“Gazetat që janë këtu, datojnë që nga vitet e shtatëdhjeta, ka materiale, dokumente, libra historik për shqiptarët e Turqisë, shqiptarët e Preshevës, e gjithë historia e popullit shqiptar gjendet këtu, si në kaseta të filmuara, si në libra dhe gazeta”, thotë koleksionisti Ilaz Kamberi
Urim HASIPI
Tetovë, 6 maj – Një mërgimtar në pension nga Shipkovica e Tetovës, adhurues i madh i librit, artefakteve, shtypit ditor, dokumenteve të vjetra, ruan në shtëpinë e tij mbi pesë mijë libra, shumë revista e gazeta, mjete pune, veshmbathje dhe vlera të tjera nga trashëgimia jonë shpirtërore e kulturore, të cilat rrëfen se i ka koleksionuar që nga vitet e gjashtëdhjeta dhe shtatëdhjeta të ish sistemit të atyre viteve dhe që paraqesin një pasuri kombëtare me vlerë të madhe, shkruan gazeta KOHA. Në shtëpinë e tij, që e ka shndërruar në një muze, gjenden shumë ekzemplarë të gazetës Rilindja, Drita, Shqipëria, Koha Jonë, Zëri i Kosovës, dhe shumë e shumë gazeta të tjera shqiptare dhe të huaja. Koleksionimin e librave, gazetave, artefakteve dhe gjësendeve të tjera me vlerë Ilaz Kamberi e ka filluar në Gjermani, në kohën kur ka qenë i përndjekur nga ish sistemi komunist, kur për 13 vite nuk pati mundësi të kthehej në vendlindje.
“Pasurinë shpirtërore e kulturore të popullit tim e ruajta me fanatizëm në periudhën e ish sistemit komunist, por vërshimet që ndodhën disa vite më parë, të cilat morën edhe jetë njerëzish, për pasojë kanë shkatërruar disa mijëra libra, të cilat i ruaja në shtëpinë time”, rrëfen koleksionisti Ilaz Kamberi.
“Gazetat që janë këtu, datojnë që nga vitet e shtatëdhjeta , ka materiale, dokumente, libra historik për shqiptarët e Turqisë, shqiptarët e Preshevës, e gjithë historia e popullit shqiptar gjendet këtu, si në kaseta të filmuara, si në libra dhe gazeta. Kur në Shqipëri ndodhi kalimi prej një sistemi në një sistem tjetër, atëherë shteti shqiptar shumë artefakte, libra të ish sistemi vendosi që t’i zhdukte dhe pikërisht atëherë unë vendosa që disa ti blej për t’i shpëtuar. Edhe gazeta, libra të Kosovës, kur hapej panairi i librit në Frankfurt të Gjermanisë unë kam bashkëpunuar me ato dhe kam siguruar shumë materiale. Këto materiale i kam siguruar nga Kosova, nga Shqipëria gjatë shëtitjeve që kam realizuar atje dhe çka më ka rënë në dorë unë e kam marrë me vete duke mos llogaritur aspak shpenzimet. Përveç librave, këtu ka edhe dokumente të historisë së popullit shqiptar nga të gjitha trojet, këtu gjenden libra, dokumente, të cilat ende nuk jam ekspozuar askund, që edhe unë vet ende nuk i kam parë, nuk i kam shfletuar për të parë se çfarë ngërthejnë në përmbajtjen e tyre”, tha Kamberi, koleksionist nga Shipkovica e Tetovës. Ëndrra e tij është që një ditë të mund të ngrihet një muze ku ta gjithë librat, ekzemplaret e gazetave, dokumentet e vjetra, artefaktet të sistemohen në një vend të sigurt, me qëllim që të ruhen dhe të ekspozohen për publikun e gjerë.
“Unë kam një porosi, një apel për të gjithë intelektualët shqiptar për gjithë popullin shqiptar që edhe ata të kontribuojnë, që këto libra, dokumente, artefakte, gazeta e gjësende të vjetra që janë një pasuri e madhe e kombit tonë, të sistemohen në një vend të sigurt, me qëllim që të rruhen dhe të ekspozohen edhe për gjeneratat e ardhshme. Prej në vitet e gjashtëdhjeta, kur unë kam qenë në klasën e pestë të shkollës fillore, kam filluar që të grumbulloj materiale nga më të ndryshmet, çfarë më ka ra në dorë. Këtu ka materiale nga Çamëria, nga Shqipëria, nga Kosova , Lugina e Preshevës. Një pjesë të librave dhe artefakteve i kam në Hamburg të Gjermanisë, atje ku kam punuar dhe vepruar, ndërsa një pjesë tjetër i kam në Shipkovicë, në një bibliotekë personale, mirëpo kur ishin vërshimet, një pjesë e librave ku janë mbi pesë mijë, janë prishur, tani unë kam dëshirë që këtë muzeun këtu ta zmadhoj hapësirën që të mundem t’i sjell edhe materialet tjera që i kam në Hamburg, por edhe ato librat që i ruaj në shtëpi dhe këtë ta shndërrojmë në një muze të vërtetë, sepse këtu vërtetë kam shumë gjëra historike që dikush ende nuk i ka parë”, thotë ai. Mërgimtari Ilaz Kamberi ka koleksionuar dhe ka ekspozuar në muzeun e tij në Shipkovicë edhe fotografitë e heronjve shqiptarë, fotografi të viktimave të popullit tonë, që kanë pësuar nga luftërat e ndryshme. (koha.mk)