Korrigjohuni Ivanov sa nuk është vonë se me siguri do të vjen dita që edhe Ju do të përgjigjeni para ligjit për atë se si i keni kryer detyrat dhe punët si President i Shtetit. Rrugë tjetër nuk ekziston. Nëse nuk ndryshoni mendje, më mirë është ikni, sepse këso Presidenti nuk i duhet as dreqit e jo më popullit shtetit
Nga Rexhep TORTE
Në mënyrë sistematike dhe një kohë të gjatë jemi duke e ndjekur me sa përgjegjësi dhe si po e kryen[ detyrën aq të rëndësishme të Presidentit të shtetit të Maqedonisë. Veprimet e qëndrimet Tuaja na duken të çuditshme e të pamatura, dh e që nuk kanë asnjë nishan që mund ti quajmë veprime të personit që është në postin e Presidentit të Shtetit. Të gjitha këto konsistojnë dhe po na bindin çdo ditë e më shumë që të kuptojmë se jeni vënë në mbrojtje të interesave të gabuara të VMRO-DPMNE-së, të partisë që i takoni dhe që u vuri në postin e Presidentit të Shtetit, dhe nuk e lodhni aspak mendjen se duhet të jeni President i tërë banorëve të këtij shteti. Qëndrimet Tuaja as më pak e as më shumë i ngjajnë asaj që mund ta bëjë vetëm një person i kalibrit Tuaj.
Vetë zgjedhja e Juaj si President i shtetit qe e diskutueshme sidomos nga BDI, partia bashkëqeverisëse, e cila asokohe kërkonte me ngulm që Presidenti i Shtetit të zgjidhet me konsensus dhe që nuk Ju votoi, por që VMRO-DPMNE e Nikolla Gruevskit me autaritazmin e saj të tepruar dhe arrogant në asnjë mënyrë nuk e përfilli konsensusin e kërkuar, sepse kishte për qëllim që Presidenti i Republikës të jetë një marionetë partiake dhe asgjë më shumë, e mund të themi se këtë qëllim edhe e arriti plotësisht.
Këto konstatime po i ilustrojmë vetëm me disa shembuj konkretë mbase ka edhe më shumë.
Gabbimi i parë që e bëtë ishte se mbajtët një inat ekstrem ndaj partisë BDI dhe nuk e patë të arsyeshme që ti emëronit ambasadorët shqiptarë të propozuar, edhe pse kokëfortësia Juaj i solli dëm të madh Republikës së Maqedonisë në rrafshin diplomatik ndërkombëtar në propagandimin dhe prezantimin e vlerave shtetërore.
Gabimi i dytë i Juaji ishte se asnjëherë nuk patët guximin t’ia tërhiqnit vërejtjen ose ta kritikonit Nikolla Georgievskin, kur deklaronte se nuk do të lejojë asnjëherë që fëmijët maqedonas ta mësojnë gjuhën shqipe që nga mosha kur i frekuentojnë kopshtet e fëmijëve, apo kur deklaronte se asnjëherë në Republikën e Maqedonisë nuk do të lejojë që kryeministri të jetë shqiptar. Por ja që tani Talat Xhaferi është kryetar i Parlamentit të Maqedonisë dhe se detyrën e tij është duke e kryer në mënyrë të mrekullueshme, edhe pse partia e Juaj në vazhdimësi i nxjerr nëpërkëmbëza banale.
Gabimi i tretë i Juaji ishte se nuk e patë të udhës ta ngrinit zërin si President i Shtetit të paktën njëherë kundër projektit megaloman të Qeverisë Gruevski “Shkupi 2014”, që kushtoi miliona euro, e shtoi korrupsionin dhe e rrëndoi edhe më shumë varfërinë në Maqedoni, në vend që me ato investime të ndërtoheshin fabrika dhe të hapeshin vende të reja pune.
Gabimi i katërt i Juaji ishte se të paktën nuk i rekomanduat Nikolla Gruevskit që ta reduktonte sadopak numrin e vëmërovcave partiakë si nëpunës të administratës shtetërore, gjë që Qeverisë së tanishme i ka shkaktuar kokëçarje të mëdha, sepse jo vetëm që këto punësime janë të stërngarkuara, por këta të punësuar nuk kanë as njohuritë më elementare profesionale të dijes për tu ballafaquar me obligimet dhe detyrat e punëve që i presin.
Gabimi i pestë i Juaji ishte se i bënit obstruksione dhe nuk e dekretonit për një kohë të gjatë Zoran Zaevin, fituesin e zgjedhjeve presidenciale për ta konstituuar parlamentin dhe për ta themeluar Qeverinë e re të Maqedonisë. Kohë tepër e gjatë kaloi në këtë drejtim, gjë që i kushtoi shumë Maqedonisë në realizimin e objektivave dhe reformave të domosdoshme. Si rezultat i kësaj u inensifikuan protestat gjoja për Maqedoninë, e që eskaluan me rastin e zgjedhjes së Talat Xhaferit kryetar i Parlamentit të Maqedonisë mbrëmjen e 27 prillit 2017, kur protestuesit në mënyrë të dhunshme u futën në Parlament dhe ushtruan terror të paparë, duke tentuar ti vrasin deputetin Zeadin Sela dhe Zoran Zaevin si mandatar të Qeverisë së re.
Gabimi i gjashtë i Juaji ishte se i udhëhequr nga paternalizmi partiak keqpërdorët detyrën zyrtare duke shpallur abolacionin për ti amnistuar nga ndjekja penale dhe dënimi funksionarët e VMRO-DPMNE dhe personat të lidhur me ata, të cilët ndiqen e paditen mbi bazën e të ashtuquajturave “bomba “ të Zoran Zaevit edhe pse çdo ditë po zbulohen veprimet e tyre korruptive dhe të dënueshme.
Gabimi i shtatë i Juaji ishte se nuk e dekretuat Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe që e miratoi Parlamenti i Maqedonisë, por gjithnjë arsyetoheshit se një ligj të tillë nuk do ta dekretoni, se gjoja përdorimi i tij na e rrezikuaka karakterin unitar të Maqedonisë, gjë që nuk është aspak e vërtetë, sepse përdorimi i gjuhës shqipe është e drejtë legjitime e shqiptarëve në Maqedoni, të cilët jetojnë në trojet e tyre denbabaden shekullore, të cilët kanë identitetin, gjuhën dhe kulturën e tyre të pastër e të pakontestueshme nga askush, sidomos kur dihet se shqiptarët pa dëshirën e tyre janë ndarë nga shteti amë. Përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni do të jetë një hap para në demokratizimin e shtetit dhe asgjë tjetër.
Gabimi i tetë i Juaji ishte se e shprehët publikisht që jeni kundër Marrëveshjes historike të Prespës të arritur ndërmjet kryeministrave Zaev e Kipras, edhe pse Maqedonisë me këtë marrëveshje i hapen dyert për tu pranuar në NATO dhe BE, me çka do të krijoheshin mundësi për zhvillim ekonomik të hovshëm nëpërmjet garancisë së investimeve nga jashtë, gjë që do ta fuqizonte mirëqenien, ndërpriste largimin e të rinjve nga Maqedonia dhe do ta shtonte sigurinë e banorëve nga rreziqet eventuale të jashtme.
Gabimi i nëntë i Juaji ishte se nuk arritët të kuptonit se për çfarë arsye një numër i madh i funksionarëve të lartë burrështetas apo ushtarakë nga jashtë, të cilët kohëve të fundit e vizituan Maqedoninë u anashkaluan dhe as nuk e panë të nevojshme që të takohen me Ju si President i Shtetit.
Gabimi i dhjetë i Juaji ishte se më datë 23 shtator 2018 nuk e patë të arsyeshme të korrigjoheni, por para Diasporës së Bashkuar Të Maqedonisë në Detroit deklaruat publikisht se, më 30 shator 2018 do ta bojkotoni Referendumin, duke e përmendur refrenin që tashmë e thoni si vjershë se, gjoja me këtë mbroni Kushtetutën, ligjet, mosndryshimin e emrit dhe integritetin e Maqedonisë. Me këtë deklaratë e dhatë shembullin më të keq si President i Shtetit, sepse Ju nuk keni as mundësi dhe as kaçik ta mbroni Kushtetutën, ligjin, identitetin dhe sovranitetin e Maqedonisë, për arsye se për të gjitha këto vendos populli dhe këtë do ta dëshmojë më 30 shtator duke i thënë PO Referendumit.
Nuk e kuptojmë a e keni analizuar veten se çfarë jeni duke vepruar, kur është evidente sa funksionarë e burra shtetesh e vizituan këtyre ditëve Maqedoninë nga SHBA-të, BE, NATO dhe shtetet mike të Maqedonisë , duke rekomanduar dhe duke dëshmuar se ky është shansi i vetëm që duhet ta shfrytëzojmë në të mirë të gjeneratave të tashme e të ardhshme për prosperitet ekonomik dhe për garanci të sigurisë në Maqedoni e në rajon. A e kuptoni President Gjorgje Ivanov se Ju, Mickovski dhe Baçev, jeni treshi i vetëm kundrejt shumicës në Maqedoni, e cila dëshiron mirëqenie dhe përparim. Treshi i Juaj asnjëherë nuk do të jetë në gjendje ta ndihmojë Maqedoninë. A e kuptoni President Gjorgje Ivanov se falë politikës së gabuar të VMRO-DPMNE-së gjatë qeverisjes së saj tre mandate, janë duke u zhvilluar kaq procese gjyqësore kundër keqpërdorimeve, korrupsionit dhe mosrespektimit të ligjeve. Korrigjohuni Ivanov sa nuk është vonë se me siguri do të vjen dita që edhe Ju do të përgjigjeni para ligjit për atë se si i keni kryer detyrat dhe punët si President i Shtetit. Rrugë tjetër nuk ekziston. Nëse nuk ndryshoni mendje, më mirë është ikni, sepse këso Presidenti nuk i duhet as dreqit e jo më popullit shtetit. (koha.mk)