Imazhe nga një shtet i harruar i Evropës (FOTO)

Me krahun e majtë e mban të shtrënguar nën sqetull një furçë druri me lesh deleje, kurse me dorën e djathtë tjerr leshin në fijen që rri varur në një shtizë druri, teksa me njërën këmbë tund djepin për ta futur fëmijën në gjumë. Ajo është një grua nga Peja, refugjate në Mbretërinë Shqiptare, e përndjekur nga Mbretëria e Jugosllavisë, prej vendit të saj, Kosovës. Këtu, ajo është fiksuar në një fotografi aparati në pranverën e vitit 1929, nga Hugo Adolf Bernatzik, një shkencëtar austriak i interesuar për etnologjinë aplikative, shkruan Koha Ditore. Ai ishte njohur me botën shqiptare gjatë mbretërimit gjashtëmujor të Princ Vidit më 1914, kur vizitoi për të parën herë Shqipërinë. Lufta e Parë Botërore e ktheu sërish atje, ku shërbeu si vullnetar në Ushtrinë austro-hungareze, që e kishte pushtuar gjysmën e territorit shqiptar. Kureshtar për natyrën, Bernatzik u tërhoq shumë nga kënetat e bregdetit dhe zogjtë e tyre. I vetëdijshëm se ato ishin habitate të rralla zogjsh në Evropë, më shumë se dhjetë vjet pasi i kishte shkelur si ushtarak tokat shqiptare, Hugo Adolf Bernatzik u kthye në ato toka si gjuetar, për të gjuajtur me aparat fotografik.