Veprat e tij kolosale e bëjnë të pavdekshëm. Me veprat e tij profesori ndërtoi një përmendore të përjetshme të kulturës nacionale shqiptare dhe të cilat vepra bëjnë pjesë në historinë politike bashkëkohore të shqiptarëve në Maqedoni dhe më gjerë
Nga Osman KADRIU
Në moshën 86-vjeçare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 9 maj 2018 ndërroi jetë profesor Ethem Selimi nga fshati Sërbicë e Kërçovës. Varrimi i të ndjerit u bë në varrezat e vendlindjes, më datë 16.05.2018.
Profesor Ethemi lindi në vitin 1932 në fshatin Sërbicë, në një familje punëtore, arsimdashëse, atdhetare dhe me vlera të larta morale. Pas kryerjes të shkollës së mesme – Normales, filloi me punë si mësues në shumë shkolla tetëvjeçare në rrethinën e Kërçovës. Gjatë ushtrimit të profesionit mësues, në ndërkohë mbaron edhe ciklin arsimor për mësimdhënës dhe pastaj fakultetin filologjik dhe e fiton gradën – profesor i gjuhës shqipe me letërsi.
Karrierën e punës e vazhdon dhe më gjatë do të ngel në shkollën tetëvjeçare “Skenderbeu” në fshatin Sërbicë deri në diferencimin e tij ideopolitik dhe përjashtimin nga procesi arsimor. Në procesin arsimor profesor Ethemi do të ushtron edhe detyrën drejtor i shkollës në më shumë mandate. Si profesor dhe si drejtor ka qenë i dalluar. Punëtor i përgatitur dhe me një disiplinë të theksuar. Ishte punëtor i palodhshëm, profesional, i përgjegjshëm dhe tejet i drejtë në procesin arsimor. Ishte privilegj për të gjitha gjeneratat që kanë mësuar dhe janë shkolluar në periudhën kur postin mësimdhënës dhe drejtor shkolle e ka ushtruar profesori. Nxënësit e profesorit nga ai dhe prej tij fituan edukatë cilësore dhe arsimim të përsosur me frymëzim atdhetarë.
Biografia e profesorit është shumë e përsosur, e pasur, e dendur dhe shumëdimensionale, me shumë aktivitete, veprime, vepra dhe kontribute në shumë lëmi. Në veçanti dallohet veprimtaria e profesor Ethemit në jetën politike dhe publike. Gjatë ushtrimit të profesionit profesor dhe drejtor i shkollës, profesori ushtron detyra publike. Në disa mandate do të jetë këshilltar i Kuvendit komunal si dhe anëtarë në organet e organizatave shoqëroro-politike të komunës. Në ushtrimin e detyrave të përmendura profesori ishte i flaktë për luftimin e të drejtave nacionale shqiptare dhe avancimin e statusit kushtetues, juridik dhe politik të shqiptarëve në Maqedoni dhe më gjerë. Dhe më konkretisht, në vitet 70-ta të shekullit që lamë pas (Shekulli XX) edhe në Kërçovë fillon një betejë politike për avancimin e gjuhës shqipe, në veçanti për arsimimin në gjuhën shqipe dhe hapjen e shkollave të mesme. Kërkesa ishte e qartë. Hapja e gjimnazit dhe të drejtimeve tjera të shkollimit të mesëm ishte prioritet. Pushteti i asaj kohe nuk kishte disponim politik që këto të drejta t’i pranon si realitet dhe si të tilla të realizohen në praktikë. Profesor Ethemi kryesonte gati me të gjitha delegacionet, komisionet dhe grupet e ndryshme dhe në mënyrë institucionale t’i parashtron dhe artikulon kërkesat e natyrës nacionalo-shqiptare në organet e pushtetit vendor dhe atij republikan. Kjo në veçanti në organet e pushtetit si dhe në organet partiake. Në të gjitha takimet e radhës, seancat si dhe në mbledhjet e ndryshme para organeve të përmendura, profesori e kishte fjalën hyrëse dhe atë të fundit – përfundimtare rreth çështjes së gjuhës shqipe në arsimin e mesëm. Në vendimmarrje ishte i paluhatshëm, këmbëngulës dhe guximtarë. Kërkesat e kësaj natyre gjithmonë i mbronte me fakte dhe argumente juridikisht të themelta. Cilësi e veçantë e profesorit ishte oratoria e theksuar. Nga aspekti i oratorisë dhe nga ky kriter profesor Ethemi ishte Ciceroni shqiptarë.
Në të gjitha mbledhjet në të cilat në rend dite parashtrohej kërkesa e gjuhës shqipe dhe përdorimi i saj në shkollimin e mesëm, në ato mbledhje vërehej një tensionim i theksuar, me shumë vërejtje, urrejtje, ofendime dhe kërcënime nga ana e pushtetit kundër të gjithë aktivistëve dhe veprimtarëve të njohur shqiptarë të cilët luftonin për çështjen dhe kauzën shqiptare. Në veçanti dhe me një arrogancë dhe injorim të tepruar veprohej edhe ndaj profesor Ethemit.
Në bazë të shënimeve stenografike nënvizohet edhe një polemikë ndërmjet delegacionit me të cilin kryesonte profesor Ethemi dhe përfaqësuesve të pushtetit. Profesori gjerë e gjatë e elaboroi kërkesën për hapjen e gjimnazit në gjuhën shqipe. Dy përfaqësues të pushtetit ashpër e kundërshtojnë diskutimin e profesorit. Ato njëzëri i thanë:”Shoku Ethem, këto të drejta që i kërkoni, edhe sikurse të jenë me ligj, ne nuk ua japim. Nuk ka kushte dhe nuk ka ardhur koha për ato.” Profesori çohet në këmbë dhe u kundërpërgjigj me zë të lartë. Në atë çast i plasi turiri i buzëve të gojës dhe fillon ti rrjedh gjaku. Diskutimin profesori nuk e ndërpret dhe u përgjigjet: ”Shikoni shokë, në qoftë se punohet për të drejta që ju duhet të na jepni, ne ato të drejta nuk i duam. Popullata shqiptare nuk ka nevojë për ato të drejta. Por mos harroni, për të drejtat të cilat i garanton ligji dhe kushtetuta e vendit, ne nuk do të heqim dorë nga ato të drejta. Ato të drejta do t’i kërkojmë dhe do të qëndrojmë deri në fund të këtyre kërkesave”. Me këtë u mbyll mbledhja maratonike dhe tejet e tensionuar.
Për këto aktivitete, të harmonizuara dhe të koordinuara nga profesori si dhe puna tejet e lodhshme dhe e mundimshme i dhanë rezultatet e para. Ndodhi ajo që pritej. Në Kërçovë u hap gjimnazi në gjuhën shqipe. Gradualisht erdhi edhe te hapja e drejtimeve tjera të nivelit të arsimit të mesëm në gjuhën shqipe. Këto ndodhi ndodhën në periudhën kohore 1970 – 1975.
Në betejën politike për të drejtat e shqiptarëve në Kërçovë dhe më gjerë profesor Ethemi ka qenë gjithmonë i rreshtuar në “eshalonin e parë”, natyrisht, së bashku me veprimtarë dhe atdhetarë të shquar të kombit shqiptarë nga Kërçova. Veçohet bashkëpunimi i profesorit me veprimtarin e njohur mr.Abidin Zenku, poashtu nga fshati Sërbicë, si dhe me veteranin e njohur të arsimit shqip – mësuesin Baftir Rrushaj nga fshati Drogomisht i Vogël.
Me vetë rreshtimin në eshalonin e parë në betejat politike për të drejtat nacionale shqiptare, profesori ishte i vetëdijshëm edhe për rrezikun që mund t’i ndodhi nga pushteti. Kjo edhe i ndodhi. Së pari, profesori e flijoi shëndetin e tij në ushtrimin e aktiviteteve të përmendura. J’u keqësua gjendja shëndetësore, dhe kjo gjendje shëndetësore e dobët dhe e ligë do t’a përcjelli deri në ditët e fundit të jetës. E dyta, profesori nga pushteti përjashtohet nga partia dhe përjashtohet nga proçesi arsimor. Kjo ndodhi në dridhjet e fundit politike dhe në “tërmetin politik” që ndodhi në Maqedoni dhe në Jugosllavi pas vitit 1980 dhe zgjati deri në vitin 1990 me shpartallimin e Jugosllavisë dhe shembjen e sistemit totalitar.
Për të siguruar kafshatën e bukës, pas përjashtimit nga proçesi arsimor në periudhën e përmendur, profesor Ethemi do të kalon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të siguruar kafshatën e bukës dhe atje do të ngel deri në ditët e fundit të jetës. Në të njëjtën mënyrë është vepruar edhe me aktivistët dhe veprimtarët tjerë të kombit shqiptarë të cilët në preokupimin e tyre e kanë pasur kauzën shqiptare. Masat e shtetit kundër tyre ishin të njohura: e para, përjashtimi nga puna dhe partia; e dyta, për një numër të veprimtarëve u organizuan gjykime të montuara politike për vepra politike penale dhe u shqiptuan dënime drakonike me vuajtjen e dënimit me burg nëpër burgjet famëkeqe të Maqedonisë dhe jashtë saj duke përdorur ndaj personave të burgosur masa çnjerëzore, poshtëruese, ofenduese dhe degraduese; dhe së treti, mjerisht një numër i veprimtarëve përfunduan me likuidim – ekzekutim nga ana e shtetit dhe shërbimeve sekrete të tij. Të gjitha këto ndodhi më së miri dhe me prova materiale u vërtetuan nga ligjdhënësi me miratimi e Ligjit për përndjekjen e personave për çështje ideologjike dhe politike të përgatitur nga organet e shtetit. Ligji u miratua në vitin 2000. Konform Ligjit në fjalë edhe profesor Ethemi ishte i “pajisur” me Dosje mirë e përgatitur nga shërbimet shtetërore. Edhe tash Dosja e profesorit gjendet në familjen e tij. Në bazë të dosjeve u konstatua se në Republikën e Maqedonisë ka pas të përndjekur mbi 24000 qytetarë. Prej këtij numri 80% janë shqiptarë.
Edhe përkundër sakrificave dhe pasojave që pati profesori, ai vazhdoi me aktivitetet e tij publike dhe politike në sistemin shumëpartiak. Në vitet 1990 anëtarësohet në parti politike shqiptare. Me kalimin e tij në SHBA vazhdon me detyra konkrete dhe organizata politike dhe joqeveritare dhe në veçanti ka bashkëpunuar me Lobin shqiptaro-amerikan. Në brendinë e të gjitha aktiviteteve, profesori Ethem përsëri e kishte preokupimin e tij për çështjen e shqiptarëve dhe për statusin e shqiptarëve në Maqedoni dhe më gjerë.
Me të gjitha veprat dhe veprimet e profesorit të ushtruara në jetën politike dhe publike rrumbullakësohet dhe rrethakohet personaliteti i tij. Me këtë profesori Ethem e fiton statusin të një personaliteti të kombit, personalitet i kohës. Ai vetëm fizikisht ndahet nga kjo botë. Veprat e tij kolosale e bëjnë të pavdekshëm. Me veprat e tij profesori ndërtoi një përmendore të përjetshme të kulturës nacionale shqiptare dhe të cilat vepra bëjnë pjesë në historinë politike bashkëkohore të shqiptarëve në Maqedoni dhe më gjerë.
(Autori është anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, si dhe ish-nxënës i profesorit Ethem)