“Avokatët e palës tjetër kanë dhënë një kërkesë për dëshmitarë të mbrojtur dhe gjykata ende nuk ka vendosur. Ne menduam se sot do të mbahet seanca dhe se do të ketë një vendim. Edhe ne si avokat mendojmë se për dëshmitarë të mbrojtur nuk ka bazë, meqë në bazë të Ligjit, dihet se kur dhe në cilën fazë kërkohet dëshmitari i mbrojtur”, tha Asani
Urim HASIPI
Tetovë, 26 tetor – Për shkaqe teknike, të premten është anuluar seanca gjyqësore në Gjykatën Themelore të Tetovës për incidentin në Reçicë të Vogël që ndodhi më 5 prill kur një person mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit mes dy grupeve nga Kumanova ku kishte edhe të plagosur. Lajmin e kanë konfirmuar avokatët e dy palëve të involvuara në këtë incident. Avokati i të akuzuarve, Elenko Milanov, ka konfirmuar se seanca gjyqësore është anuluar për shkak se të akuzuarit nuk kanë mundur të sillen në gjykatë.
“Për shkaqe teknike, burgu i Idrizovës nuk ka mundur të sjellë të akuzuarit dhe ajo ishte arsyeja që seanca u anulua. Gjykimi momentalisht është në procedurë të prezantimit të fakteve”, tha ai. Milanov nuk ka dhënë hollësi se pse është kërkuar që të ketë edhe dëshmitarë të mbrojtur në këtë gjykim. “E tërë kjo do të diskutohet kur do të mbahet seanca. Gjykata jep termine të shkurtra duke patur parasysh se bëhet fjalë për të lëndë parahetimore, prandaj edhe presim që kjo të mos zgjasë shumë gjatë”, deklaroi ai. Në ndërkohë, avokati i palës mbrojtëse Miralem Asani, po ashtu ka konfirmuar se seanca është anuluar për shkaqe teknike dhe pret që shumë shpejt të ketë epilog. Ai ka thënë kërkesa e avokatëve të palës tjetër për dëshmitarë të mbrojtur nuk ka bazë.
“Avokatët e palës tjetër kanë dhënë një kërkesë për dëshmitarë të mbrojtur dhe gjykata ende nuk ka vendosur. Ne menduam se sot do të mbahet seanca dhe se do të ketë një vendim. Edhe ne si avokat mendojmë se për dëshmitarë të mbrojtur nuk ka bazë, meqë në bazë të Ligjit, dihet se kur dhe në cilën fazë kërkohet dëshmitari i mbrojtur”, tha Asani. Ai më tej sqaroi se në këtë rast nuk ka vend për dëshmitarë të mbrojtur, sepse të gjitha faktet dhe provat janë marrë dhe tash është rishqyrtimi i të njëjtave.
Në seancën e parë, katër të akuzuarit: Ridvan Dervishi, Sabit Rexhepi, Halil Kamberi dhe Lulzim Biti nga Shqipëria kanë pranuar akuzën për incidentin në Recicë të Vogël që ka ndodhur më 5 prill të këtij viti, ku edhe mbeti i vrarë Naip Rexhepi. Këta katër persona akuzohen për pjesëmarrje në rrahje. Të tjerët akuzohen për vrasje, tentim-vrasje dhe pjesëmarrje në rrahje. Paraprakisht, Prokuroria Themelore Publike e Tetovës kishte ngritur akuzë kundër 13 personave për pjesëmarrje në incidentin e armatosur, ku jetën e humbi Naip Rexhepi, ndërsa u plagos Florim Misini. Seanca e radhës për këtë incident është caktuar për më 11 korrik. Prokuroria e Tetovës paraprakisht kishte ngritur akuzë kundër 13 personave për pjesëmarrje në incidentin e armatosur e që kishte ndodhur jo larg selisë së BDI-së. Sipas informacioneve që qarkullojnë në opinion, incidenti ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve për drejtimin e Degës së BDI-së në Kumanovë. Seanca e radhës është caktuar për më 9 nëntor me fillim në orën 10 në Gjykatën Themelore në Tetovë.