Shkëlzen HALIMI
Bërja e punëve shkel e shko, është një nga shumë karakteristikat negative të përfaqësuesve të shoqërisë shqiptare edhe në Maqedoni. Vetëm ndër ne çështjet e rëndësishme trajtohen në mënyrë euforike, pa analizë e plan paraprak. Mbase, kjo është dëshmuar me qindra e qindra herë.
Shkupi historikisht ka qenë qendër e shqiptarëve. Nëse në te kaluarën regjimi komunist ka realizuar projekte të shumta për pastrimin e kësaj qendra nga shqiptarët, në periudhën post-komuniste, vetë shqiptarët kanë kontribuar që ta vrasin indin e qenies së tyre, që ndër shekuj i ka bërë ballë sfidave të shumta.
Ikja nga qendra filloi pikërisht me formimin e partisë së parë shqiptare, pastaj partisë së dytë, së tretë e kështu me radhë, të cilat selitë e tyre i përqendruan në Tetovë, në vend se në Shkup, ku janë të koncentruar të gjitha institucionet shtetërore. Atëbotë, tendencat e këtilla u shprehen edhe në kulturë, ekonomi dhe arsim, duke i hapur rrugën e dominimit të irracionales mbi racionalen.
Strategjia e ruajtjes së Shkupit nga ndikimi i faktorit shqiptar, u implementua edhe me hapjen e dy universiteteve shqiptare larg Shkupit, që ka qenë kusht kryesor për t’ua “dhënë këtë të drejtë” shqiptarëve, të cilët, fatkeqësisht, janë bërë “ekspertë” për t’i kërkuar edhe të drejtat e natyrshme, për të cilat absolutisht nuk ka nevojë për të trokitur në asnjë derë.
Nuk është fshehtësi, por në një moment pati përpjekje që edhe selia e BFI-së të zhvendoset në Tetovë, jo që këtë qytet ta bëjnë qendër të shqiptarëve, por thjeshtë Shkupin ta pastrojnë dhe ta groposin historinë e lavdishme shumë-shekullore të shqiptarëve, mbi të cilën ka kohë shkruhet historia maqedonase.
Edhe paralajmërimi i themelimit të Ansamblit shtetëror shqiptar në Tetovë, ndonëse kanë filluar të shprehen edhe mendime që diçka e tillë duhet të jetësohet në qytete tjera me shumicë shqiptare, për shumë arsye nuk do ta kishte as për së afërmi peshën me selinë e këtij Ansambli në Shkup. Pra, kultura duhet të përçohet nga Shkupi, ngjashëm sikur krijohen rrathët koncentrik kur hedhet guri në një sipërfaqe të gjerë të ujit.
Mbase, në Shkup është e gjithë infrastruktura e nevojshme për zhvillimin e një kulture të mirëfilltë shqiptare. Nëse vazhdojmë me avazin e ikjes nga qendra dhe koncentrimi në periferi, atëherë vërtet gjithçka do të jetë periferike, për të mos thënë provinciale. Ndaj, nuk duhet që të lejojmë që pa na detyruar askush, vullnetarisht ta mohojmë historinë shqiptare të Shkupit… (koha.mk)