Nga 54 perona, të cilët MPB-ja i kërkon me flet-arreste ndërkombëtare, 90 për qind prej tyre kanë shtetësi të Republikës së Maqedonisë, ndërsa 10 për qind janë shtetas të huaj ose kanë shtetësi të dyfishtë. Disa prej tyre, siç është rasti me ish-drejtorin e Doganave të Maqedonisë, Dragan Daravellski dhe ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, edhe pse të akuzuar për mallverzime të mëdha financiare, ata po bëjnë jetë luksi në Beograd dhe Budapest
Destan JONUZI
Shkup, 8 janar – Uniformat “blu” të Maqedonisë janë në kërkim ndërkombëtar të 54 shtetasve të saj, ndaj të cilëve edhe janë shpallur flet-arreste ndërkombëtare. Të njëjtit akuzohen për vepra të rënda penale vrasje, pedofili, trafikim me qenie njerëzore, drogë, keqpërdorim të detyrës zyrtare, vjedhje të pasurisë shtetërore etj. Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), gazeta KOHA mëson se në listën e të kërkuarve me flet-arrest ndërkombëtar ka edhe persona të cilët kërkohen nga policia edhe për 20 vite rresht, por që nuk janë prangosur. Edhe pse “sekret publik” është se vendndodhjen e disa prej tyre e dinë jo vetëm policia e Maqedonisë dhe Interpoli, por edhe çdo qytetarë i rëndomtë i Maqedonisë.
Në mesin e të akuzuarve për vrasje, të cilin policia e kërkon për më shumë se 20 vite është edhe Aco Bocesvki i njohur si Ace Ciganot nga Shkupi. Nofkën “Ace Ciganot” e mori pas një ndërhyrje të dhunshme në diskotekën “Hard Rok” në Shkup, ndërsa policia e kërkon me flet-arrest ndërkombëtar për vrasjen e biznesmenit shqiptar Sead Ibrahimi nga Draçeva e Shkupit. Sipas informacioneve të liferuara, Bocevski vrasjen e ka kryer pasi është rrahur në mënyrë brutale nga Ibrahimi.
Po ashtu, pas vrasjes së biznesmenit shqiptar – një version tjetër jozyrtar që ka qarkulluar në opinion është se pushteti i atëhershëm i Branko Cërvekovskit i ka pasur borxh në para Ibrahimit, për furnizimin që ai i ka bërë MPB-së me motoçikleta të sjellura nga Zvicra. Bocevski u dënua me 15 vite burg më 30 qershor të vitit 1998, dhe pasi u burgos – në mënyrë misterioze u lirua dhe arriti të largohet nga vendi.
Një tjetër rast specifik i të kërkuarve me flet-arrest ndërkombëtar është edhe rasti me ish-drejtorin e Doganave të Maqedonisë, Dragan Daravellski. Atë, në Maqedoni e pret vuajtja e dënimit me 7 vite burg për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Ai me mjeshtri po i ik ligjit, duke shfrytëzuar shtetësinë e tij të dyfishtë, atë serbe, ku edhe po jeton për momentin në Beograd. Qarkullojnë informacione në mediat serbe se jeta e tij në Beograd është tepër luksoze dhe nuk ngjason fare me jetën e një personi i cili kërkohet me flet-arrest ndërkombëtar. Të njëjtin “marifet” së fundmi e ka bërë edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, i cili ngarkohet me akuza të rënda nga Prokuroria Speciale Publike (PSP) për malverzime të mëdha financiare dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ai ka arritur që në mënyrë të “kontrabanduar” të largohet nga Maqedonia dhe të strehohet në Hungari, shtet ky, autoritet e të cilës e pajisën me leje qëndrimi të azil-kërkuesit.
Sipas statistikave të MPB-së, mbi 90 për qind e të kërkuarave me flet-arreste ndërkombëtar posedojnë shtetësi të Maqedonisë, ndërsa 10 për qind janë me shtetësi të huaj. Siç është rasti me Gamper Vollfgang nga Vjena e Austrisë, i cili akuzohet sipas nenit 353 të Kodit penal të Maqedonisë për vepra të kryera penale në territorin e Republikës së Maqedonisë. Në mesin e atyre që kërkohen me flet-arrest ndërkombëtar janë edhe 10 shtetas të Maqedonisë për vjedhje të kryera në Kroaci, por ka edhe të akuzuar që kanë kryer vjedhje të rënda në Gjermani, Slloveni, Amerikë, Shqipëri etj. Ndërkaq, njohësit e zhvillimeve juridike thonë se në të kaluarën ka pasur raste kur vendimet e gjyqësorit, por edhe proceset e ekstradimit të jenë ndikuar nga politika dhe faktor tjerë dhe se, sipas tyre, MPB është vetëm një servis i cili zbaton urdhrat e gjyqësorit. Ato thonë se flet-arrest ndërkombëtar shpallet me urdhër gjyqësor, ndërsa “shfercerave” të veprave të rënda asnjëherë nuk u falet dënimi.
“Në të kaluarën ka pas raste kur politika ka pasur gisht në neglizhencën e institucioneve të drejtësisë. Por edhe pse ka ngecje prej 20 viteve, ato persona përsëri mund të dalin para drejtësisë, për arsye se jo çdo vepër mund të vjetërsohet pasi t’i ketë kaluar 20 vite. Por, të dënohen njerëzit për të cilët është vërtetuar vepra në një proces transparanet dhe të pastër gjyqësor, për arsye se në mesin e atyre që kërkohen me flet-arrest ndërkombëtar ka edhe persona ndaj të cilëve nuk është vërtetuar vepra për të cilën ato ngarkohen”, deklaroi për gazetën KOHA, Asmir Alispahiç, avokat. Nga ana tjetër, juristi Qenan Aliu thotë se edhe pse Maqedonia është anëtare e INTERPOLIT dhe se nga policia e shtetit ka njerëz për të cilët është ngritur flet-arrest ndërkombëtar, ka të ngjarë që personat e akuzuar ende nuk janë ndaluar apo nuk ekstradohen.
“Nga Maqedonia ka ish-funksionarë që është i dënuar me vendim të prerë gjyqësor, por jeton i lirë në shtetin fqinjë. Kjo ka ndodhur sepse i njëjti para vendimit të plotfuqishëm gjyqësor ka siguruar shtetësinë nga shteti fqinjë – nga Serbia në të shumtën e rasteve, dhe organet nuk e lejojnë ekstradimin edhe pse është kërkuar nga Maqedonia. E të mos flasim për raste tjera ku mund të jenë të involvuar dhe rrjete tjera kriminale dhe mafioze për ikje nga ekstradimi apo mos realizimi i saj. Çështja e ekstradimit përveç asaj që është e rregulluar me norma ndërkombëtare, ka të bëjë edhe me atë sesi e kanë të rregulluar shtetet. Në fakt, shteti që kërkon ekstradim dhe shteti që duhet t’a lejojë atë me marrëveshjet bilaterale”, deklaroi Aliu.
Megjithatë, shton ai, INETERPOLI është organizatë ndërkombëtare policore e specializuar për kapje apo ekstradim të të kërkuarve, dhe ju siguroj se cili do shtet anëtarë që është i interesuar seriozisht për kapjen apo ekstradimin e cilitdo të kërkuar, kjo organizatë policore mund ta realizojë atë në forma të ndryshme. “Kjo organizatë ndërkombëtare punon për para të majme aq sa paguhen ashtu edhe zbatojnë format dhe mënyrat e kapjes. Kur ata faturohen sipas çmimeve të nomenklaturës së tyre, punën e kryejnë me saktësinë më të madhe dhe në kohë”, thekson Aliu. (koha.mk)