Se sa i lexojnë këto informacion të rinjtë tanë, është çështje për diskutim, por në anën tjetër është e pafalshme që lakmia për një jetë më të mirë të mbështillet gjithmonë me efektet sociale të nevojës. Nuk është krejt zi, ashtu siç po propagohet, por për të qenë bardh, politika duhet të kalojë nga retorika nacional-patetike, në terrenin e punëve të vështira, atje ku nesër elektorati mund të reduktohet në një grumbull pleqsh të pashpresë
Nga Emin AZEMI
Ikja e të rinjve në vendet e ndryshme të Europës, kryesisht në Gjermani, për të kërkuar një jetë më të mirë, siç thonë ata, nuk paraqet më kurrfarë lajmi. Nëse një dukuri papengueshëm ndodhë çdo ditë, ajo pushon të jetë lajm dhe shndërrohet në njëfarë inercioni që fillon të perceptohet si diçka normale, kurse njerëzit mësohen të bashkëjetojnë me efektet tronditëse që prodhon ky inercion, i cili tash më bëhet dramë.
Të mësohesh të bashkëjetosh me iritimin social dhe të tregohesh i pafuqishëm që ta reduktosh këtë iritim në suaza të sjelljeve normale, është maja e krizës morale që ka gërvishtur palcën e gjallimit njerëzor në këto hapësira. Dhe kriza nuk do të kishte përmasa shqetësuese sikur ajo të vendosej në njëfarë “karantine” institucionale. Por, më shumë se kaq, kjo krizë ka dimension edhe psikologjik, sepse ikja nga vendlindja bëhet edhe për efekte që prodhon modeli social i njeriut që ndodhet në mes të lakmisë dhe nevojës.
Sot çdo të riu është e vështirë t’ia paraqesësh si argument çfarëdolloj paralelizmi kohor, duke risjellë në ditët e sotme reminishencat e mbijetesës së viteve pesëdhjetë a gjashtëdhjetë në këto hapësira, atëherë kur bujqësia, blegtoria dhe shumë pak zejtaria ishin burimet kryesore të ekzistencës. Nëse sot merr mundin të elaborosh sado pak përfitimet që mund të vijnë nga këto shtyllëza të gjallimit njerëzor, pa dyshim që mund të shpallesh njëfarë utopisti të cilit i është prishur ora që moti. Më të zëshmit në këtë narrativë anti-agrare janë pikërisht ata që jetojnë në fshat kurse në qytet blejnë vezë, patate, qumësht etj. I bie që hallexhinjtë tanë që po bëhen gati të marrin udhën e kurbetit, tash më janë përgatitur psikologjikisht të financojnë buxhetin familjar me të ardhurat modeste nga mërgimi që nuk shkojnë më shumë se 1300 euro në muaj. Me fjalë të tjera duhesh ti bësh mbi 1000 km. rrugë për të siguruar ekzistencën në fshat, aty ku para 40 viteve baballarët tanë kishin mbajtur familje dhe kishin shkolluar student në Prishtinë, Zagreb, Beograd e gjetiu.
Sigurisht që rrethanat kanë ndryshuar, tregu është reduktuar dhe janë përmbysur shumë parametra që shkojnë në dëm të efekteve financiare – bujqësore. Por, në anën tjetër, te ne asnjë shoqatë, asnjë institut, asnjë universitet nuk ka marrë mundin të analizojë dhe elaborojë më detajisht resurset e pashfrytëzuara nga ekonomia bujqësore dhe si përfundim të nxirret një master plan për atë që ndryshe quhet strategjia e zhvillimit rural. Përderisa nuk janë bërë këto analiza dhe këto elaborime, të rinjtë nuk kanë të drejtë të vijnë në konkludime të shpejtuara se këtu gjoja nuk ka perspective jetësore. Përderisa institucionet shtetërore nuk dalin shpejt me një plan aksional që do të revitalizonte lidhjen në mes të tregut dhe prodhuesve, në mes të blerësit dhe prodhimeve bujqësore e blegtorale, njerëzit tanë nuk bëjnë mire që ia mësyjnë me kaq turr ambasadave për të siguruar viza punë ne Gjermani, Austri, Holandë, Suedi e gjetiu.
Ministria e Bujqësisë, siç kishte raportuar edhe gazeta jonë, përmes masave financiare dhe programit IPARD, po ndërmerr hapa serioz për përkrahjen e fermerëve të rinj. Përmes shumë masave që ka paralajmëruar kjo ministri, pritet që të zvogëlojnë harxhimet , dhe për rrjedhoje parashikohet rikthimi i interesimit të të rinjve për fshatin. Krahas programit “Bujku i ri”, në këtë drejtim do të shfrytëzohen edhe mjetet IPARD. Në kuadër të këtyre masave pritet që të rinjtë të moshës deri në 35 vjet të lirohen nga pagesa e koncesionit për tokën bujqësore për periudhën 3 deri 5 vjet. Ndërkaq para një muaji, qeveria ndau katër milion euro për 424 fermerë që kanë plotësuar kriteret e Ministrisë së Bujqësisë. Ata do të fitojnë mjete të pakthyeshme prej 10 mijë euro me kusht që të realizojnë investimet në mekanizëm bujqësor dhe kapacitetet prodhuese, në afat prej gjashtë muajsh. Të hollat do ti fitojnë pas kontrolleve të kryera në terren.
Se sa i lexojnë këto informacione të rinjtë tanë, është çështje për diskutim, por në anën tjetër është e pafalshme që lakmia për një jetë më të mirë të mbështillet gjithmonë me efektet sociale të nevojës. Nuk është krejt zi, ashtu siç po propagohet, por për të qenë bardh, politika duhet të kalojë nga retorika nacional-patetike, në terrenin e punëve të vështira, atje ku nesër elektorati mund të reduktohet në një grumbull pleqsh të pashpresë. (koha.mk)