Frika nga ndërmarrja e rrezikut dhe mungesa e financave vlerësohen se jenë shkaqet kryesore që të rinjtë në Maqedoni më rëndë vendosin të hapin biznesin e tyre
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 13 prill – Sipërmarrësve në Maqedoni si në nivel qendror ashtu edhe lokal nuk ju mungojnë ide të reja për biznes, por ju mungon përkrahja më e madhe financiare si dhe programet konkrete për të hapur dhe zhvilluar biznese të reja. Si të tilla ato mund të jenë vetëm utopi, asgjë më tepër. Këtë e dëshmojnë, si përvojat e konsulentëve të biznesit, ashtu edhe hulumtimet e organizatave të ndryshme, shkruan gazeta KOHA.
Frika nga ndërmarrja e rrezikut dhe mungesa e financave vlerësohen se jenë shkaqet kryesore që të rinjtë në Maqedoni më rëndë vendosin të hapin biznesin e tyre. Dobësitë dhe rreziqet kryesore të sipërmarrjes rinore janë hendeku i madh midis sektorit të biznesit dhe atij të arsimit, sistemi gjyqësor joefikas , qasja e dobët ndaj financave , apatia e përgjithshme te të rinjtë për gjendjen në shtet, ikja e të rinjve në tregun e punës jashtë shtetit, mosbesimi ndaj sistemit, korrupsioni dhe administrata akoma e ngadalshme.
Sipas hulumtimit “Sfidat dhe nevojat e sipërmarrësve të rinj në Maqedoni” , të përgatitur nga Rrjeti për përkrahje e sipërmarrësve të rinj, në shtet nuk mungojnë masa pozitive dhe reforma për përkrahjen e sipërmarrjes dhe zhvillimin e sektorit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme , por megjithatë ato janë të pamjaftueshme dhe nevojitet të ndërmerren edhe më shumë hapa të tjera në shtytjen më të madhe të rinjve që të merren me sipërmarrësi.
Në ndërkohë , konsulentët e biznesit me përvojë të gjatë, thonë se si komunat ashtu edhe shteti nevojitet më shumë të angazhohen në favor të hapjes së bizneseve të reja.
“Në nivel të shtetit nuk mungojnë ide të reja për hapjen e bizneseve, ndërsa nuk kemi programe të mjaftueshme për sipërmarrësi si në aspektin e financave ashtu edhe të resurseve për përkrahje të sipërmarrjes. Bile në nivel qendror edhe ekzistojnë programe të caktuara , megjithatë ato në nivelin lokal ekzistojnë vetëm në nivel simbolik. Komunat në Maqedoni prej vitit 2004 e këndej janë përgjegjëse për zhvillim lokal , mirëpo me përjashtim të qytetit të Shkupit ku ekziston planifikim , ndahen mjete të caktuara si dhe projektohet buxhet për përkrahje të sipërmarrjes, në tërë Maqedoninë gati aspak nuk kemi përkrahje më të madhe për sipërmarrjen”, Nebi Jusufi, konsulent biznesi.
Në ndërkohë edhe programet e ndryshme të USAID në bashkëpunim me institucionet e ndryshme qeveritare angazhohen në përkrahje të biznesit.
“Në bashkëpunim me USAID dhe organizata të tjera punojmë në tejkalimin e hendekut midis nevojave reale financiare të kompanive të vogla dhe të mesme dhe mundësive që i ofron plani qeveritar për rritje ekonomike. Në këtë drejtim do të bashkëpunohet me rrjetin e lehtësuesve përmes angazhimit aktive të tyre, duke siguruar përkrahje për aplikimet e firmave për shfrytëzimin e fondit në vlerë prej 10.5 milion euro”, thotë Jovan Despotovski drejtor i Fondit për Inovacione .
Sipas tij , për çdo ditë nga 10 deri 15 kompanitë interesohen për shfrytëzimin e këtyre mjeteve nga veprimtari të ndryshme në fushën e inovacionit teknologjia informatike, bujqësi, shëndetësi, energjetikë, prodhimtari etj.
Edhe nga USAID, që vite me radhë në mënyra të ndryshme përkrah biznesin vendor përmes konsulencave të ndryshme thonë se angazhohen që tu lehtësohet qasja e firmave ndaj financimit përmes angazhimit të më shumë se 30 lehtësuesve. Lehtësuesit përmes ekspertizës profesionale do të mbështesin biznesin që maksimalisht të shfrytëzojë mjetet që shteti i ofron për përkrahje të sektorit privat.” Qëllimi i projektit është tu ndihmohet firmave në përgatitjen e biznes planeve me qëllim që sektori privat të shfrytëzojë edhe mënyrat e tjera të financimit përveç shërbimeve të bankave “, thotë Biljana Makedonska , drejtore e Projektit për zhvillimin e Sistemit Eko Afarist.
Ndryshe, projekti synon krijimin e vendeve të reja të punës, përmirësimin e shërbimeve afariste dhe qasjen ndaj financave , stimulimin e zhvillimit ekonomik lokal etj. (koha.mk)