Imami nga Kosova ushtroi dhunë ndaj gruas, dënohet me dëbim nga Zvicra

Një imam shqiptar nga Kosova, me qëndrim në St. Gallen, duhet të lëshojë Zvicrën. Atij i është marrë leja e qëndrimit në këtë vend për shkak se kishte ushtruar dhu në mbi të shoqen.

Vendimin e organeve kantonale për mos vazhdimin e lejes së qëndrimit, e ka konfirmuar së fundi edhe Gjykata Federale, si shkalla më e lartë e gjyqësisë në Zvicër, shkruan sda.ch. Sipas vendimit të kësaj të fundit, personi në fjalë ka ushtruar dhu në fizike dhe sek suale ndaj gruas së tij.

Bashkëshortja e tij, me prejardhje nga Singapuri, që nga dhjetori i vitit 2015 bashkë me 4 fëmijët ishte strehuar në një shtëpi të sigurt (strehimore për gratë), transmeton albinfo.ch. Prej atëherë ata jetojnë të ndarë nga njëri tjetri. Partnerja e re e imamit, një vit më vonë ka sjellë në jetë një djalë.

Zyra Kantonale për Migracion e St. Gallenit, në mars të vitit 2017 nuk ia kishte vazhduar lejen e qëndrimit, imamit E.D. Dhe të gjitha instancat tjera po ashtu e kanë hedhur poshtë ankesën e tij kundër këtij vendimi, përcjell albinfo.ch. Ndërsa në Gjykatën Federale ai ishte ankuar duke iu referuar mbrojtjes së sferës private, që sipas tij është në pajtim me Konventën Evropiane të të drejtave të njeriut.

Gjykata Federale mbështet vendimin e Gjykatës Administrative të St. Gallenit. Ajo kishte konstatuar se imami kishte ardhur në Zvicër në moshën 26 vjeçare dhe këtu nuk kishte kaluar më shumë se 10 vite. Pikëpamjet e tij lidhur me të drejtat e tij si burrë dhe detyrimet e grave, ishin në kundërshtim të madh me të drejtën zvicerane dhe me sistemin e këtushëm të vlerave.

Gjykata e përmendur administrative i kishte vlerësuar deklarimet e bashkëshortes, të bëra para policisë si të besueshme. Ajo kishte deklaruar se bashkëshorti i saj kishte ushtruar mbi të dhunë psikike, fizike dhe seksuale. Edhe partnerja e re, për shkak të qëndrimeve dhe manipulimeve të të shoqit, nuk guxonte të dilte nga shtëpia pa miratimin e tij.

Gjykata Federale në vendimin e saj shkruan se ka pika të ndryshme referimi që dëshmojnë se imami kosovar nuk është i familjarizuar me sistemin juridik dhe atë të vlerave të Zvicrës dhe se nuk i respekton ato, transmeton albinfo.ch. Kjo vlen sidomos për barazinë në mes të gruas dhe burrit, të garantuar me kushtetutë.