Fisnik PASHOLLI
Shkup, 7 prill – Në tre muajt e parë të këtij viti janë importuar 1294 vetura të reja, që është më shumë se 200 vetura në raport me 1073 vetura të importuara në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të Doganës, në të njëjtën periudhë të vitit zvogëlohet importi i veturave të vjetra, shkruan gazeta KOHA. Në tre muajt e parë të këtij viti janë importuar 4748 automjete të vjetra, që paraqet një ulje prej gati 2000 vetura në raport me 6611vetura në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar Vlerësohet se në tre vitet e kaluara, tregu i shitblerjes në vend karakterizohet me shitje prej 20-23 mijë të veturave të vjetra si dhe trend pozitiv të shitjes veturave të reja. Njohësit e tregut të automobilizmit në Maqedoni shpjegojnë se në vitet e fundit kemi stabilizim të tregut të veturave të vjetra, për shkak të ngopjes së tregut si dhe rritje të tregut të veturave të reja si rrjedhojë e blerjes së tyre edhe me kredi automobilistike , me kredi konsumatore si dhe blerjes së veturave edhe nga një pjesë e kompanive për nevojat e tyre.
“Në dy-tre vitet e fundit kemi stabilizim të tregut të shitblerjes së veturave të vjetra dhe trend të pozitiv të shitblerjes së veturave të reja. Megjithatë, është herët që në fillim të vitit të ofrohen parashikime se si do të zhvillohet shitja e veturave deri në fund të 2017-ës, për shkak se në një pjesë të madhe edhe shitja e veturave ndikohet jo nga arsyet ekonomike, por ajo varet nga zhvillimet politike në shtet. Ngërçi politik ndikon pjesërisht edhe në uljen e konsumit të qytetarëve, gjegjësisht në shitblerjen edhe të veturave të vjetra apo të reja”, thotë për KOHA, eksperti i automobilizmit, Agron Sulejmani. Sipas tij, tregu i veturave të vjetra në Maqedoni ndikohet edhe nga oferta e begatshme nga shtetet evropiane, ku për shkak të rregulloreve më të rrepta, pagesës më të shtrenjtë të sigurimit dhe të dhënave të tjera për veturat me kilometrazh më të madhe, evropianët heqin dorë nga parku i vjetër vozitës që orientohet për eksport në shtetet e Evropës lindore, ku përfshihet edhe Maqedonia.
Në ndërkohë, rritjen e tregut të veturave të reja dhe tregun stabil të shitjes prej afër 23-25 mijë të veturave të vjetra, duke marrë parasysh se jo të gjithë ato shiten menjëherë në treg, për dallim prej veturave të reja që menjëherë gjejnë blerës, e mbështesin edhe të dhënat zyrtare të Doganës për tre vitet e fundit. Sipas tyre, në vitin 2016 ka pasur 5027 vetura të reja, në vitin 2015 janë shënuar 4244 dhe në vitin 2014 3052 vetura të reja të importuara.
Nga ana tjetër, në vitin e kaluar janë importuar 25889 vetura të vjetra, në vitin 2015 janë importuar 23.196 dhe në vitin 2014 janë importuar 29558 vetura të vjetra. Ndryshe, mbështetje solide për blerjen e veturave të reja ofrojnë edhe kreditë e bankave komerciale automobilistike që kanë ndoshta rënie të butë në vitin e kaluar prej 379 milionë denarë në muajin mars të vitit 2016 në 309 milionë denarë apo afër 5 milionë euro në muajin shkurt, por megjithatë nuk ulen nën 300 milionë denarë. Kjo do të thotë se së paku 400 kompani dhe qytetarë janë në borxh për automjete të reja nëse përllogarisim se një veturë e re kushton së paku 12 mijë euro. Nga ana tjetër, bankierët shpjegojnë se një pjesë e madhe e veturave të reja blihen edhe me kredi konsumatore që në vitet e fundit tregojnë rritje të madhe, për shkak se shfrytëzuesi i kredisë automobilistike duhet të nxjerrë edhe kasko-sigurimin që si obligim nuk vlen për kreditë e konsumit të gjerë gjatë tërë periudhës së pagesës së borxhit ndaj bankës.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara