Delvina KËRLUKU
Ali Aliu u lind më 1 prill 1934 në Prespë (Kranjë). Shkollën fillore tetëvjeçare e kreu në qytetin e Manastirit në vitin 1951, ndërsa Shkollën Normale në Shkup, më 1955. Studimet universitare (albanologji) i mbaroi në Universitetin e Beogradit në vitin 1960. Doktoroi në Universitetin e Prishtinës më 1973. Pas studimeve zë punë gazetar në redaksinë “Flaka e vllaznimit” në Shkup, ku punoi dhjetë vjet. Prej vitit 1969 deri në vitin 1972 punoi redaktor në Edicionin e Botimeve “Rilindja” në Prishtinë. Që nga viti 1972 deri në pensionim ishte ligjërues në Fakultetin Filozofik, përkatësisht në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës, ku ka ligjëruar lëndën “Teori e letërsisë”. Në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2000 anëtar i rregullt i saj, tashmë është zëvendës kryetar. Gjithashtu është zgjedhur anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave e Arteve të Maqedonisë dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Është studiues i letërsisë bashkëkohore shqiptare, fushë nga e cila ka botuar shumë vepra. Ka drejtuar disa kandidatë në tema të magjistraturave dhe doktorateve. Ka ligjëruar në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Ishte njëri nga themeluesit e LDK-së në vitin 1989 dhe anëtar i Kryesisë së saj në dy mandate, deri në vitin 1995. Ka drejtuar zyrën e Kosovës në Tiranë (1991). Akademik Ali Aliu është nderuar me disa çmime e mirënjohje letrare në Prishtinë, Tiranë.
KOHA: Profesor Aliu (siç ju quaj unë), cili është rrëfimi juaj i fëmijërisë?
ALI ALIU: Jam lindur në Kranjë të Prespës – një fshat që në perëndim e ka liqenin, kurse në lindje majën e Pelisterit- në tetor të vitit 1935 (në regjistrin e ofiqarit nuk e di pse, por jam i regjistruar me vitin e lindjes 1934). Mbamendjen më të zbehtë e kam nga vitet të Serbisë së parë. Nga bisedat dimërore në odën e oxhakut, kur kishte miq në shtëpi dhe shtrohej takëmi i rakisë, i mbaj mend urimet që zakonisht i fillonte gjyshja ime Meleke, që rrinte në krye të vendit dhe e niste me urimin “U bëftë Shqipëri!”. Ky ishte urimi që përsëritej nga secili që sipas radhës e merrte kupën e rakisë. Mbaj mend edhe një detaj tjetër. Meqë Kranji është afër kufirit me Greqinë, një mbrëmje nga Pelisteri u rrëzua një grup ushtarësh të armatosur. Njerëzit thanë “ U prish Serbia”. Nuk shkoi shumë kohë, dhe në Kranjë një ditë çatisën një grup ushtarësh italianë. Gjithë fshati i priti me daulle dhe me saze, duke i shëtitur nëpër mëhallat e Kranjit, të rrethuar e të përcjellë gati nga të gjithë banorët, gra e burra, pleq e fëmijë, e diku nëpër ta vrapoja edhe unë. Njerëzit gjithandej thoshin “Erdhi Shqipëria”. Nuk e di sa kohë kaloi, në Kranjë u hapën shkollat. Shkova edhe unë në klasën e parë. Që nga kjo fazë gati çdo gjë mbaj mend.
KOHA: E kujtoni mësuesen e parë. A keni patur rastin t’ia thoni: edukatën tuaj ta paça për jetë hua?
ALI ALIU: Mësuesja e kishte emrin Dhorka Qeleshi. Ishte nga Korça, vishej shumë bukur, dhe më donte shumë. Kur i mësonim germat, ajo sikur e ndjente që unë e kisha mësuar germën e ardhshme, dhe në fund të orës vetëm më thoshte: “Lexoje germën që vjen”. Në fund të viteve shtatëdhjeta kërkova ta shoh në Korçë dhe nuk munda. Dëshirën time për ta parë ajo e ka kuptuar shumë më vonë. Në fillim të dymijëtave, një ditë korriku, në Kranjë më vizitoi një zotëri, me të shoqen dhe vajzën, për ta kryer porosinë e nënës, që tani nuk ishte e gjallë, që të më takojnë: meqë unë e paskësha kërkuar me emrin Dhorka Qeleshi, e ajo në ndërkohë e ka marrë mbiemrin e të shoqit Shallo, është krijuar keqkuptim dhe nuk kam mundur ta shoh.
KOHA: Si dukej në syrin tuaj Manastiri në vitin 1951?
ALI ALIU: Pjesën e parë të shkollimit e kreva në Manastir. Jetoja në internat, e asokohe nuk e dija dhe as kisha dëgjuar për Kongresin e Manastirit, që ishte mbajtur pikërisht në atë godinë. Pas disa viteve, në Manastir, dëgjoja të flitej për shtëpinë e Qiriazëve që ishte po në këtë lagje, ku paskësh punuar edhe një shtypshkronjë, që botonte libra që në fillim të shekullit 20, e që shtëpia dukej e rrënuar me mure të larta të lyera me baltë. Dikur filloi të përmendet edhe emri i Migjenit, që e paskësh kryer shkollën pikërisht në ndërtesën e gjimnazit të Manastirit, e që në një kat të saj ishin edhe klasat e larta të tetëvjeçares sonë. Por, të gjitha këto sikur më vinin me pëshpëritje, dhe atë nga ajo pjesë e mësuesve që ishin nga Shqipëria, dy nga ata nga Normalja e Elbasanit, Josif Todi dhe Refik Palloshi. Në vitin e fundit të tetëvjeçares filloi me të madhe shpërngulja për në Turqi. Deri atëherë flitej se në Manastir ka pesëmbëdhjetë mijë shqiptarë. Në klasën e tetë ishim 24 nxënës, dymbëdhjetë vajza e dymbëdhjetë djem. Në fund të vitit u përgjysmua numri, meqë familjet me të madhe shpërnguleshin.
KOHA: Sa shqiptarë në atë kohë jetonin në internat të Manastirit dhe cili është libri i parë që keni lexuar në bibliotekën e internatit?
ALI ALIU: Në internat ishim pesëdhjetë apo gjashtëdhjetë nxënës – vetëm pesë a gjashtë shqiptarë, kryesisht të Prespës. Internati kishte një bibliotekë të vogël, me libra në gjuhët sllave. Para se të shkoj në Manastir, përveç librave të pakta të shkollës, nuk dija për libra letërsie. Duke i parë nxënësit, sidomos ata të gjimnazit të lartë, që merrnin libra në bibliotekë dhe lexonin gjatë ditë në oborrin e internatit, një ditë shkova edhe unë të kërkoj një libër. Bibliotekisti e zgjati dorën dhe ma dha një libër. Në kopertinë shkruante “Taras Bulba”. Ky ishte libri i parë që e lexova, në maqedonisht. Nuk me kujtohet nëse e kuptoja plotësisht për se bëhej fjalë, por e di se më mbetën gjallë në kujtesë disa luftëtarë me kuaj dhe me shpata, që ndesheshin mes veti, diku në vende dhe male që nuk i kisha dëgjuar më parë. Por e di që filloi të më tërheqë shkrimi i rrëfimeve të tilla.
KOHA: Gjyshja, ka qenë prehja juaj në fëmijëri?
ALI ALIU: Nga familja në mbamendje më të kthjellët e kam gjyshen, Meleken, që vinte nga Nikolica e Dangëllisë (Frashëri), dhe që ishte martuar për gjyshin tim që vinte nga Luarasi i Kolonjës. Meqë ime më më la gjashtë muajsh, unë u rrita me gjyshen. Im atë në kohën e Italisë u rimartua me një grua nga Kolonja, nga e cila u shtua familja.
KOHA: I kujtoni shokët e rinisë?
ALI ALIU: Nga shokët që kryem tetëvjeçaren, fare pak – saktësisht vetëm disa vazhduam shkollimin në normalen e Shkupit.
KOHA: Çfarë bëma ka pasur udhëtimi nga Prespa në Manastir?
ALI ALIU: Udhëtimin nga Prespa në Manastir e bënim me vështirësi, dy herë ose tri herë në vit. Lidhja ishte vetëm një autobus brenda njëzetekatër orësh, ku ishte vështirë të zije vend. Edhe kur qëllonte të gjeje vend, pesëdhjetë kilometra bëheshin për pesë-gjashtë orë udhëtim. Prandaj, meqë ishim një grup nxënësish të Prespës, në fund të vitit, në qershor, kur mbaronim mësimin, niseshim herët në mëngjes pa rënë dielli, dhe ia mësynim majës së Pelisterit, meqë afërsisht aq sa mbante rruga nga Manastiri në maje të Pelisterit, po aq mbante nga maja në Prespë, që pastaj na dukej lehtë meqë zbritnim. Bënim rreth dhjetë orë rrugë.
KOHA: Shkolla normale në Shkup ishte shkolla e vetme e mesme në gjuhën shqipe?
ALI ALIU: Pas tetëvjeçares së Manastirit, shkollimin e vazhdova në shkollën normale në Shkup. Ishte një ndërtesë dykatëshe me një oborr të madh, të cilin e ndante me Shkollën e Lartë Pedagogjike të asaj kohe, diku në lokacionin që sot është hyrja e Qendrës Tregtare të Shkupit, ambient ku është edhe shtëpia e lindjes së Nënës Terezë. Ishte shkolla e vetme e mesme në gjuhën shqipe në Maqedoni, pos paraleleve të gjimnazit në gjuhën shqipe në Tetovë. Pedagogët ishin të përzierë, shumë lëndë i dëgjonim maqedonisht, më pak shqip. Letërsi dhe gjuhë na jepte profesor doktor Petro Janura, i cili edhe pse doktor i fushës së drejtësisë, kishte kulturë letrare dhe gjuhësore dhe veçohej nga arsimtarët e tjerë.
KOHA: Nga cila hapësirë shqiptare ishin nxënësit, shokët e juaj?
ALI ALIU: Shkolla dhe internati ishin në një ndërtesë. Nxënësit ishin nga gjithë hapësira shqiptare e Maqedonisë. Dukej sikur numri i nxënësve dominohej nga Prespa dhe Dibra, më pas edhe nga Struga, më pak nga Pollogu, dhe gati simbolikisht nga vetë Shkupi. Kjo përbërje linte përshtypje se Prespa ka popullatë të madhe, që nuk ishte aspak e vërtetë, por atë regjion e karakterizonte një motivim për shkollim: pothuajse të gjithë nxënësit që kryenin shkollën fillore në Prespë e Manastir e vazhdonin shkollimin. Numëroheshin me gishta nxënësit nga lagjet e Shkupit, dhe thuajse asnjë nga paralagjet dhe fshatrat e shumta përreth qytetit. Shkupi asokohe ishte qytet i vogël, në fillim të viteve pesëdhjeta.
KOHA: Cilat ishin aktivitetet e Juaja në shkollë ose më saktë ndonjë prapësi?
ALI ALIU: Në qytet kishim leje të dalim në fundjave dhe zakonisht në kinema shkonim të shtunave dhe të dielave. Dy pika të qytetit që më kanë mbetur në kujtesë gjatë të dielave, sidomos ishin këto: paradite shkonim te kisha katolike që ishte mu në qendër ku sot është shtëpia e Nënës Terezë, të dëgjojmë muzikë shqip në meshën e së dielës. Duke ecur drejt stacionit të trenit, në rrugën që edhe sot është shëtitorja kryesore, kisha ishte në të majtë, me një arkitekturë që më bënte përshtypje dhe e pëlqeja. Ndërsa në mbrëmje, kur përvidheshim fshehurazi nga konvikti, shkonim në stacionin e trenit, për t’i parë familjet shqiptare të ngarkuara me rraqe që e mbushnin trenin për në Turqi. Kjo ishte dukuri e përnatshme. Holli i madh i stacionit mbushej me valixhe, thasë, gra e fëmijë, që qanin ose flinin në dysheme, duke e pritur trenin e mesnatës.
KOHA: Zgjodhët të studioni në Universitetin e Beogradit, Katedra albanologjike, cilat ishin kushtet, kuadri i profesorëve dhe i kolegëve?
ALI ALIU: Katedra albanologjike në Beograd ishte në kuadër të Fakultetit filologjik-filozofik, mu në qendër të Beogradit, njëqind deri dyqind metra larg Pallatit Albania, në katin e fundit të një ndërtese katërkatëshe. Katedra dispononte një hapësirë të ngushtë: një sallë të vogël mësimi, një tjetër si bibliotekë, dhe një kthinë e vogël për arsimtarët, të cilët për lëndët e fushës albanologjike ishin tre- Anton Çetta që ligjëronte kursin “Historia e Letërsisë Shqipe”, përfshirë gjithë periudhat, dhe Idriz Ajeti që mbulonte të gjitha fushat e gjuhësisë, i ndihmuar nga profesor Vojisllav Dançetoviqi. Të gjitha lëndët e tjera gjatë katër viteve i dëgjonim në salla të tjera, me studentët e letërsisë jugosllave, me profesorë serbë nga katedrat e ndryshme të fakultetit. Në fushën e albanologjisë në fakultetin e Beogradit, përpara brezit tim, kishin diplomuar disa breza, që nga brezi i parë me gjeneratën e Enver Gjergjekut, Rexhep Hoxhës, Ramiz Kelmendit, Hilmi Aganit, Murat Isakut e të tjerë. Kishin kaluar edhe disa breza me studentë të dalluar të këtij fakultetit, si Nehat Bellçishta, Remzi Nesimi, Xhevat Gega e të tjerë, dhe ne ndjenim frymën e këtyre brezave. Gjatë atyre viteve, në Universitetin e Beogradit studionin 700-800 studentë shqiptarë. Një pjesë e tyre e vizitonin shpesh katedrën tonë, meqë e vetmja kishte një fond sado modest të librave shqip.
KOHA: Cili ishte raporti mes studentëve shqiptarë dhe aktivitetet në të kohë?
ALI ALIU: Nuk kishte ndonjë organizim të veçantë mes studentëve shqiptarë, me përjashtim të fundjavave të rralla sidomos në pranverë, kur bëheshim bashkë dhe dilnim në kodrinat e Avallës. Më kujtohet mirë që gjatë këtyre shëtitjeve më i kërkuari dhe më i popullarizuari ishte Gazmend Zajmi, që dinte të luajë në fizarmonikë, dhe të këndojë bukur, duke na mbledhur rreth vetes. Unë personalisht kisha po ashtu dy hobi, vizitoja sa herë që mundja Universitetin e Kollarcit- ishte një qendër tribune e fakultetit filozofik dhe filologjik, ku gjatë javës organizoheshin tribuna me tema të ndryshme nga letërsia, dhe ku vinin krijues të shquar nga Evropa me të cilët zhvilloheshin biseda. Po ashtu bëja parapagimin vjetor në Teatrin Dramatik të Beogradit për të gjitha premierat.
KOHA: Pas studimeve, u kthyet në Shkup, gjetët menjëherë punë?
ALI ALIU: Pas studimeve në Beograd, u ktheva përsëri në Shkup. Në fillim të viteve gjashtëdhjetë në Shkup dhe në Maqedoni me diplomën e Fakultetit filologjik mund të gjeje vend ose në Normalen e Shkupit ose në redaksinë e gazetës Flaka e Vllazërimit. Unë e zgjodha këtë të fundit, ku punova për tetë vjet pa ndërprerë. Bëja faqet e arsimit dhe kulturës. I dija gati përmendësh të gjitha shkollat tetëvjeçare shqipe në Maqedoni, drejtorët e tyre, problemet e tyre, nxënësit që i vizitoja shpesh edhe nëpër fshatra. Nga fusha e kulturës mbaja rubrikën për letërsi, përcillja manifestimet letrare të Maqedonisë, shkruaja për teatër, filma, përktheja autorë dhe shkrime nga gjuha maqedonase, e të tjera. Kryeredaktor dhe drejtor asokohe ishte Myrteza Peza, nxënës i Normales së Elbasanit. Një nga përjetimet më të rënda është ai i ditëve të karrierës së mbyllur si gazetar i Flakës: në vitet pas Plenumit të 66-ës kur u krijua një hapësirë më e çliruar edhe për shqiptarët në Maqedoni, unë bëra një shkrim në vazhdime me titullin “Tetova shikuar nga afër”. Në fakt ishte një pasqyrë e portretit të Tetovës, që shprehte pabarazinë e shqiptarëve, ku pa kurrfarë komenti, jepja të dhëna të sakta nga fusha të ndryshme të përditshmërisë të qytetit, me rreth tetëdhjetë për qind shqiptarë. Dilte që në punësim shqiptarët ishin me pak, më shumë se njëzet për qind, po ashtu në administratë, në numrin e nxënësve dhe studentëve edhe më pak, të themi prej pesëdhjetë studentëve, katër a pesë shqiptarë. Në fillim artikujt nuk patën ndonjë jehonë të madhe, por meqë pas një viti shpërthyen demonstratat e njohura të vitit 69, seria e artikujve u kritikua si frymëzuese për to. Në krye të Flakës asokohe ishte Lutfi Rusi, njëri nga personalitetet më stabile dhe korrekte që kam njohur gjatë asaj periudhe, i cili edhe pse nuk i kishte lexuar shkrimet e mija (i botova gjatë verës kur ai ishte në pushim), ai me doli në krah duke thënë nëpër mbledhje të ndryshme partiake se artikujt kanë pasur lejen e tij. Por, mua pas kësaj m’u bë e vështirë puna në Shkup dhe kalova në Prishtinë. Në fillim si redaktor në Shtëpinë botuese Rilindja, e pas dy viteve, në fillim të viteve shtatëdhjetë, u pranova pedagog në Fakultetin Filozofik të Prishtinës ku punova deri në pensionim.
KOHA: Jeni akademik në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, studiues i letërsisë shqipe. Cilat janë aktivitetet që ndërmerr kjo akademi, për t’i afruar poetët e letërsisë shqipe?
ALI ALIU: Në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës u pranova në vitin 1996, dhe aktualisht jam nënkryetar i saj. Letërsinë shqipe që zhvillohej në mesin e shqiptarëve të Jugosllavisë së asaj kohe, e kam lexuar dhe ndjekur që nga fillimet, duke e konsideruar gjithmonë si pjesë e pandarë e letërsisë shqipe. Edhe sot konsideroj që në gjysmën e dytë të shekullit njëzet në Kosovë lindi një brez poetësh që janë maja e letërsisë shqipe. Kam parasysh brezin e Azem Shkrelit, Ali Podrimjes, Rrahman Dedajt, Fahredin Gungës, Adem Gajtanit, që ishte një shpërthim mbase i një akumulimi të shtresuar nëpër kohë. Jam i përfshirë në seksionin për gjuhë dhe letërsi shqipe në kuadër të Akademisë, që organizon tryeza dhe konferenca shkencore, shënon portrete dhe përvjetorë të rëndësishëm letrarë, boton dhe përuron vepra të anëtarëve të seksionit të vet, por edhe jashtë saj. Brenda këtij aktiviteti të rregullt të këtij seksioni të Akademisë ftohen dhe marrin pjesë shkrimtarë të shquar nga tërë hapësira shqiptare, personalitete nga Maqedonia si Luan Starova, Kim Mehmeti, Resul Shabani, Nehas Sopaj, Fatmir Sulejmani.
KOHA: Vazhdoni të jeni studiues i letërsisë bashkëkohore shqiptare, fushë nga e cila keni botuar shumë vepra. Cilët janë autorët shqiptarë që janë në kulm të letërsisë, për Ju?
ALI ALIU: Vazhdoj të interesohem për aq sa më lejojnë mundësitë për zhvillimet dhe prurjet e reja në letërsinë shqipe në përgjithësi. Në kuadër të këtij aktiviteti herë pas here jam i pranishëm edhe në përurime, tribuna dhe manifestime letrare në Shkup e Tetovë, përcjell botimet e romancierëve të shquar Luan Starovës dhe Kim Mehmetit, poezinë dhe veprat e autorëve të tjerë të talentuar si librat e Lindita Ahmetit, një poete që për mua është në majat e letërsisë, të Resul Shabanit, Nehat Sopajt, Shkëlzen Halimit, Salajdin Salihut, Fatmir Sulejmanit…
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.