Të paktën 15 persona, përfshirë një pilot, kanë humbur jetën si pasojë e rrëshqitjes së aeroplanit të kompanisë ajrore “Air India Express”, i cili me 191 pasagjerë në bord rrëshqiti jashtë pistës në shtetin jugor Kerala të Indisë dhe ra në luginën pranë aeroportit , raporton Anadolu Agency (AA).
Shefi i policisë në shtetin Kerala, Lokanath Behera, për AA bëri të ditur se 15 persona humbën jetën në incident, përfshirë edhe piloti. Ai theksoi se operacioni i shpëtimit ka përfunduar.
Zyrtarët thanë se incidenti ndodhi në Aeroportin Ndërkombëtar të qytetit Kozhikode mes reshjeve të shiut që kanë kapluar vendin. Ata theksuan se numri i të plagosurve është mbi 100 dhe se tashmë ata po trajtohen në spitale.
Ministri i Aviacionit i Indisë, Hardeep Singh Puri, tha se aeroplani u nda në dy pjesë dhe se incidenti do të hetohet.
“I mërzitur dhe i dëshpëruar për aksidentin ajror në Kozhikode. Air India Expres AXB1344, B737, nga Dubai në Calicut, 191 persona në bord, pasi u ul në pistën 10, vazhdoi deri në fund të pistës dhe ra poshtë në luginë, ku u nda në dy pjesë”, shkroi Puri në rrjetet sociale.
Duke folur për AA, kreu i Komunikimeve të Korporatave të kompanisë Air India Express, P.G. Prageesh, tha se nuk pati flakë në kohën e uljes.
Ai tha se avioni rrëshqiti në pistë dhe ra në luginën pranë aeroportit.
“Kishte gjithsej 174 pasagjerë, 10 foshnje, 2 pilotë dhe një ekuipazh kabine prej katër personash”, tha Prageesh.
Deepak Sathe, piloti i kompanisë Air India Express, që humbi jetën në aksident, ishte një ish test-pilot i Forcave Ajrore Indiane.