Ekonomia jofunksionale që vendnumëron, ëndrra për një cilësi më të madhe të jetesës, shpërfaqja e afiniteteve, shkathtësive dhe profesionalizmit etj, janë disa nga arsye e largimit të qytetarëve të Maqedonisë nga vendi, thonë ekspertët. Sipas statistikave të Eurostat, në dhjetë vitet e fundit 74 mijë e 964 shtetas të Maqedonisë janë pajisur me shtetësi të ndonjë nga vendet e BE-së
Destan JONUZI
Shkup, 8 prill – Në dhjetë vitet e fundit, gjithsej 74 mijë e 946 shtetas të Maqedonisë kanë marrë nënshtetësi të vendeve Evropiane. Vende të preferuara janë Italia, Zvicra dhe Gjermania, sipas të dhënave të EUROSTAT. Por, cila është arsyeja që i detyron qytetarët e Maqedonisë, të heqin dorë nga shtetësia e tyre për një të dytë? Sociologu, Ali Pajaziti thotë se shpresa e thyer ose defetizmi që ka kapluar shtresat e ulëta shoqërore, por jo vetëm ato i shtyn njerëzit që shpëtimin ta kërkojnë në vendet e tjera, në veçanti në ato evropiane. “Politizimi i çdo sendi, i institucioneve që do duhej të vepronin sipas parimeve të meritokracisë, ndërsa favorizojnë militantë partiakë është një ndër faktorët kyçë. Ekonomia jofunksionale që vendnumëron është një faktor tjetër. Ëndrra për një cilësi më të madhe të jetesës, mundësitë për vetërealizim, për shpërfaqje të afiniteteve, shkathtësive dhe profesionalizmit është një agjent tjetër”, deklaroi për KOHA, Pajaziti.
Sipas tij, kushtet e rënda të popullatës rurale që s’ka mundësi përmes bujqësisë të vetëmbahet, që e ka larg administratën edhe është e ngathë, janë një tjetër arsye e largimit të njerëzve nga vendi. “Problemet me të cilat përballet popullata në sferën e mjekësisë. Korrupsioni dhe ryshfeti i shndërruar në mënyrë jetese. Kjo do të ishte një rezyme e arsyeve pse njerëzit ikin apo nuk shohin perspektive këtu ndër ne”, nënvizon ai.
Ndërsa, analisti dhe eksperti i sigurisë Hasim Murtezani vlerëson se ka disa arsye që qytetarët e Maqedonisë detyrohen të kërkojnë shtetësi tjetër pos asaj që e kanë, të Maqedonisë. “Qytetarët fatkeqësisht në vendin tonë kanë humbur besueshmërinë ndaj shtetit tonë në dimensionin e premtimit për një zhvillim dhe progres ekonomik konkret viza-vi garancisë se në këtë vend do ketë vende të reja pune dhe paga solide për një jetese normale, qytetarët kanë humbur besueshmërinë në institucionet e vendit dhe posaçërisht në ata të drejtësisë që duhet të garantojnë shtet ligjor dhe juridik, qytetarët kanë humbur besueshmërinë në elitën politike që kanë zhgënjyer me dekada qytetarët me keqëmenaxhimin e vendit, pra thjeshtë e thënë ata nuk shohin drite ne fund te tunelit ata kanë humbur arsyen e të qëndruarit në këtë vend”, shprehet Murtezani.
Ai thekson se skandalet e shumta korruptuese dhe kriminale, keqpërdorimet me paranë publike, për qytetarët, shprehet Murtezani, nënkupton se në këtë vend jete është bërë e papërballueshme. “Pra mendoj se arsyet janë të natyrës ekonomike, sigurisë që një numër i madh i qytetarëve kërkojnë zgjidhje të detyrueshme dhe alternative shpresëdhënëse për një jetë dhe mirëqenie më të mirë e më solide”, potencon Murtezani.
Ndryshe, në të shumtën e vendeve të Bashkimit Evropian është i ndaluar posedimi i shtetësive të dyfishta. Kështu që ato qytetarë të Maqedonisë që marrin një shtetësi në ndonjë nga këto vende e humbin me automatizëm të drejtën e posedimit të shtetësisë së Maqedonisë. Vetëm në vitin 2018, vendet e Bashkimit Evropian kanë dhënë nënshtetësi deri tek 672.270 shtetas të huaj. Ndërsa, në dhjetë vitet e fundit, gjithsej 29.428 shtetas maqedonas kanë marrë nënshtetësi italiane. Rreth 14.000 e kanë bërë këtë në tre vitet e fundit, me një rekord prej 6771 personave në vitin 2016. Pas Italisë, vendi i preferuar për shtetasit maqedonas është Zvicra, ku nënshtetësi në 10 vitet e fundit kanë marrë 16.935 persona më pas vijon Gjermania me 9333 persona. Statistikat e Eurostat tregojnë gjithashtu se në vitin 2008 numri më i madh i qytetarëve maqedonas morën nënshtetësi në Bullgari – 3637, pas së cilës numri statistikor zvogëlohet ndjeshëm dhe lëviz nga 400 në 200 qytetarë. (koha.mk)