Sipas hulumtimit të Fondacionit “Fridrih Ebert” shumica e të rinjve të vendeve të Ballkanit, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, nuk duan që të angazhohen në politikë, por duan lidership autoritar dhe shtet të fuqishëm i cili mund të krijoj një sistem më të mirë arsimor dhe rritjen e sigurisë sociale
Destan JONUZI
Shkup, 31 maj – Mbi 92 për qind e të rinjve në Maqedoninë e Veriut kanë frikë nga papunësia, dhe kanë shprehur shqetësim për shkak të humbjes së shpresave dhe mundësive profesionale në tregun e punës. Pasiguria nuk është më e vogël as midis vendeve tjera të Ballkanit, shkruan gazeta KOHA. Në Kroaci është 87 për qind, ndërsa në Serbi 80 për qind. Këtë e tregojnë rezultatet e hulumtimit “Studimet e të rinjve në Evropën Juglindore 2018/19” nga Fondacioni “Fridrih Ebert”.
Sipas këtij hulumtimi shumica e të rinjve të vendeve të Ballkanit nuk duan që të angazhohen në politikë, por duan lidership autoritar dhe shtet të fuqishëm i cili mund të krijoj një sistem më të mirë arsimor dhe rritjen e sigurisë sociale. Përderisa institucionet shtetërore nuk kanë informacion për numrin e të rinjve që janë larguar nga vendi, madje nuk dihen as profilet e atyre të cilët janë larguar për të gjetur punë në ndonjë nga vendet e Bashkimit Evropian (BE), në bazë të dhënave të Bankës Botërore, shkalla e papunësisë në mesin e të rinjve në Maqedoninë e Veriut, është mbi 50 për qind.
Rita Behadini nga Parlamenti studentor i Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL) thotë se të rinjtë që e lënë vendin janë zakonisht ata që vetëm se i kanë mbaruar studimet ose edhe nuk i kanë filluar fare. “Numri i të diplomuarve mendoj se është në rritje pasi në Maqedoninë e Veriut gjithkush ka mundësi të fillojë studimet dhe nuk ka kritere të vendosura. Kjo ndikon edhe në rënien e cilësisë së arsimit. Mendoj se arsyeja pse të rinjtë largohen nuk është vetëm papunësia, por tanimë ata kërkojnë një standard jetësor më të lartë dhe jetë më stabile, një sistem që funksionon dhe nuk i lë në baltë”, deklaroi për gazetën KOHA, Behadini.
Nga ana tjetër, Ariton Rama nga Forumi Rinor Shqiptar (FRSH), thekson se ikja e të rinjve nga vendi tash më fatkeqësisht është alternativë dhe mundësi për të diplomuarit, kjo si pasojë e klisheve të njohura duke u mbështetur në perceptimin se më shumë flitet për ikjen se sa që angazhohen për parandalimin e ikjen e të rinjve. “Ulja e standardit social,mungesa e stimulimit ekonomik, krizat e vazhdueshme politike, ulja e sigurisë së përditshmërisë, janë faktor të drejtpërdrejt që kanë arritur deri në një depresion shoqëror që nuk e shohin të ardhmen në trojet e tyre”, theksoi Rama. Ndërkohë, radhët e gjata të qytetarëve që presin para dyerve të ambasadës gjermane në Shkup, për të marrë një përgjigje për vizë pune, tregon se Gjermania mbetet destinacioni i preferuar ku ata e shohin të ardhmen e tyre. Por, të rinjtë “shpëtim” kërkojnë edhe në vendet tjera evropiane dhe oqeanike. (koha.mk)