Listës me çmime, gjithsej pesë, sipas një vendimi të Qeverisë, do t’i shtohet çmimi “Meto Jovanoski”, ndërsa jozyrtarisht i është hequr çmimi “23 Tetori”, ose i quajtur ndryshe çmimi i VMRO-së, që nuk do të jepet për herë të dytë me radhë. Pavarësisht ndryshimeve, lista e çmimeve vazhdon të mbetet e njëjtë – monoetnike, diskriminuese dhe mbi të gjitha pa asnjë çmim nacional për pjesën shqiptare të rangut të “11 Tetorit”
Evis HALILI
Shkup, 17 tetor – Në Ministrinë e Kulturës janë duke u përgatitur ndryshimet më të fundit në Ligjin për çmimet shtetërore. Listës me çmime, gjithsej pesë, sipas një vendimi të Qeverisë do t’i shtohet çmimi Meto Jovanoski me motivacionin me avancimin e të drejtave të njeriut, por po ashtu Qeveria përmes një urdhërese kërkon që në funksion të përmirësimit të tekstit të bëhen ndryshime edhe në dispozita të tjera të këtij ligji, shkruan gazeta KOHA.
Nga ana tjetër listës së çmimeve shtetërore jozyrtarisht i është hequr edhe çmimi “23 Tetori”, ose i quajtur ndryshe çmimi i VMRO-së. Nëse vitin e kaluar ky çmim nuk u dha me arsyetimin se komisionit përkatës i kishte kaluar mandati, edhe as këtë vit nuk u zgjodhën anëtarët e rinj. Në departamentin e çmimeve shtetërore në Ministrinë e Kulturës pohojnë se ky është çmimi i vetëm për të cilin komisioni nuk funksionon prej gati dy vitesh. Në Komisionin për çështjet e zgjedhjeve dhe emërimeve në Parlament nuk japin asnjë koment lidhur me çështjen e emërimeve, si edhe procedurave për komisione të ngjashme, siç është ai për çmimin më të ri “22 Nëntori” ku anëtarët e së cilit janë në pritje të emërimit zyrtar prej disa muajsh.
Ish-ministri i Kulturës, Robert Allagjozovski, pati paralajmëruar ndryshimet në vetë Ligjin për çmimet shtetërore, si pjesë e Strategjisë së re të kulturës dhe reformave që duhej të ndërmerreshin për zhvillimin e kulturës, zhveshjen e saj nga klientelizmi, etnocentrizmi.., e të tjera. Por ka kaluar më shumë se një vit dhe lista e çmimeve shtetërore vazhdon të mbetet e njëjtë – monoetnike, diskriminuese dhe mbi të gjitha pa asnjë çmim nacional për pjesën shqiptare të rangut të “11 Tetorit” për arritje e suksese të veçanta në fushën e kulturës, arsimit, e të tjera.
Nëse do të ketë ndryshime dhe cilat do të jenë ato sa i takon çmimeve shtetërore nuk komentojnë as nga Ministria e Kulturës.
Ndryshimet e fundit në Ligjin për çmimet shtetërore që akordohen një apo disa herë në vit për kontribut dhe merita të veçanta në sfera të ndryshme janë bërë gjashtë vite më parë, por pa ndryshuar profilin monoetnik të tyre, me një përjashtim, çmimin “Nënë Tereza”, i cili iu shtua listës në vitin 2006, me një vlerë prej pesë paga mujore. Një vit më vonë u shtua edhe çmimi 23 Tetori, në vlerë 10 paga mujore.
“11 Tetori” që jepet nga Ministria e Kulturës është çmimi më i rëndësishëm, sa i takon vlerës (15 paga mujore mesatare) dhe benifiteve që përfitojnë bartësit e tij. I dyti është “Shën Klimenti i Ohrit” (10 paga mujore mesatare ), ndërsa përfitimet janë më të vogla nga çmimet e tjera si “Mito Haxhi Vasiliev Jasmin” “Goce Dellçev”.
ÇMIMET SHTETËRORE
“11 TETORI” (MINISTRIA E KULTURËS) Dita e kryengritjes së popullit maqedonas. Jep mirënjohjen më të lartë për veprën jetësore në fushën e shkencës, artit, ekonomisë, si dhe në veprimtari të tjera me interes publik. Brenda një viti mund të ndahen deri në pesë çmime. Vlera: 15 paga mujore mesatare. Është akorduar për herë të parë në vitin 1959.
“SHËN KLIMENTI I OHRIT” (MINISTRIA E KULTURËS) Dita e Shën Klimentit, 8 dhjetor. Jep mirënjohjen më të lartë për arritje shumëvjeçare në fushën e edukimit, arsimit, kulturës, artit, shëndetit, sportit, mbrojtjes dhe avancimit të mjedisit human dhe në veprimtarinë sociale. Brenda një viti jepen deri në pesë çmime. Vlera: 10 paga mujore mesatare. Është akorduar për herë të parë në vitin 1969.
23 TETORI (MINISTRIA E KULTURËS) Dita e Luftës revolucionare maqedonase (i shtuar në vitin 2007). Jep mirënjohje më të lartë për arritje në sferën e shkencës, kulturës, arsimit, mbrojtjes së interesave shtetërore dhe promovimit të prioriteteve shtetërore, vlerave dhe trashëgimisë kulturore-historike të Maqedonisë. Brenda një viti jepen më së shumti pesë çmime. Vlera: 10 paga mujore mesatare. Është akorduar për herë të parë në vitin 2007.
“GOCE DELLÇEV” (MINISTRIA E ARSIMIT) Dita e vdekjes së Goce Dellçev, 4 maj. Jep mirënjohje për arritje në sferën e shkencës. Brenda një viti jepen më së shumti deri në tre çmime. Vlera: pesë paga mujore mesatare. Është akorduar për herë të parë në vitin 1969.
“MITO HAXHI VASILIEV JASMIN” (MINISTRIA E KULTURËS) Dita e lindjes së Mito Haxhi Vasilievit, 21 dhjetor. Jep mirënjohje për arritje në sferën e publicistikës dhe gazetarisë. Brenda një viti mund të akordohen deri në dy çmime. Vlera: pesë paga mujore mesatare. Është akorduar për herë të parë në vitin 1969.
“NËNË TEREZA”(MINISTRIA E KULTURËS) Dita e lindjes së Nënë Terezës, 26 gusht. Jep mirënjohje për arritje në fushën e humanitetit, solidaritetit njerëzor dhe për nxitjen dhe avancimin e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit mes popujve, si edhe mes përfaqësuesve të bashkësive, kulturave dhe religjioneve të ndryshme. Brenda një viti jepet deri në dy herë. Vlera: pesë paga mujore mesatare. Është akorduar për herë të parë në vitin 2006.
8 SHTATORI (AGJENCIA E TË RINJVE DHE SPORTIT) (2012) Dita e pavarësisë së Maqedonisë. Jep mirënjohje për arritje në sferën e sportit për sportistë, trajnerë dhe punonjës në sport. Brenda një viti mund të akordohen deri në pesë çmime Vlera: dhjetë paga mujore mesatare. Pension i përjetshëm në vlerën e një page mujore mesatare. Është akorduar për herë të parë në vitin 2012. (koha.mk)