Një analizë më serioze si e punëdhënësve, odave ekonomike, sindikatave por edhe dikastereve të ndryshme shtetërore duhet të ofrojë edhe një përgjigje më të saktë se çfarë profili i punëtorëve i nevojitet tregu vendor të punës, dhe në cilat qytete dhe veprimtari ekonomike do të punojnë punëtorët nga jashtë.
Nga Fisnik Pasholli
Kompani të ndryshme vendore, përfshi biznese të vogla apo të mëdha, dyqane, fabrika, kërkojnë por nuk mund të gjejnë punëtorë të profileve të ndryshme, përfshi parukier, murator, elektricist, mekanik, saldues etj. Mungesa e këtyre profileve ka nxitur një debat të gjerë në shoqëri dhe ende nuk dihen saktësisht motivet e largimit të tyre nga vendi.
A po ikin jashtë për të punuar disa muaj dhe për të fituar sa për një vit punë në vendlindje? A ju mungojnë shkathtësitë dhe nuk plotësojnë kërkesat e punëdhënësve? A janë të pakënaqur me pagat e ulëta? Të gjitha këto dilema mbeten të pasqaruar deri në fund, por si të tilla preokupojnë gati të gjithë njerëzit. Punëdhënësit thonë se punëtorët vendorë kërkojnë paga gjermane, mirëpo, sipas tyre, për paga gjermane edhe punën duhet ta bëjnë si punëtorët gjerman. Ndërkaq punëtorët thonë se kompanitë private kërkojnë që ato shtatë orë e gjysmë të punojnë me 100 për qind dhe të mos ndalen duke punuar me një pagë që nuk i kënaq nevojat e tyre. Një e vërtetë tjetër është se punëtorët nga Ballkani me pak përjashtime, kur ikin jashtë janë ndër punëtorët më të respektuar dhe më të zellshëm për të cilët ka pak ankesa. Përvojat e shteteve ballkanike tregojnë se një pjesë të boshllëkut apo mungesës së fuqisë punëtore po e mbulojnë duke sjellë fuqi punëtore edhe nga shtetet e largëta aziatike apo latine.
Edhe Maqedonisë i duhet një kornizë më e thjeshtë ligjore dhe mirë e menduar që do të mundësojë që në baza të kuotave apo shifrave mirë të analizuara , të hapin mundësinë që në ndërtimtari, hotelieri apo në kapacitetet prodhuese ku mungon fuqia punëtore vendore, ajo të zëvendësohet me fuqi punëtore nga jashtë. Një analizë më serioze si e punëdhënësve, odave ekonomike, sindikatave por edhe dikastereve të ndryshme shtetërore duhet të ofrojë edhe një përgjigje më të saktë se çfarë profili i punëtorëve i nevojitet tregu vendor të punës, ku nesër dhe në cilat qytete dhe veprimtari ekonomike do të punojnë punëtorët nga jashtë.
Njëherësh mbetet që edhe analizat e ndryshme shkencore dhe profesionale të përgjigjen më saktë se çka dëshiron shteti të arrijë përmes politikave migruese, sa kjo politikë do të jetë selektive, sa na nevojiten fuqi punëtore me kualifikime më të ulëta dhe sa do të kemi mundësi që të tërheqim edhe fuqi punëtore nga jashtë me kualifikime më të larta. Mbetet të shohim sa do ti përgjigjemi sfidave të radhës dhe ardhjes me plan dhe me qëllim të caktuar të fuqisë punëtore nga jashtë. Natyrisht se si shtet duhet ndjekur edhe përvojat e shteteve me përvojë më të gjatë demokratike të BE-së që edhe përkufizojnë migrimet.
Pra , importi i fuqisë punëtore nga jashtë me kalimin e kohës do të bëhet një domosdoshmëri për Maqedoninë e Veriut dhe të gjitha shtetet e Ballkanit perëndimor, mirëpo mbetet që çdo shtet veç e veç të zgjidhë importin e punëtorëve sezonal apo me qëndrim më të gjatë. Apo me fjalë të tjera nuk do të duhej që vetëm tregu i punës të imponojë ardhjen e punëtorëve të huaj, por kjo problematikë kërkon një vizion dhe strategji të qartë edhe të zhvillimit ekonomik, politik, rajonal dhe shoqëror të vendit. E ardhmja jo e largët do të tregojë edhe sa do të ketë me të vërtetë të interesuar, punëtorë nga importi të interesuar të jetojnë dhe punojnë në ambientin tonë shoqëror dhe të gëzojnë standardin vendor me pagat që në mesatare nuk arrijnë as 500 euro. (koha.mk)