Shkup, 14 janar – Disa nga importuesit e automjeteve të vjetra sot para përfaqësuesve të Drejtorisë së doganave, i paraqitën vërejtjen e tyre lidhur me zbatimin fillestar të Ligjit për tatimin e automjeteve motorizuese, i cili hyri në fuqi prej 1 janarit të këtij viti, transmeton gazeta KOHA.
“Si një nga dilemat kryesore, që ishin cekur në takim, ishte zbatimi praktik i dispozitave ligjore dhe paqartësive me të cilat përballen importuesit e automjeteve të vjetra gjatë përllogaritjes së tatimit të ri për automjetet motorizuese, si dhe rritja e të dhënave për të cilat druajnë se do të shkaktojnë ndërprerje të punës së tyre. Theks i posaçëm në bisedime ishte vënë në automjetet të cilat janë doganuar para fillimit të zbatimit të Ligjit të ri për tatim të automjeteve motorizuese, nëse u nënshtrohen tatimit shtesë apo jo, si dhe gjendja me automjetet të cilat janë rrugës për dërgesë në vendin tonë. U theksua mbështetja e sjelljes së ndryshimeve në pjesën e tatimimit të automjeteve motorizuese me qasje pozitive për stimulim të importit të automjeteve më ekologjike, por e tërë kjo në korelacion me fuqinë blerëse të qytetarëve për të cilët theksuan se vështirë se mund t’i lejojnë vetes blerje të automjeteve më të shtrenjta”, informojnë nga Drejtoria e doganave.
Nga ana e Drejtorisë së doganave në takim u prezantuan dispozitat themelore të Ligjit për tatim të automjeteve motorizuese dhe u bënë disa përllogaritje të tatimit të automjeteve motorizuese.
Nga atje sqarojnë se në pajtim me ligjin e ri, automjetet me vlerë deri 10.000 euro tatimohen vetëm për atë se sa ndotin, e jo si deri më tani, sipas vlerës së automjetit.
Lidhur me dilemat nëse automjetet e doganuara deri më tani a duhet të paguajnë tatim në mënyrë të potencuar, në takim, u konkludua se ato që janë përfunduar sipas ligjit të vjetër nuk u nënshtrohen pagesës shtesë të tatimit të automjeteve motorizuese dhe automjetet mundet lirisht t’u shiten blerësve.
Drejtoria e doganave informon se do të realizojë takim shtesë me të gjitha palët e involvuara me këtë ligj.(koha.mk)