Vendimet gjyqësore si edhe vendimet dhe mjetet juridike në Prokurorinë Shtetërore, të miratuara dhe të ushtruara nga z. Nexhati, janë vendime juridikisht të themelta, pra vendime ekskluzivisht të mbështetura në të drejtën pozitive të Republikës së Maqedonisë
Nga Osman KADRIU
Para dy javësh nga një sëmundje e rëndë në moshën 68-vjeçare ndërroi jetë dr. Nexhat Elezi nga fshati Srbicë, komuna e Kërçovës. Lindi në një familje punëtore, intelektuale, patriotike dhe në veçanti familje arsimdashëse. Pas përfundimit të shkollimit të mesëm, së pari inkuadrohet si mësues në shkollën tetëvjeçare të fshatit Srbicë, djepi dhe vendlindja e arsimit shqip në rrethinën e Kërçovës.
I interesuar për studimet, regjistrohet dhe vazhdon me studimet e së drejtës. Regjistrohet dhe përfundon studimet në Fakultetin Juridik në Prishtinë, në afatin statutar dhe me suksese të vërejtura. Me vetë faktin se pajiset me aftësi profesionale në lëminë e drejtësisë, ishte preokupimi i z. Nexhatit të inkuadrohet në organet e jurisprudencës me të vetmin qëllim dhe synim që me zbatimin e plotë dhe të drejtë të së drejtës – stricta, t’u mundësohet qytetarëve që t’i realizojnë të drejtat dhe liritë e tyre. Ky synim për atë do të bëhet realitet. Inkuadrimi i parë do të ndodhë në ish Gjykatën Komunale të Kërçovës. Punon, së pari, si praktikant, pastaj dhe pas dhënies të provimit të jurisprudencës si bashkëpuntor profesional dhe në vitin 1981 emërohet gjykatës në të njëjtën Gjykatë. Në komunën e Kërçovës dhe në periudhë konkrete kohore e ushtron edhe funksionin shoqëror – avokat. Me rëndësi është të përmendet edhe funksioni në Prokurorinë Shtetërore. Nga viti 2009, z. Nexhati emërohet në funksionin prokuror në Prokurorinë Shtetërore në të cilin funksion do të ngeli deri në fitimin e të drejtës të pensionit.
Si bartës i funksionit gjykatës, avokat dhe prokuror, z. Nexhati këto funksione në organet e përmendura i ka ushtruar me kompetencë dhe kapacitet të theksuar. Përveç zbatimit të së drejtës në praktikë të jurisprudencës, z. Nexhati vazhdon dhe me një kontiunuitet të pandërprerë merret me kërkime dhe hulumtime shkencore në drejtësi, për çka, së pari, fiton gradën shkencore magjistër i drejtësisë dhe me mbrojtjen tejet të suksesëshme të disertacionit të doktoraturës e fiton edhe gradën shkencore – doktor i shkencave juridike. Aftësitë e fituara në lëminë e drejtësisë u dëshmuan edhe me publikime shkencore me botimin e punimeve në fushën e procedurës penale dhe me një numër të konsiderueshëm të artikujve profesional si njësi të veçanta bibliografike. Me punimet shkencore dr. Nexhati jep kontribut në zhvillimin e shkencës juridike. Si doktor i shkencave juridike ka qenë edhe ligjerues i lëndëve juridike në vite konkrete akademike në Fakultetin Juridik të Univerzitetit Shtetëror të Tetovës.
Ajo që është karakteristikë e veçantë në ushtrimin e funksioneve të përmendura është dhe ka të bëjë me kualitetin e lartë në ushtrimin e tyre. Vendimet gjyqësore si edhe vendimet dhe mjetet juridike në Prokurorinë Shtetërore, të miratuara dhe të ushtruara nga z. Nexhati, janë vendime juridikisht të themelta, pra vendime ekskluzivisht të mbështetura në të drejtën pozitive të Republikës së Maqedonisë. Në miratimin e vendimeve ishte i sigurt, i argumentuar, i paanshëm dhe tejet i ndërgjegjshëm. Në zbërthimin dhe në vendosjen e lëndëve gjyqësore, z. Nexhati ishte i flaktë që të respektohet dhe të zbatohet ligji. Kualiteti në punë i mundësoi z. Nexhatit që të fiton statusin e jurisitit të shquar, jurisitit të dalluar në vendin tonë. Vlerësuar në tërësi, kontributi që dha z. Nexhati për familjen dhe zhvillimin e saj, në pushtetin gjyqësor, në tërë “botën juridike” si dhe në shoqëri në tërësi, ai meritueshëm e fitoi epitetin që të jetë i dashur në familje, i respektuar në shoqëri dhe i çmuar nga intelektualët shqiptarë dhe jo vetëm shqiptarë. (koha.mk)