Massimiliano Allegri i ka mbyllur të gjitha llogaritë e tij në rrjetet sociale, duke u “fshehur”. Trajneri i Juventusit ka marrë shumë kontestime e kritika, madje edhe fyerje, nga tifozët bardhezinj në Instagram dhe Twitter, pas humbjes ndaj Atletico Madridit. Kësisoji, ai do të flasë vetëm në konferencat e zakonshme të shtypit. Ftohja duket e qartë mes palëve, sepse kërkohet fitimi i Ligës së Kampionëve. Çdo gjë tjetër nuk iu hyn më në sy drejtuesve të “Zonjës së Vjetër” dhe tifozëve të saj. “Divorci” në fund të sezonit duket i sigurt, çka e rikonfirmon sot edhe “Corriere della Sera”.
Sipas kësaj gazete italiane, Allegri mbetet pjesë e listës së Florentino Perez për stolin e Real Madridit, pavarësisht se e ka refuzuar qershorin e vitit të kaluar për arsye personale dhe për të mbajtur fjalën e dhënë Juventusit. Sidoqoftë, pista më tërheqëse dhe e mundshme në shumë aspekte do të ishte kalimi tek Interi, ribashkimi me Giuseppe Marotta. Ky i fundit vazhdon ta vlerësojë trajnerin livornez dhe do të ishte i lumtur që ta merrte nga “oborri” i rivalëve të përjetshëm zikaltër, pas pesë sezonesh aty. Kjo do të shërbente edhe si njëlloj “hakmarrje”… Paralelisht, edhe Chelsea mbetet një alternativë, nëse Abramovic vendos ta largojë Sarrin.