Sipas të dhënave, 30 për qind e të rinjve të anketuar besojnë se nuk kanë mundësi të mjaftueshme për zhvillim në vend. Një e treta e të anketuarve janë përgjigjur se kanë dëshirë të zhvillojnë biznesin e tyre, por se nuk kanë mundësi të mjaftueshme për të. Gjithashtu 24.4 për qind e të anketuarve do të kërkonin punë jashtë vendit dhe vetëm 23.3 për qind e të rinjve duan të punojnë në sektorin privat
Zenel MIFTARI
Shkup, 30 gusht – Ballkani dhe Maqedonia me vite shënojnë shkalla të larta të shpërnguljes masovike të popullatës. Kjo ikje është edhe më e shprehur tek të rinjtë ku vetëm në 10-11 vitet e fundit është zvogëluar edhe numri I maturantëve për 40 për qind. Në kërkim të jetesës më të mirë dhe pagave më të larta, të rinjve ikin rruga pa kthim. Edhe sondazhet e ndryshme tregojnë se një përqindje e madhe e të rinjve kanë prirje dhe dëshirë për ikur jashtë shtetit. Çdo i treti i ri dëshiron të largohet nga vendi tregon hulumtimi i Agjencisë për Rini dhe Sport. Gjithnjë sipas sondazhit, dy të tretat e të rinjve mezi presin një shans për t’u larguar sepse janë të pakënaqur me arsimin, nuk shohin mundësi për zhvillim dhe janë pesimistë për hapjen e biznesit të tyre. Ata thjesht e shohin rrugëdaljen për një jetë dinjitoze përtej kufijve të vendit.
Sipas të dhënave, 30 për qind e të rinjve të anketuar besojnë se nuk kanë mundësi të mjaftueshme për zhvillim në vend. Një e treta e të anketuarve janë përgjigjur se kanë dëshirë të zhvillojnë biznesin e tyre, por se nuk kanë mundësi të mjaftueshme për të. Gjithashtu 24.4 për qind e të anketuarve do të kërkonin punë jashtë vendit dhe vetëm 23.3 për qind e të rinjve duan të punojnë në sektorin privat.
Edhe sondazhet e tjera konfirmojnë trendet negative të ikjes së të rinjve jashtë shtetit. 83 për qind e të rinjve nuk u besojnë institucioneve për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit dhe do të largoheshin për shkak të arsimit jocilësor, shkallës së lartë të papunësisë tek të rinjtë dhe të ardhurave të ulëta.
Mbi gjysma apo 58 për qind e të rinjve do të largoheshin nga vendi, ndërsa 64.8 për qind e të rinjve janë të pakënaqur me jetën në vend, tregojnë të dhënat e Hulumtimit të Fondacionit për demokraci të Vesti-minster.
Maqedonia në 10 vite ka humbur mbi 3 miliardë euro në rritjen e mundshme të ekonomisë , në rënien e konsumit dhe shpenzimet mbi arsimimin e tyre. Gjithashtu Fondacioni Vestminstar llogarit se vendet e Ballkanit Perëndimor humbasin për shkak të migrimit të të rinjve mbi 3 miliardë euro çdo vit në rritjen e mundshme të ekonomisë dhe në rënien e konsumit. Nëse kësaj shifre i shtohen shpenzimet mbi arsimimin e tyre,atëherë kostoja në total është rreth 5.5 miliardë euro në vit. Vetëm në Maqedoninë e Veriut për këto shkaqe llogaritet se po humbet mbi 300 milionë euro për çdo vit, thonë nga Fondacioni VestMinster. Drejtoresha e këtij institucioni Dona Kosturanova, lidhur me pyetjen se sa janë pagat vendimtare për mbajtjen e të rinjve në vend, thotë se hulumtimit i tyre nuk ka trajtuar këtë temë në mënyrë specifike, por megjithatë shton se kur i pyesim të rinjtë se cila është një nga çështjet e rëndësishme, ata tregojnë punësimin. “Përskaj vetë vendeve të punës, ndoshta janë të rëndësishme edhe shpërblimi që kanë, kushtet e punës, por edhe karakteristika të tjera që i bëjnë vendet e punës të qëndrueshme dhe tërheqëse për të rinjtë. Kur i pyesim të rinjtë se çfarë duan të përmirësojnë, mësojmë se përveç punës cilësore, përmirësimi i arsimit , infrastrukturës, kujdesit ndaj mjedisit, sportit dhe rekreacionit dhe tema të tjera që nuk janë me interes vetëm për të rinjtë por janë të rëndësishme për të gjithë”, thekson Kosturanova.
Së fundmi, edhe presidenti i shtetit ka shprehur brengosjen e tij për këtë çështje. Të gjithë e dimë arsyen e këtij eksodi. Të rinjtë e suksesshëm që shkojnë jashtë ndihen të tjetërsuar në vendin e tyre. Që nga pavarësia, të rinjtë janë margjinalizuar dhe reduktuar në marrës pasivë të politikave, thotë presidenti Stevo Pendarovski. “Energjia rinore shpesh keqpërdoret për qëllime dhe interesa të ngushta partiake. Çdo i dyti i ri nuk beson se vota e tij në zgjedhje do të sjellë ndryshim, gjithnjë e më pak të rinj besojnë se mund të avancojnë karrierën e tyre me përpjekje personale, sepse anëtarësimi në parti, lidhjet familjare dhe përkatësia etnike shpesh janë më të rëndësishme se dija dhe cilësia. Kjo hap një derë të gjerë për korrupsionin dhe çdo transaksion korruptues i parave dhe pushtetit vendos standarde të dyfishta, anulon barazinë para ligjit, shkatërron besimin tek institucionet dhe në fund zhvlerëson shtetin”, thekson Pendarovski.
Ndryshe, rezultatet e regjistrimit tregojnë një tendencë shumë të qartë të migrimit të të rinjve gjatë 20 viteve të fundit. Nga viti 2002 deri në vitin 2021, numri i përgjithshëm i të rinjve të moshës 15 deri në 29 vjeç është ulur me 150 mijë qytetarë. Një trend i tillë tregon se popullsia e vendit po plaket. Shqetësuese është edhe tendenca e njohur e largimit të të rinjve (ikja e trurit). Sipas regjistrimit të vitit 2021, rreth 100.000 qytetarë, të cilët në vitin 2002 ishin të moshës 15 deri në 29 vjeç, nuk jetojnë më në vend.
IKJA PËR NJË JETË MË TË MIRË
Ëndrra për një jetë më të mirë në perëndim për vite me radhë po zbraz Maqedoninë e Veriut. Analizat e ndryshme të institucioneve relevante ndërkombëtare tregojnë se në dekadat e fundit, nga vendlindja janë larguar ndërmjet 400 dhe 600 mijë njerëz. Raporti i vitit të kaluar i Bankës Botërore edhe një herë konfirmoi se nga vendi janë shpërngulur mbi 500 mijë qytetarë të pakënaqur me jetesën në vend. Në ndërkohë, edhe analizat e ndryshme si ajo e Qendrës për Hulumtimin dhe Krijimin e Politikave tregojnë se arsyeja kryesore që nxit të rinjtë të mendojnë për të larguar nga vendi është cilësia e dobët e jetës në Maqedoni. Si shkaqe kryesore për shpërnguljen e të rinjve, përskaj pakënaqësisë me cilësinë e jetesës, theksohen edhe pagat e ulëta dhe kushtet e këqija të punës, apo pakënaqësinë me ambientin e punës, pasiguria ekonomike dhe politike, vendi i punës joadekuat, diskriminimi, papunësia etj.
“Shkaqet kryesore për ikjen e kuadrit ndërlidhen me cilësinë e jetesës, mundësinë për zhvillimin e karrierës dhe kontekstin politik dhe ekonomik në shtet. Aspekti material dhe financiar që rrjedh nga punësimi është i rëndësishëm, por jo edhe përcaktues apo kryesor në raport me përshtypjen e përgjithshme për cilësinë e jetesës që përfshin edhe aspektet e tjera jo materiale si ndjenja e sigurisë, sistemit të vlerave shoqërore, plotësimit personal, qasjes dhe cilësisë së shërbimeve publike si administrata, arsimi apo shëndetësia etj”, thekson më tej analiza. Nga ana tjetër, ndër faktorët që do të duhej të përmirësohen me qëllim që të rinjtë të mendojnë të mos ikin jashtë shtetit apo të mendojnë të kthehen janë cilësia më e mirë e jetesës, një vend pune interesant dhe dinamik, paga më e lartë, familja, partneri apo shoqëria, patriotizmi etj. Ekspertët thonë se shkaqet e shpërnguljes janë të qarta për të gjithë, mirëpo shtojnë se në shtet mungojnë të dhënat statistikore apo një shënim më i saktë se sa njerëz janë shpërngulur jashtë.
“Dihet se ikja jashtë shtetit e popullatës paraqet një trend të vazhdueshëm si rrjedhojë e motiveve të ndryshme si ato ekonomike, politike apo sociale. Njëherësh, kjo trevë çdo herë pasur një traditë të gjatë dhe të madhe të shpërnguljes që prej më herët”, thotë sociologu Ilija Aceski. Sipas tij, zgjidhja e kësaj çështje është mjaft e rëndë dhe e ndërlikuar sidomos në kushtet e jetesës në një botë të globalizuar kur profesione të ndryshme kanë mundësi të punojnë dhe jetojnë edhe Gjermani në vend se të jetojnë dhe punojnë në vendlindje. “Motivi që dikush të mbesë të jetojë këtu në vend se të shfrytëzojë mundësinë që të shkojë jashtë është shumë i vogël përkundër profesionit që ushtron. Kjo mund të ndryshojë vetëm në rast se këtu krijohen disa kushte që mund të krahasohen me ato në Gjermani së paku në disa aspekte apo tu afrohen atyre sepse të njëjta nuk mund të jenë asnjëherë”, shton ai.
Aceski shton se nëse këtu do të kishim një shpresë për më mirë dhe nëse do të përmirësohet situata, atëherë edhe nuk do të kishim situatë ku shpesh njerëzit ikin me çdo kusht prej këtu.
Ekonomistët thonë se emigrimi nga Ballkani Perëndimor drejt perëndimit është i shkaktuar kryesisht nga dëshpërimi i lartë ekonomik dhe institucional. Kur dallimet te të ardhurat dhe cilësia e institucioneve midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Perëndimore janë ende shumë të gjera, madje edhe në rritje, faktorët shtytës dhe tërheqës që udhëheqin emigracionin ka të ngjarë që të jenë edhe më të fortë në të ardhmen.
INTERESIMI PËR TË STUDIUAR JASHTË
Dëshira e të rinjve në Republikën e Maqedonisë për të studiuar jashtë po rritet çdo vit e më shumë. Përkundër vendeve tjera që studimet jashtë vendit i bëjnë për të njohur një kulturë, gjuhë apo miq të ri në vendin tonë të rinjtë po ikin për shkak të faktorit ekonomik, dhe vendin se ku ata do të vendosin të punojnë dhe ndërtimit të karrierës profesionale. Nga ana tjetër, ekspertët në lidhje me këtë fenomen theksojnë se nevojitet një politikë arsimore, si dhe një strategji demografike sikur se e ajo e Republikës së Sllovenisë, ku përpos që mban të rinjtë në vendin e saj, tërheq edhe shtetet fqinje si Maqedonia e Veriut.
Profesori universitar Strashko Stojanovski thotë se nga dy anketa është treguar se interesimi i nxënësve të shkollave të mesme për të studiuar jashtë është pothuajse dyfishuar, gjegjësisht nga 13 për qind para pesë viteve, tani përqindja është rritur në 21 për qind. “Dhe ne tashmë mund të perceptojmë disa të dhëna dhe tendenca të caktuara, megjithëse do të thosha shumë herët, sepse kemi vetëm dy anketa të tilla. Ekziston edhe një hulumtim tjetër që lidhet me migrimet që kemi prezantuar vitin e kaluar. Këto janë qëndrimet e përgjithshme të të rinjve lidhur me çështjet e migracionit dhe ky hulumtim ka të bëjë kryesisht me motivimin arsimor të të rinjve për të migruar dhe ka të bëjë me maturantët, pra nxënësit e vitit të tretë dhe të katërt të shkollave të mesme. Nga katër rajone planifikuese, shumica e shkollave ishin të mbuluara. Pra, në këto rajone janë rreth 22 shkolla të mesme nga 13-14 qytete, duke filluar nga rajoni planor verilindor, lindor, juglindor”, theksoi profesor Stojanovski nga Fakultetit Juridik i Universitetit “Goce Dellçev”.
Profesori shton se motivimi lidhet kryesisht me perspektivat dhe disa kritere ekonomike dhe këtë e ka treguar edhe hulumtimi, sipas të cilit të rinjtë kanë treguar se faktori ekonomik është faktor kyç për migrimin dhe ndërtimin e karrierës profesionale jashtë vendit. Stojanovski merr shembull shtetin e Sllovenisë ku thekson se Sllovenia nuk ka një politikë të zakonshme arsimore, por një strategji klasike demografike, dhe aspekti arsimor është vetëm një element në atë strategji demografike të Sllovenisë për të tërhequr popullatë nga vendet e tjera.
Lidhur me këtë, për KOHA ka folur një i ri nga Maqedonia që studion dhe vepron në Slloveni. “Arsyeja kryesore për të shkuar në Slloveni për studimet e mia është sepse do të marr më shumë njohuri dhe një diplomë shumë më të denjë se ajo në Maqedoni. Për më tepër, unë gjithmonë kam dashur të shkoj atje, veçanërisht pranë detit siç jam aktualisht. Ka shumë më tepër përfitime sesa studimi në Maqedoni për faktin se universitetet tona janë shumë të dobëta, jo aq të pranuara në BE dhe profesorët (jo të gjithë) janë shumë joprofesionistë. Nuk kam në plan të kthehem në Maqedoni, megjithëse është e bukur, por ka një standard jetese më të keqe, mentalitet i ulët, shumë ndotje dhe korrupsion”, tha Igor Arsov.
Se strategjia sllovene është e suksesshme, tregon edhe shembulli i Emilia Stojmenova, ministre sllovene e dixhitalizimit, me origjinë nga Maqedonia, ku në vitin 2002, ajo mori një bursë për programin e maturës ndërkombëtare në “Druga Gymnasium”- Maribor, dhe studimet e saj pasuniversitare u financuan plotësisht nga Byroja për Zhvillimin e Burimeve Njerëzore të Republikës së Sllovenisë. Emilia Stojmenova thotë se Maqedonia ka shumë ngjashmëri me Slloveninë, sidomos kur flasim për ushqimin, natyrën dhe njerëzit e mirë. “Fatkeqësisht kam përshtypjen se përzgjedhja negative e personelit prej vitesh ndikon që kushtet të jenë ndryshe nga këtu, sidomos kur bëhet fjalë për shërbimet publike. Shpresoj që gjeneratat e reja të politikanëve të kuptojnë se nuk bëhet fjalë për ata apo partitë nga vijnë, por për të gjithë shtetin dhe kombin. Shpresoj që stafi më i mirë të mos jetë indiferent, të angazhohet dhe të bëjë gjithçka për një të ardhme më të mirë të gjithë shoqërisë”, thotë Stojmenova (koha.mk)