Dibër, 16 dhjetor – Libri publicistik “Im Atë dhe Këlyshët e Titos” e shkrimtares premtuese Delvina Kërluku është një krijim me karakter informativ, arsimor dhe edukativ. Me këtë libër, ajo e sjell gazetarinë në një nivel të një punimi artistik. Kështu ka thënë Shpëtim Pollozhani, në promovimin e librit që u mbajt të shtunën në ambientin e Komunës së Dibrës. Pollozhani u shpreh se “Im Atë dhe Këlyshët e Titos” është një libër kronik, ndërsa mund të quhet edhe si një “dëshmitar”, i cili gërvisht në kohë dhe në vetëdijen e njerëzve, një krijim estetik përplot me dukuri të jetuara.
“Çdo shkronjë e derdhur në këtë libër është copëze jete ku pikturohet realiteti njëlloj sikurse në pikturën e famshme të Betejës së Borodinos. Në çdo rresht të veprës së saj kullon djersë dhe gjak për fatin e popullit. Çdo mendim i saj shpreh protestën e një kryengritëseje, e cila gjithnjë e tregon edhe një zgjidhje. Autorja, me pendën e saj vepron si një kirurg me një thikë në dorë, i cili mundohet ti nxjerrë nga truri i shqiptarit pjesët e nekrotizuara. Me një rebelizëm të zjarrtë e lufton mentalitetin bizantino-komunist të pushtetarëve dhe këlyshëve të Titos, të cilët ia shëmtojnë jetën dhe ia mbyllin dyert e ardhmërisë rinisë. Shpërthimi i saj nuk ka vetëm rebelizëm, aty e gjen edhe një shpresë, por edhe një busull. Sipas autores, burimi i së keqes sonë lind nga mentaliteti bizantin, sindromi i suksesit dhe kompleksi i fukarait. Ajo krijon një pikturë të ekuilibruar duke konstatuar se e keqja na vjen nga kompleksi i madhështisë dhe sindromi i sunduesit, i cili mendon se ai – sunduesi, është pasardhësi i krijuesve të qiellit dhe të botës, pasardhësi i Lekës së Madh, Car Borisit dhe çmos tjetër. Ajo e anatemon dorën që tenton ti këpus rrënjët tona”, tha Pollozhani, njëherë kryetar i Shoqatës së të Përndjekurve Politik në Maqedoni.
Bashkim Mashkulli, ish i përndjekur politik dhe njëherësh kryetar i Këshillit të Dibrës, tha se autorja duhet përgëzuar për guximin që ka marrë të shkruaj për një të vërtetë të madhe të kohës. Sipas Mashkullit, ne mund të mbyllim sytë në realitet, por jo në kujtimet tona. “Delvina ka thënë një të vërtet të madhe, kur e them të vërtetën, nuk e bëj këtë për të bindur ata që nuk e njohin, por për të mbrojtur ata që e njohin”, u shpreh Mashkulli.
Autorja falënderoi dashamirësit e librit në përgjithësi dhe të librit të saj në veçanti. “Meqë nuk ka ligj që përcakton kriteret e falënderimeve, falënderoj së pari familjen, pastaj Komunën Dibër, e cila hapi dyert për të na futur në dhomën e pritjes si i ka hije një dibrani, për dibranin dhe për të tjerët. Ky gjest është akti më i lartë për shkrimtarin, që ta nderojë shtëpia e parë e vendlindjes…”, tha Kërluku. (koha.mk)