Iluzionet e një entuziasti

17

Frika fillestare e mikut tim më ka ndezur alarmin për t’a shkruar këtë copëz teksti, sa për të nxitur ndër ne entuziazmin e shpëtimit të asaj që e nisëm e që duhet zhvilluar, jo konservuar përbrenda latencës të të rastësishmit/rastësishmes, por shndërruar në sistem vlerash! A e dini të nderuar miq e mikesha se njeriu i adaptohet edhe latencës ….dhe prandaj dikur e humb kuptimin mbi veten?

Nga Adelina MARKU

“E vërteta është se këtyre ditëve i gëzojmë të drejtat, por kam frikë se nuk kemi resurse e kapacitete t’i përmbushim e përballojmë qëllimet e tyre…”- ishte ky një vëzhgim i një mikut tim që më provokoi mendimin dhe pash veten se shumë shpejt ia pranova si të qenë gjykimin e bërë. Sado nuk më ofroi statistika, sado nuk iu referuam të dhënave empirike, na mjaftoi të numërojmë pes- gjashtë aktivitete që na prinin e për të cilat menduam se jo mjaftueshëm kishim njerëz për t’I përmbushur kërkesat e projekteve me rrëndësi kapitale për zhvillimin tonë identitar , ekonomik e kulturor. Ky vëzhgim i tij më hapi edhe dilemën mbi çështjen nëse ikën më të mirët dhe mbetëm më të dobëtit këtyre anëve ? Për më keq, mendimi m’u errësua edhe më shumë kur shqetësimit të tij ia shtova edhe dilemën nëse ne që mbetëm këtyre anëve bënim pjesë tek të dobëtit ose tek entuziastët? Paj edhe sikur të grupoja veten tek entuziastët, përsëri e ardhmja sot jo mjaftueshëm përmbushet nga ne që mbetëm të besojmë e shpresojmë në transformimet e shoqërisë, e cila padyshim ka marrë një kontekst tjetër.

Çka përbën e çka përmbajmë sot ne?

Në kujtesën time fëmijërore flitej shumë për një entuziazëm që kishte emërues të përbashkët një narativ : kauzë kombëtare i thoshin ! Ky narativ shumicës nga gjenerata jonë i dha shumë fuqi dhe e mbushi energji! Ndërsa sot, narativi kauzë kombëtare është shpërbërë, është bombarduar atomi i tij ndaj është copëzuar në iniciativa individuale më shumë, se sa iniciativa që do përmbushnin një linjë në të cilën do përmblidhej energjia e atomit fillestar! Por si do e kuptonim në rastin konkret kauzën kombëtare këtej nga ne , por edhe në mbarë nënqiellin ku jetojmë ? Unë sot këtë kauzë e kuptoj në emër të zhvillimit e strukturimit drejt një sistemi stabil e qenësor, në emër të asaj që ka të bëjë me ngulmimin drejt misionit fillestar më shumë e jo vetëm themelimin e një iniciative ose organizimi. Ikja nga organika e idesë fillestare shpesh sjell asimilimin dhe indokrtrinimin e saj. Sa është cilësore kjo gjendje e ky kontekst i ri në të cilin e vektorizojmë entuziazmin e dikurshëm ? Sa përmbushës është detyrimeve ndaj vetes e fëmijëve tanë ? E nëse nga lartë vëzhgojmë , universitetet që nuk i kishim – tani i kemi: ekonominë që nuk e përçiknim- tani e prekim; udhëheqësit e institucioneve që nuk i kishim- tani I kemi, gratë në garë që nuk i kishim – tani i kemi, institucionet që nuk i krijonim dot – tani i kemi me bollëk madje . At’hëre çka mungoka , përse përsëri nihilizëm ndër ne?

Entuziastët e djeshit sot ende janë gjallë, nuk jemi të rinj më, prindërit që pjellën entuziazmin ndër ne tani janë të ndjerë , ndërsa entuziazmi ynë sot ka marrë kontura mosbesimi në misionin e vizionin e fileve të veta. A nuk ngulmuam mjaftueshëm ? Nuk do kisha thënë …por e vërteta ime flet se entuziazmin sot nuk e ndjejmë qenësisht ngase faza në të cilën mbijetojmë quhet qenie latente! Në latencë, entuziasti zhytet! Latencën e mbajnë gjallë të rastësishmit pa entuziazëm në inde mendimi e veprimi, por të gjithë ata që kanë guxuar më shumë se entuziasti qenësor. Sa i bën mirë shoqërisë guximi i të rastësishmit/rastësishmes apo trashëgimia e strategjia e entuziastit? Kjo dilemë më çon të mendoj se latenca nuk e strukturon shoqërinë së larti, por atë e shtrin së gjëri, e bën dembele dhe jokërkonjëse para organikës së vetë. E pikërisht në këtë fazë jemi ne shqiptarët këtej, prandaj gjykimi i mikut në fillim teksti më dyndi shqetësimin e flejtur aq gjatë kohë! Latenca në ne depërtoi si pasojë, e jo si rezultat, jo si strategji fituese, por si pasojë e partizimit të madh të shoqërisë ku jetojmë, populizmit që e zëvendësoi zhvillimin dhe mungesës së dijenisë tek individi që udhëheq me projektin – padyshim . Nuk do leja pa numëruar këtu edhe faktorin e rëndësishëm që e ndalon ngulmimin e entuziastit e që saças ky zëvendësohet nga guximi i të rastësishmit/rastësishmes. Guximi i të rastësishmit në udhëheqje të institucioneve dhe në bërje politikë sot vlerësohet më shumë se mosha/pjekuria e enthuzjastit. Gjërat për ti ndjerë me kriticizëm duhen thënë hapur. Bile, do kisha shkuar edhe më ashpër, entuziasti sot është i dobëti dhe i panevojshmi ngase ai /ajo nuk e pranon klientelizmin si forcë shtytëse të shoqërisë, atë që për motiv e shpall i rastësishmi! Kështu sot të nderuar/a, prodhojmë liderë të latencës shoqërore! Në gjendje latente , njeriu humb kuptimin ekzistencialist!

Gëte, filozofi I madh me gjasë shqetësimin tim sot e ka analizuar edhe në kohën e kontekstin kur ka jetuar vetë, për të gjykuar si vijon: “në sferën e ideve çdo gjë varet nga entuziazmi ndërsa në realitet çdo gjë varet nga ngulmimi!” Entuziastin e frymëzojnë idetë e veta të mëdha, idetë për idealin e të parëve e si rezultat vizioni për të ardhmen e fëmijëve ! Entuziasti në këtë kontekst më del romantik, emocional dhe me shumë analiza para marrjes së përgjegjësisë, ndërsa realisti i sodit është i rastësishëm/e rastësishme, ndërsa del i/e guximshëm/shme sepse beson në forcën e jo fuqinë e grupit që i qëndron pas! Fuqinë e jep entuziazmi, forcën- latenca! Grupi pas të rastësishmit/rastësishmes që udhëheq është partia e jo ideja! Le t’ju la të nderuar lexues /e me dilemën hapur nëse partitë tona sot kanë enthuzjazmin për forcë shtytëse ose vazhdimësinë e latencës? Dhe ndërsa entuziazmi është një gjendje virale, kronike, e përhershme e tek këtyre ditëve nuk e shoh, ndjej e dëgjoj- kam drojën se ai u përmbys para syve tanë sa për të mbajtur vazhdimësinë latente politike gjallë e jo idenë enthuzjaste për zhvillim, strukturim e sistem stabil! E ndërsa një garë radhe politike është para nesh, shumë pak enthuzjastë shoh t’i kapen, ngjiten e besojnë asaj…prandaj, konteksti i ri paszgjedhor do barazohet përsëri me latencën politike. Frika fillestare e mikut tim më ka ndezur alarmin për t’a shkruar këtë copëz teksti, sa për të nxitur ndër ne entuziazmin e shpëtimit të asaj që e nisëm e që duhet zhvilluar, jo konservuar përbrenda latencës të të rastësishmit/rastësishmes, por shndërruar në sistem vlerash! A e dini të nderuar miq e mikesha se njeriu i adaptohet edhe latencës ….dhe prandaj dikur e humb kuptimin mbi veten? Quhet akulturim kjo gjendje …! Është pasojë e atij atomi të denatyruar më herët!

(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës KOHA) 

Comments are closed.