Indeksi i Obezitetit, shqiptarët “më elegantët” në rajon

Në krahasim me rajonin e Ballkanit, Shqipëria ka normën më të ulët të popullsisë mbipeshë. Vendin e parë në rajon për sa i përket normës së obezitetit e mban Turqia, me rreth 30% të popullsisë mbi peshë, të ndjekur nga bullgarët dhe kroatët me 25.6% të popullsisë

 

Shkup, 29 prill – Mbi 18 % e popullsisë shqiptare vuan nga obeziteti sipas të dhënave të fundit të 2016-ës nga CIA World Fact Book. Rritja e ndërgjegjësimit vitet e fundit dhe rikthimi tek ushqimet e shëndetshme ka bërë që shqiptarët të bëhen më elegantë.

Në 2008-ën përqindja e popullsisë shqiptare që ishte mbipeshë përllogaritej rreth 21.3, duke shënuar në këtë mënyrë për 6 vjet një rënie prej 3.2 pikë përqindje. Në krahasim me rajonin e Ballkanit, Shqipëria ka normën më të ulët të popullsisë mbipeshë. Vendin e parë në rajon për sa i përket normës së obezitetit e mban Turqia, me rreth 30% të popullsisë mbi peshë, të ndjekur nga bullgarët dhe kroatët me 25.6% të popullsisë.

Nga 174 shtete në total në këtë renditje (nga më të shëndoshët te më elegantët), Shqipëria ndodhet në vendin e 94, ndërsa Maqedonia në vendin e 81. Indeksi i Masës Trupore, (BMI) përllogaritet duke pjesëtuar peshën e një personi në kg me gjatësinë e tyre në katror dhe është një tregues nëse personi ka një peshë të shëndetshme apo jo. Nëse indeksi i masës trupore është mbi 25 tregon mbipeshë, mbi 30 tregon obezitet dhe mbi 40 tregon obezitetin patologjik.

Sipas specialistëve, faktori kryesor që ndikon drejtpërdrejt në mbipeshë është kequshqyerja. Ushqimi i tepërt ndodh si rezultat i marrjes në sasi të tepërt të ushqimeve hiperkalorike e me shumë yndyra. Mbiushqyerje e një individi konsiderohet kur ai është mbipeshë ose i dhjamosur. Kjo mund të shkaktojë diabet që në fëmijëri, probleme psikologjike dhe sociale si: humbje të vetëvlerësimit, irritim, probleme të përqendrimit në shkollë, deri në vonesë në rritje dhe zhvillim, stres dhe pagjumësi e madje ulje të jetëgjatësisë. Në moshë më të rritur, pasojat mund të jenë: diabet i tipit 2, sëmundje të zemrës dhe venave të gjakut, hipertension, rritje të yndyrave në gjak, e sëmundje të tjera. Aktualisht ka ndryshuar mënyra e ushqyerjes së popullatës e sidomos ndodh shpesh që fëmijët të marrin sasi të mëdha të ushqimeve hiperenergjike, por të varfra në elementët e domosdoshëm ushqyes, p.sh. pije të ëmbëlsuara artificialisht, ëmbëlsira, patatina, të skuqura, fast-food etj.

Në Shqipëri, situata karakterizohet nga kombinimi i ushqyerjes së pakët, të theksuar mes grupeve të brishta si femrat shtatzëna, foshnjat dhe fëmijët e vegjël në zonat e largëta, ku sigurimi i ushqimit është i kufizuar dhe mundësitë për të siguruar jetesën janë të pakta, dhe nivelet në rritje të ushqyerjes së tepërt, sidomos mes grupeve urbane tek të cilat konsumi i ushqimeve të përpunuara po rritet, ndërkohë që aktiviteti fizik vjen në ulje.

Obeziteti është cilësuar si sëmundja e shekullit dhe sipas Organizatës Botërore të Shëndetit është më shumë se dyfishuar nga 1980, duke marrë përmasa epidemike. Në 2016-ën, mbipesha preku afërsisht 2.2 miliardë njerëz, e barasvlershme me 30% të popullsisë botërore, sipas studimit. Thuajse një e treta e popullsisë së botës është obeze apo mbipeshë. 4 milionë njerëz vdiqën si pasojë e sëmundjeve kardiovaskulare, diabeti, kanceri dhe të tjera sëmundje që lidhen drejtpërdrejtë me peshën e shtuar në 2016-ën, duke e rritur kështu peshën e vdekjeve që lidhen me obezitetin me 28% nga 1990, sipas kërkimeve. Gati 108 milionë fëmijë dhe më shumë se 600 milionë të rritur janë cilësuar si obezë, duke pasur një indeks të masës trupore (BMI) mbi 30, citohet në kërkimin që është shtrirë në 195 vende. Ndërkohë, thuajse 800 milionë njerëz, ndër ta 300 milionë fëmijë, shkojnë në shtrat të uritur për çdo mbrëmje, sipas Kombeve të Bashkuara.

Dieta e varfër dhe jeta sedentare janë shkaktarët kryesorë të numrit në rritje të njerëzve mbipeshë, thonë ekspertët. Urbanizimi dhe zhvillimi ekonomik kanë rritur normën e obezitetit gjithashtu edhe në vendet e varfëra, ku një pjesë e popullsisë nuk ka mjaftueshëm se çfarë të hajë, duke qenë se njerëzit po ndërrojnë vaktet tradicionale, të pasura me perime, me ushqim të përpunuar. Njerëzit gjithnjë e më shumë po konsumojnë ushqime të përpunuara, të cilat janë të pasura me sheqerna dhe yndyra dhe po kryejnë më pak ushtrime fizike.

Në botë, shtetet me obezitet më të lartë janë Katar, Kuvajt, SHBA, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, që e kanë indeksin e obezitetit 35-40%. Në vendet me stil të ngjashëm ushqyerje me ne, më të shëndoshët janë në Turqi (29.4%), Bullgari (25.6%), Kroacia (25.6%) , Greqia (25.10%), Mali I Zi (21.40%), Serbia dhe Maqedonia (20.80%), Bosnje dhe Hercegovina (19.20%), Shqipëria (18.10%). Shtetet, popullsia e të cilëve është ndër më elegantet në botë janë kryesisht në Azi, si Japonia, që ka vetëm 3.5% të popullsisë obeze, Vietnami (3.50%) Koreja e Veriut (2.5%), Afganistani (2.4%) etj. Shteti më elegant në botë është ishulli i Limorit Lindor, që gjendet afër Australisë, ku vetëm 1.8% e njerëzve janë obezë. (koha.mk)