Incidentet s’i ndalin pushuesit nga Kosova, Shqipëria ende vendi më i preferuar për pushime

Imazhet e sulmit u shpërndanë me të madhe në mediat botërore, teksa për shumëkë në shtetin fqinj, kjo ngjarje i ka dhënë hije të zezë turizmit shqiptar.

Sidoqoftë, kjo ngjarje dhe incidente të tilla, nuk i kanë zbrapsur kosovarët që t’i kalojnë pushimet verore në Shqipëri.

Këtë e konfirmon edhe kryetari i Shoqatës së Turizmit, njëherit edhe pronar i kompanisë “Sharr Travel”, Ruzhdi Kurtishaj.

Ai thotë se incidente të tilla janë të izoluara dhe mund të ndodhin në çdo vend të botës.

Kurtishaj thekson se Shqipëria vazhdon të jetë njëri prej destinacioneve më të kërkuara turistike nga kosovarët.

“Këto janë incidente të izoluara që mund të ndodhin edhe në vende tjera. Edhe më tutje Shqipëria mbetet njëri prej destinacioneve më të kërkuara turistike, dhe për shumë arsye; për arsye të afërsisë, të çmimeve të favorshme dhe për arsye tjera”, thotë Kurtishaj, shkruan lajmi.net

Ndonëse këto incidente janë shqetësuese për secilin kosovar, Kurtishaj thotë se nuk ka pasur ndikim në kërkesat e tyre për t’i kaluar pushimet në Shqipëri.

Madje shton se ka pasur rritje të kërkesave për t’i kaluar pushimet në Vlorë.

“Këto incidente të kohëve të fundi normal që janë shqetësuese për secilin shqiptar në Kosovë apo edhe Shqipëri. Edhe pse ka ndikim në opinionin e jashtëm, nuk ka ndonjë ndikim në kërkesën e kosovarëve për t’i kaluar pushimet në Shqipëri. Këtë vit, Vlora ka rritje të kërkesës për t’i kaluar pushimet në Vlorë, por nuk është në nivelin e duhur karshi investimeve që janë bërë këtë vit në Vlorë. Në “Sharr Travel”, Shqipëria është top destinacion dhe besoj që do të jetë edhe viteve të ardshme”, thotë ai.

Në fund, sipas Kurtishajt marrja e masave nga shteti shqiptar sipas tij dëshmon seriozitetin e tyre për zhvillimin e turizmit, dhe se sipas tij kjo është shumë e rëndësishme për shtetasit e Kosovës.

Turizmi Kosovë – Shqipëri, mori hov që nga ndërtimi i “Rrugës së Kombit”, e cila lehtësoi qarkullimin e  njerëzve në këto dy shtete.

Nga ky vit, në këtë rrugë është aplikuar edhe taksa.