajit të ardhshëm Maqedonia ka “kuotë specifike shtetërore”, gjegjësisht nuk është në “kuotën e përgjithshme”.
Në “Makstil” humbjet vlerësohen në 25 milionë euro në vit. Koçovski potencon se kuota është e përcaktuar në nivel të ulët në bazë të importeve të realizuara në BE në vitin 2015, 16, 17 kur tregu i çelikut ishte ende në stagnacion.
– Kuota globale është 2,8 milionë tonë. Rrethanë e mirë është ajo se katër eksportuesit më të mëdhenj Ukraina, Rusia, Koreja e Jugut dhe Indonezia janë të kufizuara në 1,6 milionë tonë dhe mbeten 1,2 milionë për të gjitha vendet tjera. Parimi i shpenzimit është se kush do të kërkojë i pari do të jetë i shërbyer i pari. Si më të mëdha janë Indonezia, Turqia, Irani, Brazili dhe Japonia, që kanë rritje drastike të eksportit që do të thotë se nuk ka siguri se këtë nuk do ta bëjnë në periudhën e ardhshme dhe ta plotësojnë, sqaron Koçoski dhe shton se pozitive është ajo se për Kinën ka dogana mbrojtëse prandaj kjo do të lërë hapësirë për vendet tjera.
Pozitive është ajo që ka edhe dogana mbrojtëse për Kinën dhe kjo do të krijojë hapësirë edhe për vendet tjera, por konsideron se edhe kjo nuk ofron ndonjë garanci.
Krahas dëmeve të drejtpërdrejta, pas kësaj industrie, do të pësojnë edhe degët që janë të lidhura me ta.
– Problemi nuk përfundon këtu. Nëse kufizimet sasiore për produktet tona i manifestojnë të gjitha pasiguritë do të vuajnë edhe të gjitha industritë e lidhura. Të gjithë furnizuesit tanë me materiale, lëndë të para, shërbime, shërbime transportuese, energjetikë… Gjithçka që është në zinxhirin e furnizimit që është e ndërlidhur me punën tonë për shkak të kufizimit eventual do të pësojë dhe do të ketë reperkusione në dinamizmin e aktivitetit të përgjithshëm ekonomik, meqë kjo strukturë industriale te ne është me ndikim, shprehet Koçovski.
Ai siguron se nuk do të pushojë jeta e kësaj industrie dhe se nuk duan të krijojnë nervozë, por potencon se e gjithë kjo do të ketë reperkusione në treguesit e përgjithshëm ekonomik.
– Nuk do të pushojë jeta dhe nuk duam të krijojmë ndonjë nervozë, porse do të ketë reperkusione mbi treguesit e përgjithshëm ekonomik – do të ketë te ky grupim ku kjo do të shprehet veçanërisht, do të reflektohet në planet e tyre zhvillimore, në dinamikën e prodhimtarisë industriale, shpenzimet e punës dhe do të duhet të jetojmë me probleme të këtilla në tri vitet e ardhshme, tha Koçovski.
Ndryshe, pjesëmarrja e kësaj industrie në BPV-në është 5,7 për qind, ndërsa pjesëmarrja e saj në neto eksportin është 12-13 për qind. Vitin e kaluar për 11 muaj kanë eksport më shumë se 800 milionë euro.
Handikapi më i madh i kësaj industrie është se nuk ka tregje tjera dhe nuk janë optimistë se mund të gjendet treg alternativ. Pjesa më e madhe e prodhimtarisë 60 deri 70 për qind plasohet në tregun evropian.
– Zgjidhja për tejkalimin e gjendjes nuk qëndron në kërkimin e tregjeve tjera, meqë kjo industri nuk ka tregje tjera. Madje 60-70 për qind e prodhimtarisë plasohet në BE, meqë SHBA-ja vendosi dogana mbrojtëse dhe na u mbyll tregu. Për ne handikap në rajon është se edhe Bullgaria edhe Kroacia ishin tregje rajonale, ndërsa tani janë në Bashkimin, edhe ato shitje që shkonin atje tani janë në goditje të këtyre kufizimeve. Greqia nuk është në ndonjë hov industrial ku mund të shpresohet, shprehet Koçovski, i cili nuk është optimist se edhe shteti mund të ndihmojë shumë.
Masat vlejnë për të gjitha vendet pa përjashtëm ndonëse shoqata ka kërkuar që të përcaktohet kuota nacionale për Maqedoninë dhe sasitë të ndahen në ndonjë periudhë para viteve të krizës kur kishte shitje normale që kjo industri të mund të ekzistojë gjatë periudhës së ardhshme.
– Ne vazhdojmë të qëndrojmë në premtimin e strukturave qeveritare se do t’i përdorin të gjitha masat për të kërkuar, ndonëse përgjigjja ishte se nuk mund të bëhet përjashtim për asnjë vend, shprehet Koçovski dhe shton se kur industria është e prekur me gjendje të këtillë nga jashtë, ndikim ekstern, shteti mund të propozojë ndonjë arsenal të masave për t’u zbutur gjendja, por në esencë problemi nuk mund të zgjidhet me masa qeveritare meqë problemi është nga jashtë.
– Qeveria në disa raste debatoi për këto masa dhe presim të shikojmë dhe mbetemi të bisedojmë dhe negociojmë për të parë se çfarë ka Qeveria në dispozicion si mundësi, ndonëse nuk ka ndonjë lloj mekanizmash për ndonjë intervenim të madh shtetëror në situata të këtilla, por që kjo industri të mbetet në kondicion duhet t’i shqyrtojë të gjitha mundësitë, tha Koçovski.
Masat hyjnë në fuqi në fillim të muajit të ardhshëm.