Iluzioni i Putinit, as 300.000 trupa nuk do t’i japin fitoren Rusisë

Rusët që do të bëhen pjesë e këtij mobilizim do të përballen me një armik shumë të motivuar, shumë të armatosur dhe tejet inovativ në taktikat që përdor. Lufta personale e Putinit vazhdon dhe shumë nga këta 300.000 shpirtra rusësh të ngratë – ka të ngjarë të paguajnë koston përfundimtare për marrëzinë e tij

 

Nga James STAVRIDIS

Gjatë një fjalimi të shkurtër por sfidues mbrëmjes e së martës, presidenti rus Vladimir Putin njoftoi përshkallëzimin e luftës në Ukrainë nëpërmjet shpalljes së një mobilizimi të përgjithshëm të pjesshëm të trupave në rezervë. Në aspektin politik, ai njoftoi mbajtjen këtë javë të një serie referendumesh për bashkimin me Rusinë të territoreve aktualisht të pushtuara në Ukrainën Lindore. Në aspektin ushtarak, ai përsëriti kërcënimet e mëparshme jo aq të tërthorta për përdorimin e armëve bërthamore, dhe njoftoi mobilizimin e 300.000 rezervistëve, që do të përfshihen në atë që ai e quan ende “operacion special ushtarak”. Të gjitha këto lëvizje ngjajnë dukshëm të nxitura nga dëshpërimi, dhe një përpjekje për të treguar të kundërtën e situatës aktuale në front. Vladimir Putini do që rusët të besojnë se gjithçka po shkon mirë, dhe se në fund ai do ta pushtojë të gjithë Ukrainën. Por ai e di se me rreth 80.000 trupa të vrarë apo të plagosur në rreth 6 gjashtë muaj luftë, ai po detyrohet të përfshijë më shumë ushtarë në luftë.

Advertisements

Referendumet janë kryesisht të pakuptimta, me rezultate të paracaktuara, të cilat nuk do t’i marrë seriozisht asnjë vëzhgues i mirë-informuar dhe as Kombet e Bashkuara. Kërcënimi bërthamor është një përsëritje e sjelljes në panik të Putinit që në fillim të luftës.

Ka shumë pak gjasa që ai të përdorë një armë bërthamore taktike me rreze të vogël veprimi. Kjo duke pasur parasysh kërcënimin e dukshëm të fillimit të Luftës së Tretë Botërore, por edhe dëmin e madh që do t’i shkaktonte ky akt përpjekjeve të tij për të mbajtur marrëdhënie neutrale me Perëndimin Brazilin, Indinë, Nigerinë, Afrikën e Jugut dhe vende të tjera të mëdha. Por mobilizimi i 300.000 trupave të tjerë, ia vlen të shqyrtohet si një çështje e analizës ushtarake. Çfarë nënkupton ky vendim për gjendjen e luftës dhe si duhet të reagojë Perëndimi? Kur isha komandanti suprem i trupave të NATO-s, kam qenë i pranishëm në stërvitjet e shumë trupa rezerviste, përfshirë ato të 3 vendeve jo-anëtare të NATO-s me sisteme të jashtëzakonshme: Finlanda, Izraeli dhe Zvicra. (Finlanda është aktualisht në mesin e procesit të anëtarësimit në NATO.) Finlanda dhe Izraeli janë kombe të vogla me një histori të pushtimit nga fqinjët e tyre. Rusia në rastin e të parës, dhe vende të ndryshme arabe për këtë të fundit. Që të dyja kanë në fuqi  rekrutimin e përgjithshëm (vetëm meshkuj për Finlandën, të dyja gjinitë për Izraelin).

Për këtë arsye ata kanë një forcë rezervë shumë të organizuar, të motivuar dhe tejet të mirë-pajisur. Unë kam pasur një respekt shumë të madh për aftësitë e tyre. Një vend tjetër me rezerva shumë cilësore është Zvicra neutrale. Tradita ushtarake në këtë vend është shumë e respektuar dhe e gërshetuar në kulturën zvicerane, nga pilotët luftarakë të mirë trajnuar, deri tek trupat që lëvizin me biçikleta garash.

Sa herë që fluturoja mbi Zvicër me avionët e NATO-s, shihja me admirim majtas dhe djathtas pilotët zviceranë që me avionët  e tyre të nivelit të lartë na shoqëronin gjatë kalimit mbi vendin e tyre. Ndërkohë, sistemi rus i rezervistëve nuk vlerësohet shumë nga analistët e huaj. Ai bazohet tek praktika e vjetër e rekrutimit universal, ndërsa historitë e dhunës, keqtrajtimit dhe urisë janë legjendare. Po ashtu, ai është një sistem shumë i korruptuar. Kur ushtarët dalin nga ushtria – pas luftërave brutale në Afganistan, Çeçeni dhe Siri – ata duan t’i rrinë sa më larg që munden. Pasi lirohen nga shërbimi, ish-ushtarët përgjohen vazhdimisht nga shteti rus. Në kontrast me ushtritë moderne perëndimore, duket se ajo ruse ka shumë pak trajnime sistematike, nuk ka mirëmbajtje apo operacione të organizuara të pajisjeve, dhe nuk ka një lidhje të fortë midis njësive ajrore dhe atyre të këmbësorisë.

Ndërsa ka disa njësi rezervë që janë modeluar sipas sistemit amerikan, ato janë të vogla dhe të pambështetura në mënyrën e duhur nga njësitë e tjera më të mëdha. Urdhri i mobilizimit i cakton përgjegjësinë e rekrutimin guvernatorëve të rajoneve ruse, sipas një sistemi kuotash të vendosura nga Ministria ruse e Mbrojtjes.

Kjo tregon se nuk ka asnjë trupë rezervistësh të madhe dhe të strukturuar, së cilës mund t’i drejtohet për mbështetje ushtria aktuale ruse. Për më tepër, dekreti lejon rekrutime të mëtejshme dhe ofron shpërblime për ata që dalin vullnetarë, njëlloj si stimujt që ofrohen për të dënuarit në burgjet ruse që të shkojnë dhe luftojnë në Ukrainë. Do të jetë një detyrë administrative shumë sfiduese sigurimi i uniformave dhe trajnimit për 300.000 trupa, gjetja e drejtuesve të kualifikuar në gradën e oficerit, sigurimi i pajisjeve efektive për ta, dhe integrimin e tyre me rrjetet e komunikimit dhe logjistikës. Për më tepër, do të kalojnë jo pak muaj para se një numër i konsiderueshëm të mund të angazhohet në beteja. Atëherë ata do të bëhen thuajse me siguri “mish për top”, dhe do të masakrohen nga artileria shumë e fuqishme e Ukrainës, e ndihmuar shumë nga ndihma e Perëndimit. Duke e ditur se mund të përballen me një forcë shumë më të madhe, ukrainasit do të përgatisin kundërpërgjigjet e tyre.

Ata do të kërkojnë (dhe ndoshta do të marrin nga Perëndimi) sisteme që mund të pengojnë avancimin e një numri të madh ushtarësh këmbësorë. Avionë sulmues, tanke dhe artileri, mitralozë të montuar në blinda, mortaja me saktësi të lartë dhe raketa tokë-tokë me rreze të gjatë veprimi.

Rusët që do të bëhen pjesë e këtij mobilizim do të përballen me një armik shumë të motivuar, shumë të armatosur dhe tejet inovativ në taktikat që përdor. Lufta personale e Putinit vazhdon dhe shumë nga këta 300.000 shpirtra rusësh të ngratë – ka të ngjarë të paguajnë koston përfundimtare për marrëzinë e tij.

(James Stavridis, admiral në pension i Marinës së SHBA-së, ish-komandant suprem i trupave të NATO-s. Aktualisht dekan në Shkollën e Drejtësisë dhe Diplomacisë në Universitetin Tafts, SHBA)