Gianni Infantino nuk do të mund ta bëjë i vetëm revolucionin, por projekti i tij për ta kaluar Botërorin nga 32 me 48 skuadra duket se do të realizohet (në pritje të një propozimi zyrtar). Presidenti i FIFA-s ka paraqitur idenë e një turneu (nga fillimi i 2026-ës) me 48 skuadra, që do të ndahen në 16 grupe nga 3: do të kualifikohen dy të parat dhe më pas do të vazhdohet me eliminim direkt nga 1/16 në vazhdim. Por ky sistem rrezikon të krijojë ndonjë problem në fazën me grupe. Në fakt, dy ekipet që do të përballen të fundit mund të bien dakord duke dëmtuar skuadrën që e ka “pushim”. Për këtë arsye tani ka filluar të diskutohet ideja e heqjes së barazimit në fazën me grupe, me skuadrat që do t’i drejtohen penalltive nëse 90 minutat mbyllen pa një fitues. Akoma nuk dihet nëse fitorja në atë rast do të ketë vlerën e dy apo tri pikëve.
Pas Botërorit të 1982, FIFA ka ndryshuar rregullat duke kërkuar zhvillimin në të njëjtën orë të ndeshjeve të fundit të grupit, pas “skandalit” të ndeshjes mes Gjermanisë Perëndimore dhe Austrisë, që kanë bërë një marrëveshje në dëm të Algjerisë, e cila kishte luajtur më parë. Me grupet me 3 skuadra nuk është e mundur që takimet të luhen në të njëjtën orë, dhe gjithsesi ky ndryshim nuk i ka shmangur marrëveshjet mes ekipeve në të kaluarën. Prej këtu ka ardhur ideja për ekzekutimin e penalltive në rast barazimi, edhe pse në 1982-in dy ekipet u kualifikuan falë një fitoreje 1-0 të gjermanëve.
Megjithatë, kjo ide është akoma në fazë embrionale, ashtu si ajo e zgjerimit me 48 ekipe (por për këtë të fundit Infantino ka bërë të ditur se ka marrë miratimin e pjesës më të madhe të federatave). Ndërsa zhdukja e barazimit do të ishte një tjetër revolucion në futboll pas penalltisë së parë të dhënë falë ndihmës së teknologjisë në gjysmëfinalen e Botërorit për Klube të luajtur dje mes japonezëve te Kashima Antlers dhe kolumbianëve të Atletico Nacional.
Ideja e fundit është heqja e barazimit në Botëror!
Leave a comment