Laura PAPRANIKU
Shkup, 17 janar – Rritja e vazhdueshme e shkallës së arsimimit të popullatës në Maqedoni, respektivisht zbatimi i politikave për përfshirje gjithnjë e më të madhe të rinjve në shkolla edhe atë në të gjitha nivelet, nuk ka mundur të eliminojë dukurinë e analfabetizmit. Për pasojë, edhe shkalla e papunësisë është madhe – edhe atë 4 për qind në vitin 2016, shkruan gazeta KOHA. Ka një zvogëlim të kësaj masë, nëse e krahasojmë me 32.2 përqindëshin e vitin 2009, por megjithatë – niveli i papunësisë mbetet i lartë. Pjesa dërmuese e popullsisë që përbëjnë armatën e të papunëve në Maqedoni janë kategoria e personave që nuk kanë kryer kurrfarë shkollimi, pra ose që nuk ia kanë dalë të mbarojnë arsimin fillor ose që nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e saj.
Të dhënat që jepen në Strategjinë Gjithëpërfshirëse të Arsimit (2018-2015) janë alarmante. “Në vitin 2016, 25.2 për qind e personave të moshës nga 15-24 vjet as kanë qenë inkuadruar ndonjëherë në sistemin arsimor dhe as janë të punësuar”, thuhet mes tjerash në dokumentin e kësaj Strategjie. Brenda këtij harku kohor është rritur vazhdimisht dhe shkalla e migrimit, nga 1065 persona në vitin 2009 në 4324 në vitin 2015, ndërsa është regjistruar një ulje e lehtë e migrimit në vitin 2016 edhe atë në 4113 persona.
Mirëpo, pjesa dërmuese e personave të larguar janë kategoria e të arsimuarve. Dominon popullata më arsim të mesëm – 25 për qind për vitin 2016, 31 për qind për vitin 2014, 34.4 për qind në vitin 2013 dhe 41.8 për qind në vitin 2012. Pas tyre vijnë personat me arsim të lartë (ku bëjnë pjesë edhe magjistrat) e të cilët në vitin 2016 merrni pjesë me 9.8 për qind të popullatës së shpërngulur. Në vitet e ndërmjetme, përqindja e tyre lëviz nga 10.7 për qind në vitin 2014, 17.3 në vitin 2013 dhe 28.3 në vitin 2012.
Ndërkaq, numri i të imigruarve me arsim fillor në vitin 2016 ishte 6.1 për qind dhe që është dukshëm më pak se vitet e paraprake (13.2 për qind në vitin 2014, 17.3 për qind në vitin 2013 dhe 28.3 për qind në vitin 2012). Personat me kualifikime shkencore janë grupi më i vogël i të shpërngulurve, edhe atë 0.2 për qind e numrit të përgjithshëm të tyre. Zvogëlimi nga njëra anë e përqindjes së të shpërngulurve me arsim fillor dhe e rritjes së vazhdueshme të përqindjes me arsim të mesëm ashtu sikurse edhe përqindjet relativisht të larta të personave që kanë kryer studimet universitare dhe janë magjistra të shkencave, tregon se tregu i jashtëm përthith më shumë personat me kualifikime të mesme dhe të larta. Prandaj, një prej sfidave të sistemit arsimor në Maqedoni është edhe ajo e gjenerimit të vendeve të reja të punës si pjesë integrale e politikave të zhvillimit ekonomik të vendit.
Në këtë drejtim, forcimi i arsimit të mesëm, që prej vitit 2007 është i obligueshëm për të gjithë, përveçse përbën një sfidë – duhet të shënojë edhe një prioritet të lartë për politikat afatshkurtra të Ministrisë të Arsimit dhe Shkencës.
Në mesin e 124 shkollave të mesme, 108 janë publike dhe 16 private. Ndërkaq prej të parave 23 janë vetëm gjimnaze, 43 vetëm profesionale, 33 të përziera, 4 shkolla për nxënës me nevoja të posaçme, si dhe 5 shkolla artistike. Vitin e kaluar shkollor (2016/2017) nga 85.075 nxënës të përfshirë në shkollat e mesme publike, rreth 59 për qind e tyre (44.064 nxënës)ishin pjesë e shkollave të mesme profesionale, prej të cilëve 44.7 për qind femra. Pjesa dërmuese e nxënësve që në Maqedoni regjistrohen në shkollat profesionale orientohen në arsimin katërvjeçar.
Të dhënat e MASH-it tregojnë se vetëm 6.9 për qind në nivel të shkollave profesionale dhe 4.1 për qind në nivel të arsimit të mesëm orientohen drejt shkollave të mesme trevjeçare. Pra, vitin që shkoi në këtë kategori nuk ishin më shumë se 3053 nxënës. Madje, viteve të fundit është shtuar edhe kategoria e pas arsimit të mesëm, respektivisht e atyre që pasi kanë marrë një diplomë të shkollës së mesme profesionale trevjeçare, plotësojnë nivelin e tyre të shkollimit me arsim të mesëm katërvjeçar. Të dhënat zyrtare flasin se vitin e kaluar shkollor ishin përshirë 1049 persona në kategorinë e pas arsimit të mesëm. (koha.mk)