Humbja e shkathtësive të ndryshme të fuqisë punëtore që ikën jashtë shtetit, si dhe mungesa e financimit në nivelet fillestare të biznesit, janë faktorët kryesor që pengojnë zhvillimin e sipërmarrjes në Maqedoni
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 14 gusht – Humbja e shkathtësive të ndryshme të fuqisë punëtore që ikën jashtë shtetit, si dhe mungesa e financimit në nivelet fillestare të biznesit, janë faktorët kryesor që pengojnë zhvillimin e sipërmarrjes në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA.
Qasja e vështirë ndaj financimit, apo fondet e pamjaftueshme dhe mungesa e përkrahjes më të madhe për bizneset, paraqesin barrierë të madhe për inovacionet dhe sipërmarrjen, ndërkohë që në vitet e kaluara – rreth 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë me diploma kanë ikur jashtë shtetit. Kjo ndër të tjerash theksohet në analizën e British Council të bazuar edhe në anketat lidhur me perspektivën e bizneseve Startap, që janë zhvilluar në periudhën dhjetor 2017 dhe janar 2018. Raporti më tej thekson se fuqia e ulët blerëse, problemet me vonesën e pagesave, jostabiliteti politik dhe ekonomik në shtet, joefikasiteti i institucioneve, gjithashtu janë faktorët e tjerë që e vështirësojnë zhvillimin e biznesit në Maqedoni. Gjithashtu, edhe mungesa e përkrahjes më të madhe në nivel shteti paraqet barrierë të madhe për inovacionet dhe sipërmarrjen.
“Ekziston një nevojë e veçantë për qasje në kapital të përballueshëm. Kjo është e ngjashme për sfidën që po trajtohet nga disa nga programet mikrofinanciare rurale në Azi”, tregon raporti nevojën që sipërmarrësit e rinj të mbështeten në mënyrë më serioze lidhur me financimin e bizneseve të tyre.
Nga ana tjetër, niveli i ulët i shkathtësive të sipërmarrësve gjithashtu renditet ndër sfidat kryesore të kompanive të vogla dhe të mesme në Maqedoni. Ekziston edhe nevoja e rritjes së vetëdijes së sipërmarrjes tek të rinjtë nën 25 vjet. Analiza më tej thekson se, përkundër faktit se është investuar energji dhe mund, megjithatë mbetet akoma nevoja për të avancuar shkathtësitë e ekipeve sipërmarrëse. Maqedonia ka potencial të madh të sipërmarrësve që janë në kërkim e sipër të mundësive, por që ju mungon përkrahja më e madhe. Ato mund të kenë benefite nga një ngjarje e fokusuar ku do të grumbullohen të gjithë industritë nga tërë Maqedoni.
Raporti vëren se arsimi i mesëm profesional nuk është tërheqës për të rinjtë, ndërsa nënvizohet edhe mangësia e lidhjes më të ngushtë të sistemit të arsimit profesional me sektorin e biznesit.
Është interesant të theksohet se sipërmarrësit me 35 për qind më shumë kanë besim tek miqtë dhe familja, me 21 për qind të besimit vijojnë kolegët dhe të punësuarit, pasojnë kontabilistët me 18 për qind, avokatët me 10 për qind dhe këshilltarët financiar me 3 për qind. Ndryshe, për rëndësinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, potencialin e tyre për të rritur punësimin dhe për të përmirësuar mirëqenien, flet edhe fakti se ato përbëjnë gati dy të tretat e ekonomisë dhe rreth tre të katërtat e të gjitha vendeve të punës.
Gjithashtu, kontributi i tyre në ekonominë e vendit u rrit në periudhën 2008-2014 për 7 për qind, ndërsa punësimi u rrit me 13 për qind. Me fjalë të tjera, sipas raport-progresit të Komisionit Evropian për vitin 2017, kompanitë e vogla dhe të mesme kontribuojnë në afër 74 për qind të punësimit dhe 57.4 për qind të vlerës së shtuar. Gjithashtu, më tepër se 80 për qind e tyre janë të orientuar të punojnë brenda shtetit dhe nuk janë të orientuara drejt eksportit. (koha.mk)