Delvina KËRLUKU
Zejna HALIMI ka lindur në vitin 1955 në fshatin Lemnovë (Leunovë). Është rritur në Tetovë ku e ka kryer shkollimin fillor dhe të mesëm, Fakultetin Filozofik – Dega e Pedagogjisë në Shkup. Kontributin i saj ndahet në tre sfera: në arsim, në luftë për barazi gjinore dhe mbledhja e folklorit dhe promovimi i trashëgimisë kulturore të Rekës së Epërme. Ka punuar si mësuese mbi njëzet vite në shkollë fillore, ndërsa nga viti 2002 deri më 2006 ushtron detyrën e drejtores së kopshteve për fëmijë në Tetovë. Nga viti 2007 punon si këshilltare në Byronë për Zhvillimin e Arsimit. Nga viti 2012-2017, nënkryetare e Shoqatës së Pedagogëve Shqiptarë. Kontribut të veçantë ka dhënë në Shoqatën e Lidhjes së Gruas Shqiptare prej vitit 1991deri 1999 si nënkryetare e Shoqatës për të Drejtat e Grave. Në vitet e shtatëdhjeta, e frymëzuar nga të parët e saj, motivohet që çdo gjë të shënoj dhe të bëjë mbledhjen e folklorit dhe elementeve të veshjes kombëtare të Rekës Epërme. Prej vitit 2014 është anëtare e kryesisë së Shoqatës për Kulturë “Reka e Epërme” që funksionon në Gostivar dhe merret me promovimin e vlerave kulturore të Rekës së Epërme.
KOHA: Zonja Halimi, puna e studiuesit të folklorit është mbledhja dhe studimi i traditave popullore, zakonet e përditshme, ceremonitë e festave të ndryshme, si edhe manifestimet estetike të çfarëdo lloji. Edhe Ju keni bërë këtë studim, pra për cilat krahina shqiptare?
HALIMI: Padyshim se mbledhja dhe studimi i traditave popullore, zakonet e përditshme, ceremonitë e festave të ndryshme, si dhe manifestimet estetike të çfarëdo lloji janë detyrë kryesore e folklorit dhe folkloristikës. Folklori, si dukuri artistike e lidhur me jetën e njeriut primitiv, mund të themi është i vjetër sa vetë njeriu. Ndër shekuj populli shqiptar ka krijuar një kulturë shpirtërore të pasur e cila sipas studimeve të shumë folkloristëve shqiptar dhe botëror mund të krahasohet me atë të popujve të vjetër të Evropës. Duke dëgjuar këngët e shumta polifonike, e të llojllojshme, vajet pikëlluese, legjendat, gojëdhënat, përrallat, fjalët e urta popullore, anekdotat të cilat i hasim në trevën e Rekës së Epërme si dhe veshjen tradicionale dhe shumë të bukur, rritet dhe ceremonitë që hasim në festa apo ngjarje të rëndësishme për këtë trevë më motivuan që një pjesë të kohës time t’ia kushtoj mbledhjes së folklorit dhe trashëgimisë kulturore në Rekën e Epërme.
Reka e Epërme është një nën-krahinë gjeografike dhe etnografike e rajonit më të madh të Rekës në perëndim të Republikës së Maqedonisë, e cila pas ndarjes territoriale të 2015 i takon Komunës së Mavrovës dhe Rostushes ku gjuha shqipe , sipas ligjit aktual, nuk është në përdorim administrativ. Në të kaluarën Reka i ka takuar Komunës së Dibrës ose Komunës së Gostivarit. Në këtë krahinë kanë jetuar shqiptar të fesë ortodokse dhe shqiptarë të fesë islame.
KOHA: Ne, shqiptarët e Maqedonisë, asnjëherë më parë nuk kemi pasur mundësi që në mënyrë institucionale të tregojmë vlerat e krahinave, veçmas të Rekës. Sot janë shoqatat joqeveritare që nxjerrin në pah këto vlera?
HALIMI: Mungesa e punës së organizuar institucionale mbi baza profesionale e shkencore, në Republikën e Maqedonisë, për të nxjerrë në dritë trashëgiminë kulturore të shqiptarëve në përgjithësi, ka qenë brengë e intelektualëve të denjë shqiptarë, siç ishte edhe zotëri Arbër Xhaferi, i cili u angazhua për themelimin e Institucionit për Trashëgimi kulturore. Por me sa kam informata, i njëjti nuk është duke i dhënë rezultatet e pritura. Në promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore në krahinën e Rekës së Epërme kontribuoi edhe Universiteti i Evropës Juglindore, i cili ishte nikoqir i Simpoziumit për Rekën e Epërme, ku u shtjelluan tema të ndryshme nga profesor dhe ligjërues eminent që merren me vlerat kulturore të shqiptarëve. Në këtë simpozium unë prezantova punimin “Vajet në Rekën e Epërme”
Rol të veçantë në promovimin e vlerave ka Shoqata për Kulturë “Reka e Epërme”, e cila u themelua në vitin 2014 nga entuziast dhe dashamir të rruajtjes së vlerave kombëtare nga Gostivari, Tetova dhe rekasit që punojnë në Zvicër, Itali, Gjermani dhe viset tjera evropiane. Pas formimit të shoqatës u formua edhe Shoqëria Kulturore Artistike e Rekës, e cila funksionon në Gostivar. Aktivitetet në lidhje me promovimin e vlerave të kësaj krahine i mbështet edhe Komuna e Gostivarit në Krye me kryetarin Nevzat Bejta. Përpos aktiviteteve tjera kulturore, Shoqata “Reka e Epërme” çdo vit, të dielën e fundit të muajit korrik, organizon Marsh nëpër viset e Rekës. Të dielën e parë të muajit gusht organizon tubim në Rimnicë për rekasit dhe dashamirët e Rekës. Tubimi është i pasur me program cilësor me motive nga trashëgimia popullore e Rekës Epërme dhe më gjerë.
KOHA: Çfarë roli ka Instituti i Folklorit në Maqedoni dhe sa ndihmon në zbardhjen dhe ruajtjen e vlerave kulturore tona?
HALIMI: Instituti i Folklorit në Maqedoni “Marko Cepenkov” është një ndër institucionet më të vjetra në Republikë dhe ka për qëllim të hulumtojë dhe të mbledhë materiale nga trashëgimia kulturore në Maqedoni, por në Programin e punës së tyre shkruan “Prouçuvanje na makedonskata narodna tradicija…”. Ky Institucion sikur harron se në Maqedoni jeton edhe populli shqiptar, i cili ndër shekuj ka kultivuar kulturën etnologjike autoktone, e cila dallohet nga kultura sllave. Paratë nga buxheti i këtij institucioni janë harxhuar vetëm për të afirmuar vlerat kulturore të tyre. Çka është më e keqja, shpesh ka ndodhur që vlerat shqiptare edhe të përvetësohen dhe të paraqiten si pasuri kombëtare e tyre. Për shembull, veshjen e Rekës së Epërme e quajnë veshje maqedone, përvetësohen kishat shqiptare, folklori shqiptar, arkitektura e Rekës, e cila karakterizohet me kullat e larta, nga ana e institucioneve maqedone – quhen si maqedone. Për të dëshmuar se kemi një folklor të pasur, në viti 1997 – bashkë me një shoqen time kërkuam ndihmë profesionale dhe materiale për të botuar diçka nga thesari i jonë i mbledhur në mënyrë amatore dhe në baza vullnetare. Me vështirësi arritëm deri te drejtori i atëhershëm i IFM, i cili na priti me këto fjalë: “Kush jeni ju të mblidhni folklor? Dhe kërkoni tu mbështesim…, dorëzoni këtu atë që keni mbledhë”! U befasuam, por nuk u ndalëm vazhduam punën tonë. Institucioni, i cili mohon trashëgiminë kulturore shqiptare është edhe Muzeu Etnografik i Maqedonisë në Shkup. Te kukullat e veshura me veshje të Rekës së Epërne – veshja e nuses, shkruan “Makedonska nosija”, kurse te veshja me dimia shkruan “Albanska nosija” dhe aty në radhë gjinden edhe veshja turke dhe rome, po ashtu me dimia. Në pyetjen time: se si mund të bëhen gabime të tilla?, ciceronia më tha se “deri më tani nuk ka reaguar askush”!
KOHA: Çfarë mund të na thoni për identitetin shqiptar dhe rolin e trashëgimisë kulturore në mbrojtjen e tij?
HALIMI: Jemi të vetëdijshëm se viset e banuara me shqiptarë dhe shumë vise të okupuara janë të pasura me trashëgimi kulturore të të gjitha epokave. Jemi të vetëdijshëm se trashëgimia është faktor që tregon identitetin shqiptar, por duhet të jemi të vetëdijshëm se kjo trashëgimi po rrezikohet dhe dita ditës po na humbë prej dore. Jemi dëshmitar se me decenie të tëra kur popujt tjerë bëjnë falsifikimin e identitetit, ne na ndodhë që bëjmë shumë pak për ta ruajtur atë. Nëse bëjmë krahasim me Shqipërinë dhe Kosovën, në Maqedoni Institucionet shkencore dhe qendra të ndryshme kërkimore punojnë në mënyrë simbolike në ruajtjen e vlerave kombëtare. Rol të rëndësishëm për ruajtjen e identitetit kombëtar duhet të kenë universitetet shqiptare në Maqedoni dhe Instituti për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore i Shqiptarëve. Unë mendoj se faktori kryesor për ruajtjen e identitetit është populli, i cili nuk duhet të joshet dhe të ndikohet nga kulturat e ndryshme . Jemi dëshmitar të një fenomeni që ndodh me rininë shqiptare të joshur nga ndikimet aziatike apo evropiane . Dita ditës shtohen të rinjtë të veshur në stilin aziatik dhe që reklamojnë një kulturë që nuk është shqiptare. Veshja e jonë kombëtare e mbulon tërë trupin , pse atëherë duhet të imitojmë të huajt dhe të humbim pjesë të identitetit tonë?
KOHA: Mund të themi se jemi një popull që me fanatizëm e ruajmë traditat dhe zakonet?
HALIMI: Nëse do të ndërlidhem me përgjigjen paraprake, do të isha përgjigjur se në kohë të fundit, jam pak sa skeptike. Popullin shqiptar nuk e thyen okupimet shekullore. Populli shqiptar me fanatizëm i ruajti dhe i kultivoi traditat dhe zakonet bashkë me ta edhe identitetin kombëtar. Në ruajtjen identitetit kombëtarë rol të rëndësishëm kishte gruaja shqiptare, veçanërisht në viset që kanë mbijetuar me mërgim të burrave për të fituar kafshatën e gojës. Ajo edukoi brezat e ri, e ruajti gjuhën e pastër shqipe, thuri këngët më të bukura, qëndisi veshjet më të çmuara, por ishin burrat ato të cilët varësisht se ku kishin shkuar në kurbet, i sillnin ndikimet nga jashtë qofshin ato në leksik ose traditë. Zhvillimi ekonomik, ai teknologjik, migrimet e shumta bëjnë që këto tradita të kultivohen vetëm nëpër Shoqëritë Kulturo Artistike ose nëpër dasma, por shpesh të përziera me elemente të kulturave të ndryshme.
KOHA: Po të vëmë re përparimin e njerëzisë në të gjitha kombet, shohim se ky përparim i madh që duket sot kaq i fortë, ka lindur nga një luftë e rreptë. Kështu ndodh edhe me krahinat shqiptare, të uzurpuara nga okupatorë?
HALIMI: Për fat të keq, populli shqiptar gjatë kohë ka qenë nën sundim të popujve tjerë, me shekuj ose me dekada. Veçanërisht pjesa shqiptare që jeton në Maqedoni mund të themi se ende jeton nën ndikim të një populli tjetër që vazhdimisht punon në minimizimin dhe rrëmbimin e vlerave shqiptare duke e përdorë faktorin religjion. Edhe pse ky vend ishte vazhdimisht i okupuar, sikur e bëri popullin shqiptar më të fortë dhe më rezistues. Populli shqiptar u rezistoi okupimeve të shumta me armë, me trimëri…, por edhe me ruajtjen e identitetit dhe ngritjen e moralit me këngë e me rite, të cilat forcuan karakterin jo asimilues të shqiptarëve. Gjatë mbledhjes së folklorit dhe bisedave me njerëz më të moshuar, vazhdimisht janë përmendur fjalët: “n’vaktin e turkut”, “n’vaktin e bullgarit”, “n’vaktin e serbit”, “n’vaktin e Italisë” e kështu me radhë.
KOHA: Gruaja shqiptare ka qenë pjesëmarrëse aktive në ngjarjet kryesore të historisë të kombit tonë. Çfarë flasin në fakt veprat tuaja?
HALIMI: Kur flas për gruan, disi jam më e shqetësuar, më emocionale, jo pse jam unë grua, po se gruaja shqiptare ka qenë gruaja më e përvuajtur në Ballkan ose edhe më gjerë. Unë fillova të mbledh folklor prej viteve të shtatëdhjeta, kontaktet e mia ishin më shumë me gjyshet ose pleqtë e asaj kohe. Të gjithë ata kishin kaluar disa luftëra dhe çdo luftë ju kishte marrë atyre ndonjë nga më të dashurit e tyre, për të cilët ata nuk kishin dëshirë të flasin. Më shumë informata merrja duke i pyetur se si ata i vajtonin të dashurit që nuk i kishin më. Për shembull, gjyshja ime kishte humbur në një luftë babin dhe vjehrrin, në tjetrën vëllain dhe në të tretën djalin. Ajo ende i kujtonte ato duke i radhitur fjalët në vargje dhe tinëzisht duke i vajtuar. Prej thesarit të mbledhur nga trevat shqiptare erdha në përfundim se qëndresa e sakrifica, si formë e rezistencës së gruas shqiptare në luftërat për liri, paraqitet në vazhdimësi. Ato rezistuan tendencave të asimilimit përmes edukimit human familjar, ruajtën traditën krijuese popullore që nga kohët e vjetra. Në rrugën e stërgjatë të historisë gruaja zë vend të veçantë, veçanërisht gruaja e Rekës së Epërme, e cila me fanatizëm dhe me dashuri ruajti nderin, gjuhën, traditat dhe këto Ju përcolli gjeneratave të reja.
KOHA: Si e shihni gruan shqiptare në Maqedoni. Ka fituar vendin e saj të merituar në shoqëri?
HALIMI: Si e shoh gruan shqiptare në Maqedoni? Pyetje që ende i mundon shumë femra intelektuale shqiptare. Mendoj se edhe pse bëhen përpjekje të shumta për të avancuar gruan shqiptare në Maqedoni, edhe pse në raste individuale gruaja ka arritur të sfidojë paragjykimet e shumta – sërish ngel për tu dëshiruar më shumë. Sipas OJQ dhe sipas mendimit tim, ende ekziston mosbesim në kapacitetet e femrave dhe shpesh ndodhë që për t’u avancuar, gruaja duhet të kalojë nëpërmjet partive politike, domethënë merret vetëm një kriter, nuk merren parasysh aftësitë profesionale që nuk ka qenë evidente në vitet e nëntëdhjeta. Tani më duket sikur gruaja është numër për t’u arsyetuar para opinionit se femra është avancuar.
KOHA: Dituria në çdo shtet është baza më e sigurt për të qenë i suksesshëm. Si e shihni evoluimin e femrës shqiptare në arsim?
HALIMI: Mendja e edukuar është arma më e fortë, thotë një filozof. Vitet e nëntëdhjeta, një grup i femrave intelektuale shqiptare morëm iniciativë për të formuar një shoqatë joqeveritare: Lidhja e Gruas Shqiptare në Maqedoni (LGSHM), shoqatë kjo e cila synimin kryesorë e kishte shpërndarjen e diturisë si bazë për të qenë më i suksesshëm. Në Programin e LGSHM-së, vend të veçantë kishte arsimimi i femrës si bazë për emancipimin e saj dhe të mashkullit. Prioritet i dha hapjes së shkollave të mesme dhe të universiteteve, e cila gjë edhe u arrit. Në një bisedë me z. Arbër Xhaferin dhe intelektualë tjerë, erdhëm në përfundim se shkollimi i mesëm i obliguar do të “detyrojë” prindërit shqiptarë që t’i regjistrojnë fëmijët e tyre pa dallim gjinie të kryejnë shkollën e mesme. Kjo iniciativë tashmë u realizua me sukses. Në evoluimin e femrës shqiptare rol të rëndësishëm kanë edhe universitetet, të cilat arsimojnë kuadro të suksesshme. Është evidente, sipas statistikave, se numri më i madh i studentëve janë femra. Aktualisht ekziston problemi i punësimit, përkujdesja e fëmijëve nëpër çerdhe, të cilat janë të pakta, paragjykime të ndryshme, se femra është më pak profesioniste…
KOHA: Gruaja është nënë e fëmijës, zonjë e shtëpisë, krahu i djathtë i burrit, çka më shumë…?
HALIMI: Sot, femra shqiptare duhet të zë vend dhe të qëndron stoike me tërë peshën e saj intelektuale, është domosdoshmëri e kohës për ta vërtetuar shkallën e evoluimit në kuptimin e zhvillimit edukativ të gruas shqiptare dhe mundësitë reale për realizimin e personalitetit të saj në shumë fusha shoqërore. Rolin e gruas si nënë, që ja ka falë natyra nuk mund ta realizon dikush tjetër, edhe nëse përpiqet e luan me mangësi. Gruaja në përgjithësi është menaxhuese e punëve të shtëpisë dhe krahu i djathtë i burrit. “Pas çdo burri të suksesshëm qëndron një grua”, thotë populli.
KOHA: Nëse do të përshkruani jetën tuaj që nga fëmijëria deri në ditët e sotshme, çfarë do të tregoni?
HALIMI: Unë rrjedh nga një familje tradicionale shqiptare nga Reka e Epërme. Jam e lindur në vitin 1955 në fshatin Lemnovë (Leunovë) që i takon herë Komunës së Gostivarit e herë Komunës së Dibrës e tani Komuna Mavrovë-Rostushë . Qysh kur i kam pas 6 javë, familja ime është shpërngulur në Tetovë me qëllim për t’u larguar presioneve komuniste që i janë bërë në vazhdimësi familjes time, e për të shkuar në Turqi. Mirëpo, pasi babai im nuk deshi ta ndërrojë mbiemrin dhe të merr atë me domethënie turke, vendosi të mos shkojmë më larg se Tetova.
Babai im, Enveri, ishte një burrë me shumë respekt në shoqëri dhe shumë tradicional. Gjyshja ime nga babai ishte një grua talente për të kënduar dhe kishte aftësi të thurë këngë aty për aty. Nëna ime rrjedh prej familjes Bajrami nga fshati Sencë. Familje, e cila humbi shumë burra nga dora e turkut, e serbit dhe e komunistëve. Dallohet si familje arsimdashëse, e cila i dha Rekës së Epërme mësuesit e parë. Gjyshja ime, një grua që kishte kaluar tri luftëra dhe kishte humbur shumë pjesëtarë të familjes, njihej si grua burrneshë që shpesh me mençurinë dhe urtësinë e saj kishte shpëtuar fshatin prej ushtarëve serb e komunist dhe ishte një “mjeke popullore”. Gjyshja ime ishte mbesë e familjes së Bajazit Dodës nga Shtirovica, njeriu i parë që shkroi për Rekën dhe Shtirovicën, e cila u dogj nga serbët në vitin 1913. Sa herë që shkoja, gjyshja më tregonte histori, të cilat mua më dukeshin përralla. Një ditë më tha: “Pse ti nuk i shkruen ‘gaçkat’ e mia të vërteta si bonte Zitja, kushërini i jem?” Unë atëherë nuk e dija kush ishte Zitja (Bajaziti), por e dëgjova gjyshen, Nonen e Sences dhe fillova t’i shënoj këngët, vajet, përrallat që m’i tregonte ajo. Vonë kuptova se Bajazit Doda kishte mbledhur folklor në Shtirovicë. U rrita në Tetovë ku e kreva shkollimin fillor dhe të mesëm, Fakultetin Filozofik – Dega e Pedagogjisë e mbarova në Shkup. Kontributin tim e dhash të ndarë në tri sfera: në arsim, në luftë për barazi gjinore dhe mbledhja e folklorit dhe promovimi i trashëgimisë kulturore të Rekës së Epërme. Punova si mësuese mbi njëzet vite në një shkollë fillore për të kaluar në vitin 2002 deri më 2006 si drejtoreshë e kopshteve të fëmijëve në Tetovë. Prej vitit 2007 punoj si këshilltare në Byronë për Zhvillimin e Arsimit. Prej vitit 2012 deri në vitin 2017 isha nënkryetare e Shoqatës së pedagogëve shqiptar. Kontribut të veçantë kam dhënë në Shoqatën e Lidhjes së gruas Shqiptare prej vitit 1991deri 1999 si nënkryetare e shoqatës, të cilën e formuam si shoqatë të pavarur nga partitë politike dhe funksiononte si lëvizje për të drejtat e grave. Prej viteve të shtatëdhjeta e frymëzuar nga gjyshet e mia dhe nga nëna ime Mejremja, e cila ishte grua narrative dhe dinte aq bukur ti përshkruan gjërat dhe më motivonte që çdo gjë të shënoj se harrohen, u mora, kohë pas kohe, me mbledhjen e folklorit dhe elementeve të veshjes kombëtare të Rekës Epërme. Pra, jam edhe kolekcioniste e veshjeve shqiptare”. Prej vitit 2014 jam anëtare e kryesisë së Shoqatës për Kulturë “Reka e Epërme” që funksionon në Gostivar dhe merret me promovimin e vlerave kulturore të Rekës së Epërme.
KOHA: Një ditë në gjirin familjar, dëgjoni këngë polifonike, qëndisni, apo…?
HALIMI Familja ime përbëhet prej bashkëshortit tim – Iljazit, djalit tim Fatit dhe vjehrra ime që ka një vend të posaçëm në familjen tonë. Kam fat që pjesën më të madhe të jetës time e ndaj me bashkëshortin tim, i cili më mbështeti në aktivitetet e mia dhe sipas mundësive – edhe më ndihmonte. Pasi bashkëshorti im ishte politikan dhe në funksione të ndryshme, shpesh ishte i angazhuar edhe me udhëtime ashtu që nuk na binte shumë kohë të jemi bashkë. Ashtu që barra për menaxhimin me familje më binte mua. Djali im, Fati, është shtatëmbëdhjetë vjeçar dhe është anëtari më i preferuar i familjes, që ma dha titullin më të shenjtë për një grua – NËNË. Mungesa e tij në shtëpi ndjehet shumë. Ai e plotësoi zbrazëtirën shumëvjeçare në familjen tonë.
Ende vazhdoj të jem aktive në të gjitha sferat e lartpërmendura, ashtu që nuk më ngelë shumë kohë të lirë. Çdo moment ia kushtoj familjes, e cila për mua është e shenjtë. Adhuroj të shëtis në natyrë, veçanërisht në fshatin tim të lindjes ku kemi ndërtuar një shtëpi. I dua këngët polifonike të Rekës, të cilat janë të veçanta, pra unike. Më nuk qëndisi, por kam qëndis me shumë dëshirë elemente të veshjes tradicionale ku kam shpreh artin popullor. Prej fëmijërie më ka ngelë dëshira për të lexuar, shpesh lexoj vepra të shkrimtarëve të njohur, më pëlqen të shoh edhe ndonjë film me përmbajtje historike.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.