E përkthyer në një gjuhë të rëndomtë – nga ikja e mbi 150 mijë personave të arsimuar, shteti ka humbje qindra e qindra milionë euro. Nëse kësaj shume i shtohet edhe humbja nga ikja e fuqisë punëtore që nuk posedon arsim të lartë e që punon jashtë shtetit, uljes së konsumit dhe pagesës më të vogël të TVSH-së, mund të konstatohet se dëmet nga migrimi janë së paku për 1 miliardë euro në vit
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 21 tetor – Maqedonia humb afër 16 mijë euro në vit nga ikja jashtë e vetëm një personi të arsimuar, tregojnë analizat e Institutit për Inovacione dhe Zhvillim. Kjo, e përkthyer në një gjuhë të rëndomtë – nënkupton se nga ikja e mbi 150 mijë personave të arsimuar, shteti ka humbje qindra e qindra milionë euro. Nëse kësaj shume i shtohet edhe humbja nga ikja e fuqisë punëtore që nuk posedon arsim të lartë e që punon jashtë shtetit dhe jo në vendlindje, uljes së konsumit dhe pagesës më të vogël edhe të TVSH-së, mund të konstatohet se dëmet nga migrimi janë së paku për 1 miliardë euro në vit, shkruan gazeta KOHA. Mirëpo, emigracioni i lartë i njerëzve të arsimuar në Evropë dhe botën perëndimore, që shoqërohet jo vetëm me humbje të kapitalit njerëzor, ka edhe pasoja të pafavorshme për zhvillimin ekonomik.
HUMBET ZHVILLIMI I VENDIT
Sociologia Svetllana Ilievska thotë se ikja e madhe e të rinjve paraqet një dëm të madh për shtetin për shkak se largohen të rinjtë të edukuar dhe të aftë për punë. “Shteti, jo vetëm që po humb resurset e ardhshme, por humb edhe mjetet që ka investuar në zhvillimin dhe arsimin e të rinjve. Gjithashtu, ato që ikin në mërgim shpesh edhe mbesin atje përfundimisht duke tërhequr pas edhe familjen, me çka nuk kanë edhe kujt ti dërgojnë të holla në vendlindje, ndërsa fëmijët e tyre gradualisht do të kenë edhe lidhje më të dobëta me familjen e tyre në vend”, shton ajo. Sipas saj, probleme tjera që shkakton emigracioni është edhe plakja e popullatës apo me fjalë të tjera mund të presim që të shndërrohemi në një periudhë edhe jo aq të largët në shtet pensionistësh.
Në ndërkohë, edhe analizat e Bankës Botërore tregojnë se një e katërta apo 500 mijë njerëz janë shpërngulur nga Maqedonia. Prej tyre, dy të tretat janë punëtorë të aftë për punë, ndërsa një e treta janë me arsim të lartë ku dominojnë profesionistët nga Teknologjia Informatike. Nga ky institucion theksojnë se nevojitet të ndërmerren hapa për të zbutur ikjen e trurit nga shteti, për shkak se kjo dukuri dëmton dhe rrezikon edhe tërë ekonominë, tregun e punës si dhe vetë qëndrueshmërinë e fondit pensional dhe shëndetësor.
“Kur do të krahasojmë derdhjen e talenteve nga Maqedonia e Veriut në raport me 24 shtete të tjera të Evropës lindore, atëherë mund të thuhet se Maqedonia së Bashku me Ermeninë, Moldavinë dhe Bosnje e Hercegovinën janë shtetet ku kemi më shumë ikje të kuadrit me arsim të lartë:”, thotë Bojan Shimbov nga Banka Botërore. Nga ana tjetër, lidhur me rreziqet dhe sfidat për ekonominë e vendit nga Banka Botërore theksojnë se përderisa qeveria prezantoi dy programe për të luftuar informalitetin apo ekonominë formale që vlerësohet në 30-40 për qind të Prodhimit të brendshëm bruto, apo afër 3 deri 4 miliardë euro, megjithatë shtohet se një aksion i tillë duhet të mbështetet edhe më një ambient më të favorshëm ekonomik.
“Edhe pse këto masa kanë për qëllim të trajtojnë një nga kufizimet kryesore të ekonomisë , megjithatë ato nuk ka gjasa të zgjidhin këtë çështje, nëse nuk shoqërohet me forcim të administratës tatimore dhe efikasitetit të inspektimit së bashku me përmirësimet e mëtutjeshme në ofrimin e shërbimeve publike si dhe kornizë ligjore për bizneset”, tregojnë analizat e Bankës Botërore.
PLAGA MË E MADHE SOCIALE E RAJONIT
Në raportin e saj njëherësh rekomandohet që pavarësisht nga viti parazgjedhor, janë të nevojshme reforma të mëtejshme për zgjidhjen e sfidave si kapitali njerëzor i ulët dhe në rënie, politikat e dobëta të konkurrencës, gjyqësori, rënia e produktivitetit dhe migrimit në rritje. Në ndërkohë analizat e ndryshme tregojnë se “Ikja e trurit”, pra emigrimi i individëve të aftë dhe të arsimuar në kërkim të vendeve të punës me paga më të larta ose të kushteve më të mira është padyshim plaga më e madhe sociale e rajonit.
Në një studim të botuar kohët e fundit nga Gallup për “ikjen e trurit”, vendet e Ballkanit Perëndimor renditen të parat në Evropë. Studimi, i cili u zhvillua mes viteve 2015 dhe 2017, përfshin gjysmë milion qytetarë nga 152 shtete. Ai tregon se 42 për qind e qytetarëve të Kosovës dëshirojnë të largohen nga vendi, duke e renditur Prishtinën të parën në Evropë dhe të tretën në botë. Në Shqipëri dhe Bosnje dhe Hercegovinë, 32 për qind e qytetarë duan po ashtu të largohen nga vendi për një jetë më të mirë. Kjo renditje ndiqet nga Maqedonia me 30 për qind dhe Serbia me 25 për qind. Mali i Zi ka një rezultat disi më “pozitiv”, me 25 për qind të të rinjve të arsimuar që duan të largohen nga vendi. Ekspertët shprehen se ky fenomen është përhapur edhe më shumë gjatë vitit që po lëmë pas, për shkak të lehtësirave të krijuara nga Gjermania dhe se në vitin e ardhshëm ka të ngjarë të rezultojë me largimin e më shumë të rinjve nga rajoni.
Ndryshe, vlerësohet se vendet me më pak punëtorë të kualifikuar të lartë kanë përvojë më të lartë të emigracionit. Faktorë të ndryshëm drejtojnë ikjen e trurit nga këto vende. Përveç pagave më të larta, ato përfshijnë mundësi për avancim profesional dhe trajnim, të ardhme më të mirë për anëtarët e familjes dhe kushte më të mira jetese dhe pune. (koha.mk)