Ka lindur në vitin 2005 në Hamburg të Gjermanisë por me prejardhje nga Tetova, më saktësisht babain nga fshati Brodec i Tetovës dhe nënën nga Prizreni i Kosovës. Ilir Sherifi (15 vjeç), një talent i madh në futboll që së shpejti pritet të dëgjohet me të madhe në këtë fushë sporti për të, vjen në një intervistë për InfraRed të gazetës KOHA ku tregon fillimet në këtë sport, ëndrrën për t’u bërë yll botërorë dhe gjitha sakrificat që është duke i kaluar. Po si i lindi “dashuria” e tij për futbollin? Këtë e sqaron e ëma e tij në këtë intervistë
Bisedoi: Blerand REXHEPI
“Unë s’mund ta harroj këtë asnjëherë, më kujtohet sikur të ishte dje. Si kisha mbushur ende 2 vjet të plota. Një ditë dola me Ilirin për të blerë diçka dhe ai filloj të qante dhe tregoj me gisht se e donte një top të kaltërt (1 euro). Prej asaj dite ai donte të luajë veç me top pa pushim gjithë ditën. (Te lojërat e tij të tjera ai nuk kishte interes veç për 5 minuta luante ai me ato. Iliri provonte disa gjëja me top të bëj dhe gjuajtje nëpër banesë. As na të familjes po as fqinjët nuk kishin pushim nga topi i tij. Në fillim se dinim se çka provonte të bëj me këmbën e tij, po tash e dimë se ka provu ndonjë trik të bëj me top. Ai donte të luajë edhe me ne një nga një me radhë dhe prapë prej fillimi.
Shumë herë edhe i kemi bërtitur Ilirit të bëj pak pushim me topin se na çmendi, po vetëm qante edhe donte të luajë me top. Babai e dërgoj Ilirin një ditë te një klub afër ku kemi banuar në Hamburg. Aty më të vegjlit fëmijë që luanin futboll ishin dy vjet më të mëdhenj se Iliri. Trajneri i klubit i tha se është shumë i vogël për të luajtur në atë grup dhe grupe të tjera s’ka më të vogla. Ju lutëm trajnerit të shohë veç një herë duke luajtur, se në shtëpi na nxori mendjen. Pasi bëri trajnimin Iliri na tregoi trajneri se dëshironte të mbajë në grup që të luajë, ndërkohë që trajnimet në Gjermani fillojnë nga mosha 5 vjeçare”, kështu e tregon rrëfimin e saj e ëma e Ilirit.
KOHA: Në familjen tënde, ka patur të tjerë që janë marrë me futboll?
Shumë herë më kanë pyetur edhe të tjerët se nga unë pëlqej futbollin por jo, nuk kam as në familje por edhe më larg dike që të luajë futboll.
KOHA: Na fol pak për ecurinë tënde në futboll…
Kam luajtur në HSV edhe FC.St.Pauli, te të dy klubet e forta që ka Hamburgi dhe aty filloi karriera ime. 2017 – 2019 shkova në Barcelonë ku kam shqyrtuar disa oferta për të luajtur atje. Tash luaj në VfB Lübeck U 17 dhe U 19. Këtu luaj pa kontratë, që të kem të drejtë kur t’i mbush 16 vjet që më pas menaxheri im të ketë të drejtë që të nënshkruajë në emrin tim kontratë në ndonjë klub spanjoll apo Italian. FIFA lejon lojtarë nga 16 vjet që të luajnë në ndonjë vend tjetër.
KOHA: Çfarë do të veçoje nga eksperienca jote e deritanishme?
Kam mbledhur shumë provojë nëpër lojërat e klubeve të ndryshme në Gjermani, Spanjë dhe në Shqipëri. Kam pasur momente që nuk janë shumë të lehta, po më e rëndësishmja është megjithatë që të kesh diçka për të dhënë dhe thënë në të ardhmen.
KOHA: Çfarë synon në të ardhmen në karrierë?
Unë do të jap gjithçka për të arritur këtë objektiv dhe të bëhem futbollist me nam.
KOHA: A mendoni se karriera jote e deritanishme ka ecur ashtu siç e kishe ëndërruar më parë?
Rruga për të arritur një karrierë të lartë është shumë më e vështirë se që e kam menduar, por unë kam pasur shumë përparim dhe shumë sukses. FC. Barcelona është një klub me mënyra që luajnë “Tiki Taka” që e preferoj unë këtë klub. Për këtë dëshiroja gjithmonë që të luajë unë atje dhe dëshira ime u plotësua.
KOHA: Po për Kombëtaren shqiptare, ç’mendim ke në përgjithësi?
Shqiptarët janë shumë të suksesshëm dhe krenar si njerëz dhe unë jam shumë krenarë që i kam prindërit shqiptarë dhe që në venat e mia rrjedh gjak shqiptari. Jam rritur në Gjermani dhe jam i gëzuar që di këtë gjuhë që të kuptohem dhe të bisedoj me shqiptarët, madje dhe emrin e kam Ilir.
KOHA: Cila është problematika që të ka “bezdisur” më shumë gjatë karrierës tënde?
Unë jam shumë ambicioz, kështu që nuk e kam aspak problem këtë pjesë.
KOHA: Po ndonjë moment që do ta veçoje në aspektin pozitiv?
Për dy vite që kam qenë në Spanjë ka qenë shumë keq për familjen, sepse babi është dashur të qëndronte në Hamburg dhe për mua ka qenë shumë e mërzitshme kur përshëndetesha me babin sa herë vinte të më vizitojë nga Hamburgu. Kur i bëra trajnimet “Tryouts” dhe “Final tryouts” te FC Barca Escola ishte shumë e vështirë, sepse doja që t’i bëj të gjitha në mënyrë perfekte dhe të qëndroj në grupin e fundit në “Final Tryouts” dhe t’i fitoj deri në fund. Më është dashur shumë kohë që të motivohem për këtë arsye, por megjithatë ngela deri në fund dhe arrita të dal fitues bashkë me ekipin prej 11 futbollistëve.
KOHA: Ku e shikon veten pas 10 vjetësh?
Shumë njerëz janë kundër ëndrrës time pasi mendojnë se Iliri në të ardhmen nuk do të bëhet futbollist duke më thënë gjëra negative në fytyrë, por jam mësuar me këto gjëra ndërkohë që motivoj vetveten që do të bëhem më i miri në futboll.