Të dhënat e Raportit të tretët të Qendrës për komunikime qytetare dhe furnizime publike që lidhen me parandalimin dhe mbrojtjen nga Kovid19, flasin se vlera e kontratave për furnizime urgjente që lidhen me krizën shëndetësore deri më tani tejkalon 3.2 milionë euro, ndërsa janë nënshkruar 142 kontrata, ndërsa 71 për qind prej tyre janë nënshkruar vetëm se me pesë firma. Ndërkohë për më shumë se gjysmën e kontratave të firmosura (59%), institucionet e kanë shkelur obligimin ligjor se të njëjtat duhet të publikohen në afat prej dhjetë ditësh nga dita e nënshkrimit
Destan JONUZI
Shkup, 6 qershor – Kriza globale shëndetësore e shkaktuar nga pandemia me Kovid19 bartë edhe rreziqe për keqpërdorime, për këtë qëllim edhe Koalicioni i Kombeve të Bashkuara (KB) për luftë ndaj korrupsionit (UNCAC) u bënë thirrje të gjitha qeverive në botë që të kenë nivel të lartë të transparencës në ballafaqimin me krizën me qëllim të mënjanimit të pasojave, si dhe pengimin e mundësisë dhe pasojave të shkaktuara nga korrupsioni dhe mashtrimi. Rreziqet ekzistojnë edhe në Maqedoni, për këtë ka sinjalizuar edhe Organizata Transparency International – Maqedoni, e cila është anëtare e UNCAC. “Kemi shumë indice dhe informacione për atë se mund të ketë apo vetëm se ekziston keqpërdorim i krizës shëndetësore në disa sektor. Ne po ashtu edhe dekretet me fuqi ligji i analizojmë në aspekt të asaj se a ekziston rrezik për korrupsion në vet përmbajtjet e tyre”, thonë nga Transparency International. Nga kjo organizatë theksojnë se pikërisht për këtë edhe Konventa e KB për luftë ndaj korrupsionit dhe atyre që e ndjekin zbatimin e saj në nivel global, bëjnë thirrje që të bëhet kujdes më i madh dhe të veprohet në pajtueshmëri me normat e Konventës gjatë ballafaqimit me krizën shëndetësore.
Ndërkohë të dhënat e Raportit të tretët të Qendrës për komunikime qytetare dhe furnizime publike që kanë të bëjnë me parandalimin dhe mbrojtjen nga Kovid19, flasin se vlera e kontratave për furnizime urgjente publike që lidhen me krizën shëndetësore deri më tani tejkalon 3.2 milionë euro, ndërsa janë nënshkruar 142 kontrata, ndërsa 71 për qind prej tyre janë nënshkruar vetëm se me pesë firma. “Në më shumë se gjysmën e kontratave të firmosura (59%), institucionet e kanë shkelur obligimin ligjor se të njëjtat duhet të publikohen në afat prej dhjetë ditësh nga dita e nënshkrimit. Në çdo kontratë të dytë të nënshkruar për furnizime urgjente publike që lidhen me Kovid19 është biseduar vetëm se me një palë të interesuar”, thuhet në Raportin e Qendrës qytetare për komunikime. Lufta ndaj korrupsionit duhej të jetë edhe një nga përmbushjet e Maqedonisë për sundimin demokracisë dhe një nga qëllimet dhe përmbushjet kryesore të liderëve politik gjatë vitit të kaluar, si një nga mangësitë e shoqërisë sonë. Kjo ishte theksuar në Raportin e ish-drejtorit të Komisionit Evropian, Rajnhard Pribe, i cili ishte përpiluar në vitin 2015. Ky Raport përmbante edhe dyshime serioze me indice për korrupsion politik të niveleve dhe mënyrave të ndryshme, po ashtu ishte theksuar se lufta ndaj korrupsionit si shumë e rëndësishme për ecurinë dhe zhvillimin e vendit, madje ishte kërkuar edhe një Raport i veçantë dhe i detajuar për “betejën” me korrupsionin dhe mashtrimin.
Se sa është e rëndësishme lufta ndaj korrupsionit flet edhe situata me ish- Prokurorinë Speciale Publike, e cila pas formimit të saj në vitin 2015, kishte hapur 18 aktakuza, mes të cilave, për korrupsion ishin të dyshuar dhe akuzuar ish-funksionar dhe bartës aktual të funksioneve në vend, por janë gjykuar vetëm se tre raste. Në ndërkohë, ky institucion ishte shfuqizuar pasi që i kishte kaluar mandati, ndërsa pushteti dhe opozita nuk arritën marrëveshje për vazhdimin e mandatit të saj, ndërsa në tetor të vitit 2019 Gjykata Themelore për krim të organizuar dhe korrupsion ngrit aktakuzë për kryeprokuroren e PSP-së, Katica Janeva, e cila akuzohet për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve” në rastin “Zhvatja” për të cilin aktgjykim pritet më 18 qershor. (koha.mk)