In Memoriam mikut nga ana tjetër e Sharrit

Në ditën e hapjes së Sharrit, drita që do të kalojë nëpër “të qarën e Vullnetit” do të na ndriçoj të gjithëve, nga të katër anët e tij. Pasardhësit e Vullnetit:  Vetoni, Vesa e Visari do të kenë më së vështiri, të bartin barrën e vazhdimit nga  gjurmëve të Babait të tyre. Por, edhe kënaqësinë

Nga Arbër Shita, arkitekt

Më 20.06.2018 u shua jeta dhe u largua nga kjo botë prof.Dr. Vullnet Palloshi. Nga kjo anë e Sharrit shkuam miq, bashkëpunëtorë dhe kolegë, për të dhënë lamtumirën e fundit, Inxhinierit kulminant, profesorit të përkushtuar, babasë të devotshëm , Mikut të dashur, Njeriut, Vullnet Palloshit. Në një ceremoni mortore, modeste, ashtu si edhe jetoi, pikëllimin e shuanim me kujtimet e mbetura.  Ceremonia fetare, e zakonshme për trevat ku jetoi nuk qe përcjellë me fjalimet e pritshme të punëtorëve dhe veprimtarëve shoqëror. Dukej se fjalët e Vullnetit, mbeten ende shumë të fuqishme që dikush të merr kurajën e të shtoj diçka pas tij.

Vullneti ishte fjalë pak, por shfaqte mendime të fuqishme. Për 11 vjet sa ishte në Kosovën e tij të dashur, prej 1980 deri 1991, dha shumë, punë dhe sakrificë. Demonstratat e 81-shit i kaluam bashkë. Entuziazmohej me fuqinë e atëhershme të kosovarëve dhe ëndërronte të ndodhë po e njëjta edhe në Tetovën e tij edhe më të dashur. E donte Tetovën po aq sa edhe Tetovarët,. I donte Kërçovasit po aq sa edhe Pejanët, Gostivarlinjët sa edhe Llapjanët…. e donte Shqiptarinë. Mbi të gjitha. Në vitet e shpërndarjes së krijesës së mbetur të quajtur “Jugosllavi”, më 1991, kur u takuam na porositi: “Mirë u pafshim, shkova”. Hapi kapitullin e ri, u kthye ne Tetovën e tij. I duhej. Ëndrra filloi ti realizohej. Si fëmijë i rritur pranë dy prindërve të shkëlqyeshëm,  Subijës dhe Xheladinit, atdhetarë dhe të dy pishtarë të arsimit dhe arsimimit shqip në Maqedoni, morri etjen për mësim dhe për dije. Dhe, si ëndërrimtar që ishte, donte që atë t’ua përcjellë të tjerëve. Këndej Sharrit, thoshte, tani ka mjaft ekspert, andej – mungojnë. Dhe shkoi! Për tu kthyer sa herë që kishte nevojë për te. Ëndrra e tij u be mision. Mësim, shkollë, dije, Universitet. Shqip. Në vendin ku shqipja vetëm pëshpëritej. E donte. Në shëtitjet e gjata, bisedonim për të ardhmen. Si do të jetë. Ç’duhet bërë! Kur kalonim përskaj kafeneve e dëgjohej muzika shqip, ndalej dhe insistonte të qeraste së paku nga një kafe. Ta shijoj shqipen nga afër. Ofshante: eee… të  ishte kështu edhe te ne. Shqip. Çka nuk do të bënte për këtë. E bëri. Dhe e përjetoi. E përjetoi edhe zyrtarizimin final te “shqipes së tij” në “Tetovën e tij”. Dhe jo vetëm. Shpresoj se shkoi i lumtur. Kishte arsye.

Sa ishte në Prishtinë për mbi 10 vjet, ndërtoi rrugë, që ende i rezistojnë kohës, projektoi ura, që ende lëvizim mbi to, aftësoi kuadro, që ende janë ekspertë eminent, këtu, këndej Sharrit. Filloi të zgjeronte ndërmarrjen e atëhershme “Put”. Më thoshte: “Do ta bëjë buron e projektimeve, këtu. Në “Put”… kemi tash kuadro, thoshte. Kuadro që flasin shqip”. E bëri.

Sa ishte në Tetovë, mbante kontakte të rregullta nga kjo anë e Sharrit. Ëndërronte të qahej Sharri dhe të lidheshin dy anët e tij , me një rrugë të re,  dhe shpejtë të kalueshme. Punoi në projekt, thoshte: “le të mbetet… do ta kryej,  e dikur do të ndërtohet…” E bëri. Shkoi para se të tjerët të përfundonin ëndrrën e tij në tërësi. Shkoi shpejt, më shpejt se sa mund ta përcjellnim me idetë e me punën që bënte. Por, edhe kjo do bëhet. Ndonjë dritë do të vijë deri të shpirti i tij i bardhë të ndriçoj at, kudo që të jetë. Një dritë që do të depërtoj nëpër të qarën e menduar të “malit të tij” – Sharrit madhështor.

Sa ishte në Urbanizmin e Tetovës, morri të gjitha që kisha nga planet e Prishtinës. Nuk mund ti implementonte si të tilla nga se nuk mund të përshtaten…por, i morri. Thoshte: “si mostër” – vetëm sa për ti treguar. Ishin shqip. Dhe donte ti bënte shqip. Në “Tetovën e tij”. Dhe jo vetëm! E bëri.

Ishte në fondin e rrugëve të R. Maqedonisë. Plot 4 vjet luftonte për “rrugët  e tij”. Ishte i vetëm. Luftonte. Me qetësinë e tij, vepronte vrullshëm. Shqip. Gjithmonë. E Bëri.

Nuk u kuptua si duhej. Pëshpëritnin pas krahëve të tij: Po, ky është inxhinier… kemi kësi tash…”. Por, jo. Vullneti ishte diçka tjetër. Dijenia e tij e kombinuar me shkollimin e tij inxhinierik, e ngriti në një nivel tjetër. Ishte strateg. Si njohës ekselent i komunikacionit, dhe pasojave në shorëri, zhvillimit të saj dhe perspektivës,  diskutonte me orë me mendimtarët e kohës. Ishte në krah të Arbër Xhaferit. E këshillonte dhe këshillohej. Për të dy anët e Sharrit. Mori më të mirën. Ishte gjeostrateg. Fliste për korridore, për lidhje të tyre me degët kryesore, për qarjen e kufijve me rrugët mirë të menduara, edhe mirë të projektuara. Erdhi koha kur këndej Sharrit filloi të ndërtohej. Tani në lirinë e shtrenjtë, infrastrukturë të vjetruar dhe të shkartuar, duhej bërë me rrugë të reja. Vinte dhe shkonte. Takohej me Ministra e Kryeministra. E dëgjonin. Por, se kuptonin…. thoshin: “Inxhinier është ku….” e kishin gabim! Ishte me shumë. Shpjegonte se si duhet përcjellë korridoret. Kah duhet shkuar. Se kuptonin. Bënin dhe bënë korridore të cunguar. Lokale. Silleshin e sorollateshin rreth Sharrit. Keq shqip. Kjo ishte e vetmja që Vullneti nuk donte shqip… në ishim të lidhur, me miq, me shokë me Familje… lidhja ishte bërë. Duhej marrë frymë. Nëpërmjet korridoreve që hapeshin nga bota. Perëndimi. Evropa.  Jeni Një. Tash duhej të bëheshin Një i rëndësishëm. Edhe me korridore.

Iu kthye perfeksionimit. Tashmë kur kishte realizuar ëndrrën për Universitet në “Tetovën e tij”. I dha mbështetjen e duhur institucionale, kur ajo ishte më se e nevojshme dhe shumë e vështirë. Kuvendin e themelimit e kishte ëndërr. U mbajt. U themelua. Edhe këtë, e bëri! Priste të hapeshin shkollat e reja e Fakultetet. Shqip. Dijenia e tij, kërkonte edhe konfirmimin shoqëror e akademik. Në afat rekord, në fillim vitet e shekullit të ri, magjistroi e doktoroi. Filloi punët në hulumtime dhe të profesionin që aq shume e deshi. Kur nuk u kuptua në politikën strategjike, eksplodoi në hulumtimin shkencor. Kënaqej me “aditivët” e tija. Ëndërronte të bëjë asfaltin më të mirë për “Tetovën e tij”.  Për “Kosovën e tij” e për “Shqipërinë e tij” Për këndej dhe andej Sharrit.

Filloi punën në Universitetin “e tij”. Jepte dije dhe merrte buzëqeshje. Ishte i lumtur. Deri sa filluan obstruksionet ndaj Universitetit “të tij”. Iu vu ballë protestës. E mbrojti. Luftoi. E ndali uzurpimin!. U zotua se do ta kthej Universitetin ashtu si ishte. E bëri. Donte të linte gjërat e shkruara. E shkroi . E përmblidhi, dhe para pak kohe edhe  i promovoi “Opinionet” e tij. Në promovimin, që fatkeqësisht ishte i fundit. Por, së fundmi, edhe atë e  bëri.

Sa herë vinte në “Kosovën e tij” takohej me miq e me kolegë. Gjithnjë me kërkesë të ndalej diçka e keqe e të shtyhej diçka e mirë. Ishte dhëndër Kosove. Zonja Vildane, ishte bërë nuse e Tetovës. Nga këndej Sharrit, doli andej. Punoi dhe veproi, krah me burrin. Kontribuoi për “Tetovën e tyre”. Po Vullneti, e qau Sharrin. Me punë, me angazhime dhe me projekte. Edhe pse pritej të pranohej në Akademi, edhe pse kishte karrierën dhe kishte angazhime të shumta, nuk ndalej. Donte të shihte rezultatet. Në teren. I thoshim: “ ti je dhëndër Kosove, andaj po lufton…”. Por jo. Vullneti nuk ishte vetëm dhëndër Kosove. Ishte djalë Shqiptarie. Donte ta qaj malin e madhërishëm të Sharit, për ti bashkuar anët. Jo vetëm dy anët.. vizioni i tij shtrihej në të katër anët e Sharrit! Dhe e nisi  projektin –  e bëri, dhe na la ne të vazhdojmë.

Në ditën e hapjes së Sharrit, drita që do të kalojë nëpër “të qarën e Vullnetit” do të na ndriçoj të gjithëve, nga të katër anët e tij. Pasardhësit e Vullnetit:  Vetoni, Vesa e Visari do të kenë më së vështiri, të bartin barrën e vazhdimit nga  gjurmëve të Babait të tyre. Por, edhe kënaqësinë.

Me lutje që një pjesë e kësaj drite të reflektohet shpejtë dhe ta ndriçoj shpirtin e bardhë të Njeriut, Vullnet! Kudo që të jetë.

Paq rrugë të mbarë, Miku im i shtrenjtë. Nga ajo anë e Sharrit. Shpejtë do ta qajmë. Ishe Strateg!