Gjykata Supreme e Indisë ka hedhur poshtë një klauzolë ligjore që lejon burrat të kryejnë marrëdhënie seksuale me gratë e tyre të mitura. Klauzola, e cila ishte pjesë e Ligjit të Indisë për përdhunim, tha se marrëdhënia seksuale mes një burri dhe gruas së tij ishte e lejueshme për sa kohë që kjo e fundit të jetë mbi 15 vjeçare. Mosha e pëlqimit në Indi është 18 vjeç, por përdhunimi martesor nuk konsiderohet një vepër penale. Vendimi është përshëndetur nga aktivistët e të drejtave të grave. Megjithatë, korrespondentët nga India thonë se kjo klauzolë do të jetë e vështirë për t’u zbatuar. Ky vendim i Gjykatës Supreme në Indi parasheh që vajzat nën 18 vjeçare do të mund të akuzojnë burrat e tyre për përdhunim, nëse ankohen brenda një viti se janë detyruar të kenë marrëdhënie seksuale. “Ky është një vendim historik që korrigjon një gabim historik kundër vajzave. Si mund të përdoret martesa si kriter për të diskriminuar vajzat?”, ka thënë Vikram Srivastava, themelues i “Mendimit të Pavarur”, një nga personat kryesor në këtë kërkesë. Qeveria e Indisë thotë se praktika e martesës së fëmijëve është “një pengesë për gati çdo qëllim zhvillimi: çrrënjosja e varfërisë dhe urisë, zhvillimi i arsimit, promovimi i barazisë gjinore, mbrojtja e jetës së fëmijëve dhe përmirësimi i shëndetit të grave”.