Ndonëse intervistat e tij janë të pakta dhe daljet tek publiku i ka transferuar vetëm përmes këngëve, legjenda dhe mbreti i muzikës shqipe – Ilir Shaqiri vjen në një rrëfim ndryshe për InfraRed të gazetës KOHA në edicionin special të fundvitit. Të përshkruash biografinë e tij është shumë e vështirë, sepse ngërthen në vete një jetë të tërë, një jetëpërshkrim që nuk ka fund derisa emri i tij do të mbetet në historinë e kombit shqiptarë
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Duke ju falënderuar për intervistën, fillimisht na lejoni t’ju urojmë suksese për gjithë këto këngë e hite që na keni sjellë deri më sot! Sa kanë rëndësi kanë klikimet e klipeve sot? A janë ato dëshmi e suksesit të një kënge/klipi apo matës i gabuar i famës së një këngëtari?
Sot ekzistojnë mundësi të mëdha komunikimi, mundësi të mëdha për të parë, mundësi të mëdha për të dëgjuar dhe për të mësuar së çfarë po ndodhë nëpër botë në të gjitha fushat dhe veprimtaritë e jetës, përmes platformave elektronike të përhapura gjithandej. Muzika dhe video-klipet, gjithashtu janë pjesë e këtyre platformave, tashmë të domosdoshme për publikun e gjerë. Njerëzit klikojnë nga kureshtja, klikojnë nga dëshira për të shikuar krijime të reja dhe riklikojnë ato të cilat u pëlqejnë më shumë. Siç dihet, artet gjithmonë gjejnë publikun e tyre dhe atë në kohë e hapësirë të ndryshme. Artet matën me vlerat që përmbajnë ato, me vlerat që përçojnë ato në shoqëri, gjithmonë misionare të së bukurës njerëzore. Pra, veprat artistike të cilat u rezistojnë kohëve janë vepra të suksesshme dhe si të tilla ato u shërbejnë njerëzve për të kujtuar dhe për t’i mësuar brezat në vazhdim për periudhat e rëndësishme në të cilat janë krijuar ato.
KOHA: Tingëllon i çuditshëm fakti pse këngëtaret nuk realizojnë koncerte të mëdha nëpër kryeqendrat shqiptare si Tiranë, Prishtinë apo Shkup. Nëse një shumice prej tyre u mungon vokali, kjo, për fat të mirë, nuk mund të thuhet për Ju. A mund të thoni pse nuk ju kemi parë me një koncert të madh dhe nëse rastësisht keni në plan një të tillë?
Në vjeshtën e këtij viti bashkë me Ansamblin Kombëtar “SHOTA” dhe kantautorin arbëresh Zef Kakoca, kemi mbajtur koncerte për vëllezërit tanë në Sicili dhe Kalabri. Me datën 21 dhe 23 nëntor të këtij viti kam mbajtur dy koncerte mjaft mbresëlënëse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa sa i përket koncerteve të mëdha në Shkup, Prishtinë e Tiranë, kjo varet shumë nga organizatorët e këtyre ngjarjeve kulturore, varet nga përkushtimi i tyre për të sjell në skenë koncerte të përgatitura me nivele të larta artistike.
KOHA: Në tërë këto vite karrierë, keni dhënë shumë intervista për mediat e shkruara dhe elektronike, por gjithmonë jeni rezervuar dhe nuk keni ekspozuar aspak jetën private derisa shumica duan vëmendje në këtë drejtim, pse kjo zgjedhje?
Mendoj që është i mjaftueshëm për njerëzit, arti që bëjë. Jeta ime është nëpër këngë dhe më shumë se kaq nëpër libra! Publiku i kultivuar gjithmonë kërkon t’i dijë gjerat e rëndësishme: krijimet e reja në muzikë dhe letërsi. Vetë fjala “privatësi” na e shpjegon kuptimin themelor të saj.
KOHA: Sa ju ka ndihmuar profesioni që të menaxhoni situatat e vështira në jetën tuaj dhe në karrierë?
Profesioni, më shumë më ka penguar sesa ndihmuar në menaxhimin e situatave gati të pakapërcyeshme kur Kosova kishte plagë. Gjithashtu profesioni më ka ndihmuar që të mbijetojë kohën e vështirë që nga viti 1981 e deri në çlirim.
KOHA: Çfarë u thoni zakonisht njerëzve që kanë nevojë për fjalën tuaj?
Merruni me gjëra të rëndësishme, sepse nëse merreni me të parëndësishmet nuk do të keni kohë për të rëndësishmet!
KOHA: Nëse do të krijohej mundësia që t’i bënit Zotit një pyetje, cila do të ishte ajo?
Kur do të bëhet Shqipëria e bashkuar, natyrale, ajo që e duan të gjithë shqiptarët?
KOHA: Cili është mësimi më i mirë që keni marrë gjatë jetës?
Kam mësuar të dëgjojë, vëmendshëm!
KOHA: A e ndieni veten të privilegjuar?
Po, nga Zoti dhe nga kombi ynë i mrekullueshëm!
KOHA: Në rrjetet sociale ka foto të ndryshme nga pushime e vizita që keni bërë, i shoqëruar nga familja në vende të ndryshme por edhe në koncerte me kolegë. Pavarësisht nga qëllimi i udhëtimit, a ju ndodh që kur hyni në shtëpi, ta thoni me zë thënien e famshme “Home sweet home”?
Patjetër! Lidhja metafizike e njeriut me shtëpinë, me vendlindjen, është një ndër mrekullitë e botës! Aty çdo qelizë merr frymë ndryshe dhe mbushet energji për punët e reja, për udhët e reja.
KOHA: Ku jeni duke jetuar aktualisht dhe çfarë duhet të ketë patjetër në ambientin tuaj familjar – lule, ndriçim, luks apo ambient të ngrohtë, në kuptimin e mobilimit të shtëpisë?
Që nga viti 1991, jetoj në Prishtinë. Më shumë se gjithçka në shtëpi dua dritë, ngrohtësi dhe natyrisht objekte të thjeshta të domosdoshme!
KOHA: Jeni bërë për të disatën herë gjysh, si është kjo ndjenjë?
E kanë thënë të moçmit: duhet ta provosh që ta besosh! Një bukuri dhe një dashuri e pa përshkruar, që të falë jeta!
KOHA: Çfarë raporte keni me familjen tuaj më të gjerë? A mblidheni shpesh për kafe/çaj apo edhe dreka, muhabet…?
Të lidhur sikur mishi e thoi! Nuk bëjmë dot pa njëri tjetrin!
KOHA: Cila është marrëdhënia juaj me gatimin?
Edhe ato pak gjëra që kam ditur t’i bëjë, ka kohë që i kam harruar.
KOHA: Po ajo me gjumin?
Vazhdoj me orarin e dekadave më parë; fle në orën 1 pasmesnate dhe atë sapo ta qes kokën në jastëk.
KOHA: Cilat janë planet tuaja për vitin që vjen pas dhe urimi për këtë fundvit?
Punë, punë, punë dhe vetëm punë! Njerëzve të mirë të këtij nënqielli ju uroj shëndet, punë, mbarësi dhe suksese të larta në çdo veprimtari! Ta përkrahim njëri tjetrin në të mirën e përgjithshme!