Adresa e ideve dhe kritikave rinore
Përfaqësuesja e SHBA-së, Jennifer Littlejon, u shpreh se kjo Qendër duhet të shërbej për të shprehur aktivitetin tone, idetë tona, të mbështesim njëri tjetrin duke pasur parasysh që Çairi është komunë multetnike dhe nëpërmjet kreativitetit tonë dhe energjisë të krijojmë diçka të mirë për të gjithë ne, sepse vetëm në këtë mënyrë do të ndërtojmë një shoqëri të shëndosh dhe të mirëfilltë.
Remzije BILALLI
Shkup, 20 shtator – Sot në Komunën e Çarit u bë inaugurimi i Qendrës së Komuniteti Rinor, një hapësirë inovative publike e cila u themelua për të mbështetur dhe stimuluar kreativitetin, veprimet dhe shërbimet si themel për ndërtimin e shoqërive të hapura, institucioneve moderne dhe për ngritjen e udhëheqësve të ardhshëm të përgjegjshëm. Kjo Qendër do të shërbejë si bashkësi për të gjithë të rinjtë e kësaj komune ne bashkëpunime me komunat dhe vendet tjera qe së bashku të kontribuojnë për të mirën e vendit, duke ndërtuar dhe shkëmbyer ide midis rinisë së Maqedonisë së Veriut por edhe më gjerë.
Ideja për themelimin e kësaj qendre ka qenë nga instituti “Konica” ku bëjnë pjesë Adelina Marku, Nazim Rashidi, Albert Musliu, Gramos Shabani, Lirim Dullovi, Arben Rratkoceri si dhe Burim Latifi dhe Ermal Kryeziu të cilët në mënyrë vullnetare u angazhuan që të rinjve ti mundësojnë hapësirë ku ata mund ti shkëmbejnë mendimet, kritikat dhe idetë e tyre. Ndërkaq përkrahje përveç Komunës së Çairit, e cila ishte e gatshme për çdo ndihmesë, ndihma nuk mungoi edhe nga ana e bizismenëve shqiptarë si Arsim Papraniku, Yll Marku, Nebi Hoxha dhe Muharrem Murtezani.
I pranishëm në këtë hapje ishin kryetari i Komunë së Çairit, Visar Ganiu dhe zv. ambasadorja e SHBA-së Jennifer Littlejon, e interesimi ishte mjaftë i lartë edhe nga ana e të rinjve, bizismenëve si dhe qytetarëve, të cilët erdhën nga afër ta ndjekin inagurumin e kësaj Qendreje.
Visar Ganiu u shpreh se asnjë shoqëri nuk mund të pasojë një transformim të plotë, përveç nëse e transformon mendimin e saj dhe asnjë mentalitet nuk mund të ndryshohet nëse nuk ndryshon nga fillimi dhe kjo është pikërisht arsyeja që gjithmonë ka besuar dhe do të vazhdojë të besoj se forcimi i nismave rinore është parakusht themelor për transformim të mirëfilltë të shoqërisë sonë.
“Ky forum do të shërbej për të promovuar nisma të orientuara nga rinia, por shpresoj që në të ardhmen e afërt kjo Qendër do të bëhet zë kritik në mbrojtje të mendimit të lirë, udhëheqjes së përgjegjshme, diversitetit dhe barazisë së dallimeve, por mbi të gjitha të krijoj politikë të hapur, transparente dhe institucione pa korrupsion”, u shpreh Ganiu.
Mes të tjerash Ganiu theksoi se duhet të jemi mirënjohës dhe krenar që kemi SHBA-në, mbështetësin tonë, miq dhe aleatë në ecjen tonë drejt bërjes së demokracive funksionale të plotë.
Përfaqësuesja e SHBA-së, Jennifer Littlejon, u shpreh se kjo Qendër duhet të shërbej për të shprehur aktivitetin tone, idetë tona, të mbështesim njëri tjetrin duke pasur parasysh që Çairi është komunë multetnike dhe nëpërmjet kreativitetit tonë dhe energjisë të krijojmë diçka të mirë për të gjithë ne, sepse vetëm në këtë mënyrë do të ndërtojmë një shoqëri të shëndosh dhe të mirëfilltë.
“Besoj që duhet të filloni me një duartrokitje për punën ekipore kaq të mirë që keni bërë të gjithë së bashku duke shpresuar dhe besuar që të gjithë të bëjmë pune të mëdha për vendin tonë duke mos u ndaluar. Iniciative e të gjithë juve që keni kontribuar në formimin e kësaj Qendre ka bërë që sot këta të rinj të kenë mundësi të krijojnë një të ardhme më të mirë për ta, duke i dhënë mundësi që ata të shprehin idetë e tyre, ndërsa unë jam e nderuar që ambasada jonë është pjesë e kësaj iniciative”, u shpreh Littlejon. Ndërkaq qëllimi i Qendrës për Komunitet të Rinisë do të shërbejë si rrjet për të bashkuar të rinjtë dhe për të përhapur idetë e të rinjve tanë në mbarë botën. (koha.mk)