Korçë, 27 dhjetor – Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta dekoroi sot shkrimtarin e shquar Sterjo Spasse pas vdekjes me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.
Dekorata u dha gjatë simpoziumit shkencor kushtuar “Jetës dhe veprës letrare të Sterjo Spasses”, që u zhvillua në Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës në bashkëpunim me Shoqatën Maqedonase “SONCE”.
“Me shumë kënaqësi e pranova ftesën për të marrë pjesë në këtë simpozium, që vlerëson dhe nderon jetën dhe veprën e intelektualit dhe shkrimtarit të madh Sterjo Spasse dhe i përgëzoj sinqerisht dy institucionet organizatore, Universitetin ‘Fan S. Noli’ dhe shoqatën maqedonase ‘SONCE’”, tha Meta në fjalimin e tij.
Romani i tij i famshëm “PSE” paralajmëroi krijimin e një letërsie moderne në Shqipëri ndërsa kauza e madhe nëpërmjet kësaj vepre të jashtëzakonshme mbetet preludi i subjektit të çlirimit shoqëror me romanin “Ata nuk ishin vetëm”.
“Si bir i shquar i komuniteti maqedonas, Sterjo Spasse u bë frymëzimi dhe ura lidhëse shpirtërore e bashkëpunimit të shqiptarëve dhe maqedonasve .Jeta, aktiviteti dhe vepra e këtij personaliteti të veçantë dhe të shquar është simbioza e përsosur dhe harmonike brenda një njeriu të të dy shoqërive apo popujve në dobi të harmonisë dhe dashurisë. E përjetshme vepra e tij! Sterjo Spasse do të mbetet gjithmonë një dhe i pandarë!”, vlerësoi Meta.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Rektori i Universitetit “Fan.S.Noli” në Korçë, Ali Jashari, Kryetari i Shoqatës Vasil Sterjovski, Ministri i Maqedonisë për Marrëdhëniet me Diasporën Edmond Ademi, Kryetari i Komunës së Pustecit Edmond Themelko, përfaqësues diplomatikë, profesorë dhe pedagogë, kritikë letrarë, studiues nga Shqipëria dhe Maqedonia.