Fisnik PASHOLLI
Shkup, 1 mars – Problemet e eksportit të miellit serb në Maqedoni, shënojnë një shkallë të caktuar të shqetësimeve në tregtinë e ndërsjellë midis shteteve të rajonit. Në vitet e kaluara, Maqedonia kishte vështirësi të të shumta në plasmanin e verës, shitjen e ëmbëlsirave industriale në tregun serb për gjoja keqpërdorimin e pronësisë industrial, shkruan gazeta KOHA. Gjithashtu probleme të ngjashme me bllokadën e përkohshme të prodhimeve të tyre ushqimore-bujqësore, janë shënuar në të gjitha shtetet e rajonit, që megjithatë në fund janë zgjidhur me pasoja më të vogla dhe me kompromis të palëve. Në vitet e kaluara mosnjohja e ndërsjellë e certifikatave veterinare, fitosanitare dhe të tjera tjetra barriera teknike dhe jotarifore, shpesh ju kanë shkaktuar probleme jo të vogla prodhuesve, tregtarëve dhe transportuesve, që janë reflektuar në dëme financiare për shkak të vonesave prej disa ditëve e deri disa javëve.
BIZNESI ME SERBINË NUK SHPAGUHET
Rasti i fundit me kundër masat që paralajmëron Serbia ndaj importit të prodhimeve bujqësore dhe ushqimore nga Maqedonia është vetëm një nga të shumtit që gati për çdo vit përsëriten në rajon. Paralajmërimi për embargo të mundshme nga pala serbe vjen pas ankesave të shoqatës së biznesit “Zhito Unija”, se rregullorja e re në fakt ju pamundëson që të fitojnë nga eksporti i miellit nga Serbia në Maqedoni. Sipas procedurave të reja për importin e miellit, parashikohet që banderolat të vendosen në dërgesat pasi ato të kalojnë të gjitha kontrollet pas importit. Paraprakisht , banderolat janë dërguar tek vetë eksportuesit që kanë vendosur të njëjtat para fillimit të eksportit.
“Realisht mund të presim ulje të eksportit të miellit për shkak se dukshëm janë rritur harxhimet për importuesit dhe biznesi me Serbinë në të vërtetë nuk shpaguhet”, thotë Zdravko Shajatoviq, kryetar i Zhitounija.
Kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi se për tejkalimin e luftës tregtare do të bisedohet ditën e hënë në nivel ministror. “Besoj se kur kemi gjetur në të kaluarën zgjidhje për çështje shumë më të vështira, edhe për këtë problem do të gjejmë zgjidhje. Qysh të hënën do të ketë negociata midis homologëve të kësaj fushe me qëllim që të gjendet zgjidhje”, tha të dielën Zaev.
SERBIA PROPOZON MASA RECIPROCITETI
Në ndërkohë afaristët serb i kanë propozuar Ministrisë serbe të Tregtisë që Maqedonisë ti vendosë masa reciprociteti. Ato sugjerojnë që të zgjidhen disa prodhime të rëndësishme për eksportin e Maqedonisë të paketuara në ambalazh , që pas importit në Serbi ti nënshtrohen obligimit të magazinimit, si dhe kontrollit të cilësisë. Propozohet që në këto prodhime sërish të vendosen deklarime dhe të paketohen nga e para .
Në vitet e kaluara gjithashtu kishte kërcënime nga Serbia se nëse nuk tërhiqen masat mbrojtëse që kufizojnë importin e lirë të gurit serb në Maqedoni do të ndërmerren kundërmasa me të cilat do të kufizojë importin e pemë-perimeve dhe verës nga Maqedonia në Serbi, por megjithatë diçka e tillë nuk u realizua në praktikë. Maqedonia para disa vitesh vendosi masën për import të kufizuar të grurit dhe miellit ku për një kilogram grurë të importuar, importuesit nga Maqedonia patjetër duhet të blejnë 3 kilogram grurë vendorë, ndërsa për një kilogram miell të importuar duhet të blihen patjetër duhet të blihen 4 kg miell vendor.
SERBIA RREZIKON INDUSTRINË E MIELLIT NË KOSOVË
Në vitet e kaluara Shqipëria ka bllokuar më shumë se dy herë importin e miellit nga Kosova. Përderisa herën e parë arsyeja kishte qenë mungesa e analizave të aflotoksinës, herën e dytë kjo u bë me arsyetimin se mielli nga Kosova kishte nivelin e proteinës nën masën e kërkuar.
Në vitin 2017 , Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës ka vendosur që mielli që importohet nga Serbia në Kosovë, të paguajë 0.04 cent për çdo kilogram, si masë mbrojtëse për prodhuesit vendas. Ky vendim është marrë pas ankesës së kompanisë prodhuesve vendore “M&Sillosi” dhe Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, ku është konstatuar se importi i miellit nga Serbia po importohet në Kosovë me çmime më të ulëta se sa vlera e çmimit të tregut, respektivisht nën koston e prodhimit, duke e rrezikuar industrinë prodhuese të miellit në përgjithësi në Kosovë.
Në 15 shtator të vitit 2013, dhe pas shtatë ditësh bllokada u rihapën kufijtë mes Maqedonisë dhe Kosovës . Në mesnatën mes 14 dhe 15 shtatorit hynë në fuqi vendimet e qeverive të dy shteteve për tërheqjen e ndalesave të importit dhe taksës për qytetarët dhe automjetet kosovare. Pas një jave , Maqedonia i dha fund ndalimit të importeve të grurit dhe të miellit nga Kosova, që ishte në zanafillën e një bllokade ndërmjet dy vendeve . Paraprakisht ndalimi i importeve të grurit dhe miellit, bëri që autoritetet në Prishtinë të ndalojnë importet nga Maqedonia të disa mallrave, kryesisht ushqimore.
MAQEDONI-SHQIPËRI, BARRIERA RECIPROKE!
Në fillim të muajit qershorit të vitit 2015, Autoritetet në Maqedoni kishin bllokuar në kalimin kufitar Bllacë , katër kamionë nga Shqipëria që kanë pasur synim tregun e Maqedonisë të ngarkuar me domate , tranguj, lakër, rrepë të kuqe, shalqi dhe pjepër. Nga Ministria e Bujqësisë së Maqedonisë theksuan se bëhet fjalë për kontrolle të rregullta të importit të ushqimit në favor të mbrojtjes së shëndetit së konsumatorëve në vend. Në ndërkohë, Ministria e Bujqësisë së Shqipërisë ka reaguar ndaj bllokimit të eksportit të perimeve të freskëta shqiptare në Maqedoni, duke e cilësuar këtë si një akt të njëanshëm.
Në vitin 2014, Maqedonia u ankua se ka barriera në eksportin e ilaçeve në Shqipëri dhe eksportin e verës në Serbi. Atëherë nga Republika e Shqipërisë u kërkua të shqyrtojë mundësinë që të bëjë ndryshim në Ligjin për shëndetësi në pjesën që e rregullon importin e ilaçeve, që parashikon që ilaçet që importohen të jenë të regjistruara në vendin në të çilin prodhohen dhe një vend anëtar të BE-së. Problemi më i madh me ndalesën e tregtisë së lirë në rajon ndodhi për shkak të mosmarrëveshjeve midis Kroacisë dhe Serbisë për kalimin e refugjatëve nga Siria në drejtim të Hungarisë apo Kroacisë. Në verën e vitit 2015, kompanitë eksportuese të pemë-perimeve , por edhe bizneset e tjera në Maqedoni dhe rajon pësuan dëme të mëdha nga bllokimi i kufirit ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë. Kjo bllokadë u bë në periudhën kur të dy vendet ishin të ballafaquara me fluksin e madh të imigrantëve nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia, që migrojnë për në shtetet perëndimore. (koha.mk)