Fisnik PASHOLLI
Shkup, 27 gusht – Elektrana me erë në Bogdanci ishte kapaciteti i fundit energjetik i ndërtuar në Maqedoni për prodhimin e energjisë. Me përjashtimin e këtij objekti që ka fuqi prej 36.8 megavat, në tre vitet e fundit – përkundër planeve të ndryshme, nuk u ndërtua asnjë kapacitet i ri për prodhimin e energjisë, shkruan gazeta KOHA. Në ndërkohë, edhe pas dhjetë e më shumë tenderëve të shpallur nuk u arrit që të fillohet me ndërtimin e hidrocentraleve Çebren dhe Galishte si kapacitete të rëndësishme energjetike. Të dy hidrocentralet më shumë se 40 vjet mbeten vetëm një “listë dëshirash” e opinionit energjetik dhe akademik të Maqedonisë, për të cilat askush deri më tani nuk pati guximin të thotë: “mos humbni kohë me tenderë dhe iniciativa private, por shteti vetë le të ndërtojë këto objekte të rëndësishme”. Gjithashtu, Maqedonia me vite të tëra shumë pak investon më ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, andaj është e varur nga importi i energjisë elektrike nga jashtë, ku për çdo vit harxhohen së paku 100 milionë euro. Më shumë se 40 vjet, prodhimi i energjisë elektrike në Maqedoni varet nga kapacitetet e vjetruara të Termocentralit të Manastirit. Kapacitetet e Termocentralit të Osllomejit nuk shfrytëzohen për shkak të mungesës së qymyrit cilësor, ndërsa ato të Negotinës – për shkak se nuk shpaguhet prodhimi i rrymës nga mazuti si energjens. Pas ndërtimit të hidrocentralit “Kozjak” para më shumë se dhjetë viteve, kapaciteti i fundit energjetik që u lëshua në përdorim para dy vitesh ishte “Parku i Erës” në Bogdanci, ku u investuan 55 milionë euro, por që siguron energji për vetëm 60 mijë amvisëri. Ekspertët e energjetikës thonë ndërtimi i një kapaciteti të ri për prodhimin e energjisë imponohet edhe për shkak se Maqedonia për çdo vit paguan rrymë të shtrenjtë nga importi që të mbulojë nevojat për energjinë elektrike. Bilanset energjetike tregojnë se në vitet e kaluara, në mesatare kemi siguruar rreth 60 për qind të energjisë nga prodhimi vendor, ndërsa rreth 40 për qind janë siguruar nga importi. “Maqedonia nuk ka kohë për të pritur. Nevojitet si shtet të krijojmë bazën e qëndrueshme energjetike edhe për shkak të sovranitetit si ekonomi dhe shtet, që në të ardhmen të mos mund askush nga fqinjët që ta keqpërdorë varësinë sonë për import të energjisë. Duhet menjëherë të fillohet me ndërtimin e kapaciteteve të centraleve elektrike me energji diellore, si dhe të burimeve të tjera të rinovueshme të energjisë, përfshi edhe ujin”, thotë profesori universitar Konstantin Dimitrov. Sipas tij, energjetika është një çështje mjaft e shtrenjtë që kërkon investime të mëdha dhe kohë të gjatë që të ndërtohen kapacitetet e ndryshme, ndërsa kjo shpaguhet në një afat më të gjatë. Në ndërkohë, në programin qeveritar të punës 2017-2020 parashikohet ulje e importit të energjisë si rezultat i kombinimit të efikasitetit energjetik, që nënkupton edhe shfrytëzimin racional të energjisë dhe kursimin e saj, prodhimin racional të energjisë vetanake dhe qasjen mirë të menduar në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare të energjisë elektrike, gazit natyror dhe derivateve të naftës. “Qeveria do të përkrahë prodhimin racional të energjisë elektrike me ridestinimin e Termocentralit të Negotinës në kombinat energjetiko-bujqësor, që do të rrisë konkurrencën dhe eksportin e perimeve të hershme, dhe hapjen e vendeve të reja të punës në bujqësi. Me ndërtimin e hidrocentraleve Çebren dhe Galishte, do të sigurohet rritja e prodhimtarisë vendore dhe do të ulet importi i energjisë së shtrenjtë. Me eksploatimin e thëngjillit në xeheroren Suvodol dhe eksploatimin e thëngjillit në xeheroret Zhivojno dhe Vitolishte, do të vazhdohet afati i punës së Termocentralit të Manastirit si shtyllë e energjetikës së Maqedonisë”, theksohet në Programin qeveritar për tre vitet e ardhshme lidhur me planet për energjetikën. Njëherazi do të implementohen standardet më modern ekologjike në Termocentralet e Manastirit dhe Osllomesë. Ndryshe, shtetet e Ballkanit Perëndimor përballen me shumë sfida për të pasur energji të qëndrueshme dhe të përballueshme për qytetarët e tyre. Rajoni ka shumë pak rezerva të burimeve të naftës dhe gazit natyrore, ndërsa një pjesë të madhe të nevojave të veta i siguron nga importi. Gjithashtu, lidhur me prodhimin dhe konsumin e thëngjillit, rajoni i Ballkanit Perëndimor i përmbush nevojat e veta. Kosova me Obiliqin, Serbia me Obrenovacin dhe Kollubarën, Mali i Zi me Pljevljën dhe Maqedonia me Manastirin , më shumë se 50 për qind të nevojave të konsumit të energjisë i përmbushin me anë të prodhimit të rrymës nga thëngjilli. Gjithashtu, shtetet e Ballkanit Perëndimor falë potencialit të madh hidrik që e imponon terreni malor i pasur me lumenj, orientohen që nevojat për rrymë ti kënaqin edhe me anë të hidrocentraleve, ku për prodhimin e energjisë nga uji dominon më shumë Shqipëria me kaskadat e Drinit, Devolit dhe të tjera.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.