Duke pasur parasysh zinxhirin e golave të shënuar para ndërprerjes së Serie A prej Covid-19, dukej me të vërtetë e vështirë të shihej Ciro Immobile jashtë luftës për “Këpucën e Artë” edhe mbas rikthimit në fushë. Bomberi i Lazio ka kaluar tashmë Lewandowskin, duke qenë për momentin golashënuesi më i mirë në Evropë, i vetëm.
Ndryshe nga Bundesliga, që tashmë ka përfunduar, Seria A i ofron Immobile edhe një ndeshje, për ta rritur kuotën e finalizimeve të këtij sezoni. Me golin ndaj Brescia, ajo parakaloi polakun e Bayern Munich, duke prekur me dorë “Këpucën e Artë” të Evropës dhe atë të Serie A.
Sulmuesi bardhekaltër do të duhet të shpresojë që Cristiano Ronaldo nuk do të shënojë aq shumë gola ndaj Romës, sa të jetë më i miri në Evropë. Përveç nëse rezultatet janë sensacionale, lojtari i Inzaghit është i gatshëm të ngrejë të dy trofetë personalë. Italiani i fundit që e fitoi “këpucën e Artë” në Serie A ishte Francesco Totti, më 2007
Para kapitenit të Romës, vetëm një vit para tij, ishte Luca Toni. Por jo vetëm. Immobile synon gjithashtu rekordin e golave të shënuar në një sezon të Serie A, që mbahet nga Gonzalo Higuain (36 gola), përveç çmimit të golashënuesit më të mire në këtë sezon: 35 gola në kampionat, pas “rrjetës” së mbrëmshme ndaj Brescia.
I vetmi “kërcënim” për sulmuesin e Lazio mund të jetë Cristiano Ronaldo. Në kuotën e 31 golave për momentin, portugezi ka vetëm sfidën kundër Romës (në shtëpi) në dispozicion për ta përmbysur situatën. Për t’u barazuar me Immobile, atij i duhen jo pak, por 4 gola në ndeshjen e fundit.
Duket utopike, por ne e dimë se kur bëhet fjalë për tituj dhe rekorde, Ronaldo nuk është kurrë një kundërshtar i thjeshtë për t’u sfiduar. Mbetet për t’u parë nëse do të luajë ndaj kryeqytetasve, apo do të pushojë në funksion të sfidës tepër të rëndësishme të Champions-it ndaj Lyon. Sarri ka paralajmëruar se mund të paraqitet me U-23 ndaj Romës.