Nga dyshja idealiste e frymës së re, Albin Kurti – Vjosa Osmani, pritej të realizohen gjërat që s’janë bërë deri tash. Për fat të keq, hovi i tyre u ndal në pengesën e parë. Nga ngutia, papërvoja, egoja, komploti…, ku të dish. Koha do të tregojë. Tash, merre si ta marrësh, as fituesit janë fitues, as humbësit janë humbës, vetëm Kosova u gjet në udhëkryq në kohë të keqe
Nga Daut DAUTI
- IDEALISTËT E VJETËR DHE IDEALISTËT E RINJ
Asnjë lëvizje e rëndësishme në botë nuk mund të bëhet pa një kategori të veçantë njerëzish: idealistët. Ata shpesh, për idetë e tyre, janë në gjendje të flijohen. Idealistët kanë sjellë revolucione e kundër-revolucione, kanë çuar përpara njerëzimin, e ndonjëherë e kanë çuar në paudhësi.
Sot Kosova është përplot idealistë. Historia më e re prodhoi shumë ngjarje, në ballë të të cilave ishin pikërisht idealistët. I lëmë ata më herët, t’i përmendim vetëm demonstratat e 1981-shit, të cilat i organizuan idealistët, profesorë, studentë e intelektualë. Atëherë nisi lëvizja për Kosovë të barabartë në ish-federatën e Jugosllavisë, gjërat lëvizën për të ardhur në vitin 1998-99 kur idealistët e mëdhenj nisën epopenë e madhe, atë të rezistencës së armatosur. Ishte në dukje një aventurë të nisësh rezistencë ndaj shtetit të fortë serb, me tanke e me aeroplanë, por idealistët ishin të gatshëm të flijohen. Dhe u flijuan mjaft prej tyre. Fati deshi që idealizmin e tyre e mbështeti bota (SHBA e NATO) dhe më në fund u arrit qëllimi shekullor. Shumë nga idealistët e luftës në Kosovën e lirë bënë parti dhe iu sulën pushtetit. Dhe iu takonte t’i shijonin frytet e lirisë dhe të merrnin përgjegjësinë edhe për ndërtimin e shtetit. Por, si kaloi koha, idealistët e dikurshëm me pushkë në krahë, në paqe bënë dhe gabime. Nuk i zbehën idealet për të cilat luftuan, nuk u zbeh as kontributi i tyre në luftë, por, u zbehën vetë ata në paqe. Ndaj dhe pakënaqësia ndaj tyre erdhi duke u bërë më e madhe se përkrahja e dikurshme, gati gati-gati duke ua shlyer fare meritat! (Një dëshmi se e reja e shlyen të vjetrën!). “Boll më me këta komandantë“, do të jetë një slogan denigrues për ta, ndonëse të qenit komandant në një epope çlirimtare,s’do të duhej ta kishte kuptimin pezhorativ!
E gjatë është lista e idealistëve të pakontestuar, që nga vëllezërit Haradinaj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, e gjer te Fatmir Limaj e ndonjë tjetër, që pas vete kishin kapitalin e luftës.
Pastaj në kohë paqeje, në skenë dolën disa idealistë të tjerë. Ata që me vonesë e gjetën sloganin Vetëvendosje, në kohën kur Kosova ishte vetëvendosur më! Kosova 130 vjet kishte pasur kohë për t’u vetëvendosë, por s’ia kishte dalë. Jo se nuk ka dashur, jo se s’ka pasur idealistë dhe që s’kanë luftuar, po pse nuk e kanë lënë ata që vendosnin për fatet e popujve. Çfarë vetëvendosje ishte kjo që ofrohej nga idealistët kur më Kosova ishte bërë e lirë? A donte të thoshte kjo se duhej t’i dilnin edhe një herë ballë-ballë Serbisë në një luftë prej fillimi, sepse nuk ishte vendvendosur mirë? Nëse s’ishte kjo, atëherë emri ishte paksa anakronik në kontekst të një shteti të ri. Por çështja terminologjike s’është e thënë të korrespondojë përherë me realitetin historik, sepse terminologjia mund të jetë vetëm për efekt, jo thelbi. Me rëndësi ishte se idealistët e rinj i detektonin gabimet dhe ofruan ide për një qeverisje më të mirë, por dhe për një model të shtetit më funksional. Ndaj dhe u përpoqën t’i pengonin shumë nga gjërat që s’funksiononin si duhet në shtetin e ri. Nga oponentët e tyre do të trajtohen më shumë si rrënues se sa ndërtues. Por idealistët shpesh kanë rrënuar diçka (të vjetër, të keqe), që të ndërtojnë diçka tjetër (më të mirë)… Si kalonin vitet, me gabimet e qeverive, përkrahja shtohej për idealistët e rinj, ndonëse në disa raste, ndaj (pu)shtetit të Kosovës, u sollën sikur të ishte i Serbisë.
Të jesh idealist dhe të vish në pushtet, duhet të jetë një përparësi. Idealizmi i dikurshëm shndërrohet në pragmatizëm. Ndaj dhe pritej që nga dyshja idealiste e frymës së re, Albin Kurti – Vjosa Osmani, të realizohen gjërat që s’janë bërë deri tash. Për fat të keq, hovi i tyre u ndal në pengesën e parë. Nga ngutia, papërvoja, egoja, sedra e lënduar, komploti…, ku të dish. Koha do të tregojë.
Koalicionin qeveritar LVV-LDK, përveç idealizimit të stërtheksuar më lartë, në pushtet e sollën edhe kauzat e qarta. Në disa shkrime të mëparshme për shanset e këtij koalicioni, kam vënë në dukje me optimizëm se në shumicën e tyre do të sjellë qasje të re, sidomos se do të ketë një qeverisje më të mirë, më e ndërgjegjshme. Pikëpyetjen e Madhe ia pata vënë në “temat e rënda”. Dhe, kisha pasur të drejtë. Sepse, ajo që përkrahësit e tyre nuk e kanë menduar, rrëzimi ndodhi me të marrë në pengesën e parë. Ajo që në kohë më të keqe mbeti Kosova pa qeverinë e shpresës, nuk mund të shikohet nga një këndvështrim bardh e zi, siç bëjnë ithtarët ose kundërshtarët e Albinit dhe fajin t’ia adresojnë palës tjetër. Po të mos kishte rënë në grackën e vet, do të kishte pasur shanset t‘i arrinte shumicën e objektivave të premtuara.
Idealizmi i Albinit nuk ka vdekur. Por ai do të duhet të ketë kujdes në të ardhmen, sepse në partinë e tij, siç i kanë identifikuar shumë analistë kosovarë, janë tubuar idealistë gjithfarë ngjyrash me orientime shpesh të papërputhshme midis tyre! Kur ke në radhët e tua të tillë që u ka mbetur në kokë “imperializmi amerikan” dhe të tjerëve që “Amerika është satana”, dhe pastaj të balancosh midis gjithfarë këshilltarësh, nuk është problem i vogël. Kjo mund t’i zvetënojë idetë burimore me të cilat u shfaq LVV-ja në fillim.
- PËRPLASJA E “FIKSIMEVE”…
Situata e komplikuar politike kosovare, doli të jetë më e komplikuar se ajo që krijoi kërcënimi botëror i koronavirusit. Duket sikur ka një garë dhe përplasje midis idealizmave e fiksimeve të njërit apo tjetrit politikan, sidomos të kryeministrit(në detyrë) Albin Kurti dhe presidentit Hashim Thaçi, të cilët më shumë se kushdo tjetër, kanë edhe fiksim njëri tjetrin!
Albini viteve të fundit i ka shprehur haptas disa fiksime, të prezantuara edhe si platformë parazgjedhore dhe cak e ka pasur pikërisht Hashim Thaçin. Hashim Thaçi ka bekgraundin e udhëheqësit politik të luftës, udhëheqës i delegacionit kosovar në Rambuje, kryetarit të parë të qeverisë, pjesëmarrës aktiv para dhe pas lufte, kryeministër kur Kosova shpalli pavarësinë dhe ndërtues i shtetësisë së Kosovës. Por historia nuk njeh vetëm merita, sepse në rrugëtimin e tij oponentët i kanë identifikuar shumë veprime që i hedhin njollë biografisë së tij.
Por ai ka fiks idenë e tij, ta përfundojë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe me këtë “ta heqë qafe” një herë e përgjithmonë. Veton Surroi këtë fiksim të tij e sheh me motivimin që kjo t’i hyjë në biografinë e tij që “po shkruhet”. Me një kapitull të tillë, hyn në histori. Por idealizimit dhe fiks idesë së tij i hedh dyshim idealisti më i madh momentalisht, Albini, i cili as i beson e as dëshiron që fatin e Kosovës t’ia le Thaçit. Edhe ai komunikimi i domosdoshëm zyrtar midis institucioneve, për këtë kohë të shkurtër, ishte përplot tension negativ. Albini nuk do të donte që fati i Kosovës të varej nga një Hashim “i komprometuar” me qeverisjen e tij e deritashme. Por dhe ngase Gjykata Kushtetuese ia mohon një protagonizëm të tillë të dialogut me Kosovën, pasi atë duhet ta udhëheqë Qeveria. Në këtë ujë të turbull që u gjet Kosova, Albini me gjasë nuk do të jetë ai që do t’ia marrë kompetencat “e uzurpuara” nga pozita e qeverisë në detyrë pas mocionit të mosbesimit. Deri sa të kthehet(nëse vërtet do të jetë në pozitë të kthehet nëse nuk korr fitore absolute) në krye të qeverisë, gjithçka mund të ketë marrë fund: ose këtë aureolë do t’ia heqë Avdulla Hoti, që përmendet si mandatar i qeverisë së ardhshme, ose do ta lënë që ta çojë deri në fund punën e nisur.
Albini në pozitën që është tash, doli të jetë viktimë e fiks-ideve të veta, sepse në zjarrin e betejave politike, i dogji të gjitha kartat. Do të mbeten si fiks ide “heqja e taksës(tarifës) me reciprocitet”, dyshimi ndaj Hashim Thaçit, Grenelit dhe administratës amerikane se “ka marrëveshje të gatshme“ që është në dëm të Kosovës, të cilën vetë tha se nuk e ka parë. (Për fiks-idenë e tarifës, autorësinë doemos do ta mbajë përherë Ramush Haradinaj, i cili për të “u përla” me BE e SHBA, e me Edi Ramë, Isa Mustafë, Isa Mustafë e Hashim Thaç, por nuk se prej saj doli ndonjë përfitim (ai vetë është i bindur se pengoi ndarjen), por vetëm që e motivoi më tepër serbinë që të shtojë numrin e çnjohjeve! E kishte fiksim, që nuk e braktisi as kur këtë ia kërkonte partneri strategjik i Kosovës.
- KOSOVA PAS MOCIONIT
Kosova para dhe pas mocionit të votëbesimit të qeverisë nuk është dhe nuk do të jetë njësoj. Fakti që gjithë aktorët gjetën energji t’i komplikojnë punët në kohë pandemie, edhe perspektivën e tyre e bën të tillë, të errët!
Albini, i cili gjeti pikërisht këtë kohë të pastrojë një “virus” nga ekipi qeveritar, përgjigjen e mori shumë shpejt, anise me një veprim iracional në dukje, por të pashmangshëm, të LDK-së. Rënia ishte e domosdoshme, për një rikthim më të madh. Kështu deklaroi kryeministri tash në detyrë. Parashikimet e tij mund të jenë të sakta, sepse nga kjo situatë doli me rolin e viktimës dhe duket e logjikshme që të kthehet në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që të mbahen, me një rritje të dukshme. Por parashikimi tjetër i errët është se LVV-ja mund ta përjetojë fatin e VMRO-së në Maqedoni, që edhe si fituese, të gjendet e izoluar dhe të mos kthehet në pushtet. Pas partive të PAN-it, tash më nuk mund të llogarisë as LDK-në, përveçse nëse në krye të saj nuk vjen Vjosa Osmani.
LDK-ja mund të thuhet se doli si fituese nga mocioni, por as perspektiva e saj nuk është shumë e ndritshme. E para, ngase mund të vazhdojë përçarja e filluar nga më herët me rrymën e “gjeneratës së re” të Vjosa Osmanit (shumëkush thotë se nuk ka një rrymë të tillë të fortë!). Por, e dyta, më e keqja, se nëse do të merrte përgjegjësinë për të krijuar një qeveri të re, e merr përgjegjësinë edhe për sfidën më serioze, atë të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Nëse del e saktë se ka një “marrëveshje të gatshme”, siç thotë Albini dhe ajo parasheh korrigjim kufijsh, atëherë si do t’ia bëjë këtë kur vetë ka qenë kundër?! Ikja prej kësaj do të ishte shenjë vogëlsie për një parti shetformuese. Raportet me presidentin Thaçi dhe PDK-në, mbeten edhe më tutje vija të kuqe të saj. Pas shpine do ta ketë LVV-në populiste, e cila e ka “pjekur” zanatin si opozitare, ndaj s’është mirë ta kesh përballë. Pas deklarimit të treshes Palmer-Grenel-Kostnet se nuk ka një “plan të gatshëm” për ndarje të Kosovës, ndoshta mund t’ia bëjë më të lehtë misionin që eventualisht mund ta marrë për një qeveri të re dhe t’u prijë me përgjegjësi bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin.
Pra, merre si ta marrësh, as fituesit janë fitues, as humbësit janë humbës, vetëm Kosova u gjet në udhëkryq në kohë të keqe.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)