Problemet i konstatojmë, por nuk veprojmë, mbase në mungesë të vullnetit dhe guximit, shpesh i ikim ballafaqimi me to. Do dhe mirëkuptim nga të gjitha “palët”, pa i dhënë kësaj konotacion krahinor, që do të thellonte dallimet në qasje
Nga Daut DAUTI
- “…U shkepëm tuj mbajt konferenca shkencore mbarëkombëtare “NJË KOMB, NJË GJUHE, NJË ALFABET”, e punët viran gjithandej…”.
Më bëri përshtypje qasja vetëkritike e mikut tim, Daim Ilazit, me këtë qëndrim zemërplasur, në valën e konferencave shkencore për 50-vjetorin e drejtshkrimit dhe gjuhës standarde. Shkrova diç më gjerë edhe unë, duke përsëritur disa nga këto “virane” probleme, për gjërat e stilit ku të dhemb dhëmbi, të shkon gjuha, duke u përqendruar te gjuha në media. S’ka faj Daim beu, siç e ka qejf të shprehet diplomati i karrierës, që kësaj radhe është jodiplomatik dhe i drejtpërdrejtë për të vënë diagnozën për atë që e thotë ai, e që kosovarët do të kishin thënë “i kemi punët llugë”. Kur është një përvjetor si ky, të luash pak në kartën e “një kombi, një gjuhe, një alfabeti”, nuk ka gjë të keqe, por një replikë të vogël pa qëllim të keq në rrjetin e facebookut, unë në postimin e tij komentova se pikërisht se i kemi punët viran, janë të nevojshme të mbahen, për të parë problemet që i kemi me gjuhën dhe si t’i zgjidhim ato. Edhe në rrethanat më ideale, do të kishte hapësirë dhe nevojë për të bërë diçka edhe më mirë.
Si pjesëmarrës në njërën nga këto konferenca, pata mundësi të dëgjoj kumtesa të shumta me probleme të nduarduarshme të gjuhës. Gjëra që shumëkush nga ne i sheh, i konstaton dhe për disa prej tyre, habitet se si nuk ndërmerret diçka për t’i tejkaluar. Ka probleme lehtë të zgjidhshme që varen nga shteti, si bie fjala vënia e gjuhës nën mbrojtje të ligjit ku do të krijohej imperativi për përkujdesje profesionale në administratë, gjë që nuk e kanë në Shqipëri e Kosovë, dhe për çudi e kemi në Maqedoni. Ka probleme të tjera që varen nga gjuhëtarët dhe institucionet gjuhësore në shtetet në Ballkan ku flitet shqipja. Në këtë kontekst, është fakt dëshpërues që e tha prof.Asllan Hamiti se në një këshill i formuar para më shumë se dhjetë vjetësh për të shqyrtuar problemet që janë hapur në debate shkencore, si anëtar të saj e kanë ftuar vetëm një herë! Që lë të kuptohet se gjithë kjo iniciativë mbarëkombëtare që në fillim ka hasur në barrierat dhe qëndrimet e papërputhshme. Institucionet tona shkencore ia kanë frikën të nisin të bëjnë diçka, duke ditur një nga debatet më të vështira, rreth padrejtësisë ndaj gegërishtes dhe iu duket më mirë të mos preket kjo çështje, se sa të niset diçka të bëhet për të korrigjuar. Por, dosido, nuk ka se si t’u iket gjërave, nëse vazhdimisht konstatojmë se ka probleme që duhet zgjidhur. Disa edhe për shkak të evoluimit të gjerave, e disa ngase kaherë janë vënë mbrapsht.
Të mos flasim për problemet praktike, siç është përdorimi i varianteve të Mikrosoftit në kompjuter, ku jep opcion për shqipe të Shqipërisë dhe të Kosovës, por në fakt, është e njëjta gjë. U tha si paradoks se nuk mund të ndahet shqipja në “variante”, por pastaj u “fashit” puna kur u tha se edhe anglishtja na shfaqet me variante sipas shteteve, edhe pse s’ka ndryshim midis tyre. Por unë do të kisha vënë theksin se në këto variante ka nevojë për dallime! Duket se për ne në Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi, renditja e shkronjave të shqipes sipas Mikrosoftit është e papërshtatshme për shkak të vendit të shkronjave Ë, Ç, Y dhe Z. Dhe është bërë praktikë që shkruesit të shtypin W-në në vend të Ë-së dhe në fund e bëjnë zëvendësimin e saj automatik. Mirëpo,në raste kur në një tekst ka emra apo nocione që janë dhënë në origjinalin e tyre, me automatizëm zëvendësojnë W-në edhe ku nuk duhet dhe të dalin emra si Walkter, Wiliam… pas një rokade të tillë. Prandaj, është për çudi që të paktën nga Kosova nuk është kërkuar nga Mikrosofti të krijojë një variant ku do të akceptohej ana praktike që Ë-ja dhe Ç-ja të vendosen aty ku jemi mësuar t’i gjejmë. Kjo nuk do të krijonte alfabet të ri, por një renditje shkronjash,thjesht, çështje teknike. Një tjetër problem teknik është edhe mjeti i quajtur Google Translate, të cilin gjithnjë e më shumë e përdorim, madje edhe në administratë, duke na shpikur një varg fjalësh të pakuptimta. Krahasuar me disa gjuhë tjera, shqipja e Google Tanslate-it është shumë më defektuoze dhe këtu, nëse kanë ndikim institucionet gjuhësore, duhet të ndihmojnë.
Po si të ndihmojnë nëse fjalori zyrtar është ende ai i para disa dekadave? E ai fjalor, është përplot shpjegime ideologjike, siç vuri në dukje një pjesëmarrës i konferencës shkencore në Shkup, si në rastin e çdo termi fetar, ku shpjegohet nga kënvshtrimi i ideologjisë komuniste në stilin “sipas paragjykimeve të fesë…”. Të mos flasim për atë terminologji ideologjike komuniste që e ka vulën e asaj kohe. Fjalorë janë shkruar e rishkruar nga autorë individualë, sidomos fjalorë dygjuhësorë, që kanë akceptuar edhe ndryshimet që sjell gjuha si materie e gjallë, por jo dhe një fjalor i dytë SHQIP-SHQIP si projekt ndërakademik.
Më fascinoi angazhimi me ngulm i prof.Haki Imerit, i cili tha se ka shkruar qindra e mijëra faqe kushtuar vetëm një shkronje, Ë-së. S’është asgjë, thotë, mund të shkruhen edhe më shumë…Kjo si shembull se si gjuha është frymëzuese për studiuesit me çdo fjalë apo dhe shkronjë. Kjo s’duhet të na dekurajojë të kërkojmë rrugët dhe mënyrat që ta bëjmë gjuhën më të afërt me folësit dhe shkruesit, për t’u kujdesur në anën tjetër edhe për të mos na e mposhtur ndikimet që prekin themelet e drejtshkrimit. Për të gjitha këto, mbase nevojitet edhe vullnet, edhe guxim, e jo ikje nga ballafaqimi i problemeve. Do dhe mirëkuptim nga të gjitha “palët”, pa i dhënë kësaj konotacion krahinor, që do të thellonte dallimet në qasje.
- Më në fund, një lehtësim. Nuk do të ketë luftë në Kosovë për shkak të targave! Gjithë ata që e shanin kryeministrin Kurti që krijoi problem të rëndë me targat, që bëri serbët e instumentalizuar nga Beogradi të dalin nga institucionet, tash mund të flenë më rehat. Ishte kjo një betejë e rëndë edhe e Kurtit, të mundë Kurtin. Atë Albin opozitar që krijonte probleme me arsye e pa arsye. T’i japësh kosës gjerë si opozitar dhe të mos çash kokën se çfarë pasojash shkakton, nuk përkon me pozicionin të jesh pushtetar. Mirë se erdhe Albin në realitet! Shumëkush marrëveshjen për targat, ose më saktë, heqjen e dënimeve për targat serbe, që e kërkonin edhe aleatët e Uashingtonit, pas një serë keqkuptimesh e komunikimesh jodiplomatike BE-Kurti/Osmani, vendimi ishte një reterim, tërheqje nga një qëndrim i fortë. Kjo mund të jetë edhe sukses, edhe disfatë njëkohësisht, por mbi të gjitha, leksion i realpolitikës, ku për një plesht nuk digjet jorgani. Dhe se vende si Kosova, nuk mund të veprojnë në këto kohë të turbullta pa koordinim me ndërkombëtarët, edhe kur e drejta është në anën e tyre.
(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)