Për të akuzuarin Lulzim Biti, gjykata ka marrë vendim që pas vuajtjes së dënimit, i njëjti të depërtohet në Shqipëri dhe i është shqiptuar ndalesë prej 5 vitesh hyrje në Maqedoni
Tetovë, 6 korrik – Gjykata Themelore e Tetovës ka shpallur fajtor Ridvan Dervishin, Sabit Rexhepin, Halil Kamberin – që të katër nga Kumanova dhe Lulzim Biti nga Shqipëria për vepër penale pjesëmarrje në rrahje. Vendimi është lexuar nga ana e gjykatësit Betim Jahja ku të pranishëm ishin tre të akuzuarit, ndërsa mungonte Lulzim Biti, i cili ndodhet në paraburgim, shkruan gazeta KOHA.
Gjykatësi theksoi se më 5 prill të këtij viti, të katër të akuzuarit kanë marrë pjesë në rrahje mes dy grupeve, ku pas një zënke verbale në Reçicë të Vogël, ata kanë filluar edhe përleshjen me përdorimin e sende të forta, ndërsa gjatë kësaj përleshje – një person është vrarë dhe një tjetër ka marrë plagë të rënda me pasoja të rënda. Gjatë sjelljes së vendimit janë marrë parasysh edhe rrethanat lehtësuese ndaj të akuzuarve, të cilët janë të angazhuar në punë në institucione, kanë fëmijë dhe përkujdesen për familjet e tyre.
Në ndërkohë, për të akuzuarin Lulzim Biti, gjykata ka marrë vendim që pas vuajtjes së dënimit, i njëjti të depërtohet në Shqipëri dhe i është shqiptuar ndalesë prej 5 vitesh hyrje në Maqedoni.
Të akuzuarve do t’ju llogaritet edhe koha sa kanë qenë në paraburgim. Sipas të dhënave, të dënuarit kanë qëndruar në paraburgim diku rreth 50 ditë. Avokati Miralem Asani është shprehur se dënimi është rigoroz dhe në koordinim me të dënuarit, do të vendoset nëse do të ankimohet ky vendim.
“Gjykata vendosi që të dënojë me nga katër muaj të akuzuarit, dhe mendojmë se është një vendim rigoroz, por ne do të konsultohemi edhe me klientët se a do të ankimojmë vendimin dhe kërkesa jonë është që ata të dënohen me kusht”, deklaroi avokati Asani.
Në incidentin e armatosur të këtij viti jetën e humbi Naip Rexhepi, ndërsa u plagos Florim Misini. Seanca e radhës për incidentin në Reçicë të Vogël është caktuar për më 11 korrik. Prokuroria e Tetovës, paraprakisht kishte ngritur akuzë kundër 13 personave për pjesëmarrje në incidentin e armatosur që kishte ndodhur jo larg selisë së BDI-së. Sipas informacioneve që qarkullojnë në opinion, incidenti ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve për drejtimin e Degës së BDI-së në Kumanovë. (koha.mk)