Delvina KËRLUKU
Xhabir Ahmeti – shkrimtar, studiues, përkthyes, kolumnist, është lindur dhe rritur në Tetovë, me shkollim fillor e të mesëm në Tetovë. Studimet për letërsi i mbaroi në Shkup, ku vazhdon edhe sot e kësaj dite të jetoj bashkë me familjen e tij. Punoi në gazetën “Flaka e vëllazërimit”, në gazetën “Rilindja” në RTMV, në Bibliotekën Universitare të Shkupit etj. Është autor i disa veprave letrare dhe është një nga penat më të shquara të publicistikës dhe letërsisë shqiptare
KOHA: Kujtimet e fëmijërisë janë momente të paharruara. Si ishte fëmijëria juaj?
AHMETI: Unë jam i lindur pas Luftës së Dytë Botërore, kur ende është ndjerë era e barotit nëpër fshatrat tona dhe kur marshet e partizanëve kanë përhapur frikë ndër njerëz. Kam shkuar në shkollë në fshatin e lindjes, në Përshefcë, kurse klasat e larta të fillores i kam mbaruar në Tearcë. Ishte një kohë kur, përveç abetares vështirë se mund të gjendej ndonjë libër shqip. Ndërkaq, në klasën e katërt, deshi fati, më ra në dorë një libër i këngëve popullore shqiptare. I lexoja me kënaqësi. Më pëlqenin trimat si Halit Gashi, Rexhep Gërçari, Keqë Hyseni e ndonjë tjetër, sepse mosha ime ishte në ato vite kur njeriu ka nevojë të ketë figura mitike me të cilat do të identifikohet. Por nga të gjithë heronjtë për të cilët lexoja, më së shumti më linin mbresa trimëria e Mujit e Halilit dhe e Skënderbeut për të cilët, krahas leximit, na flisnin mësuesit. Natyrisht e para në këtë mes është figura e Skënderbeut. E mendoja Skënderbeun si një njeri i madh me shtat, i guximshëm dhe si njeri të cilin nuk e rrok plumbi. Një trim identik me Mujin..
Këto ishin disa nga ëndrrat e mia fëmijërore. Ajo ana e bukur e fëmijërisë. Ndërkaq… Ndërkaq… Pjesa më e madhe e fëmijërisë është e zymtë, e ngarkuar me një realitet absurdi, me mundime dhe është një fëmijëri pa fëmijëri. Brezi im qysh në fëmijëri është ballafaquar me urrejtjen, me shovinizmin, me ksenofobinë që ka ushtruar pushteti ndaj nesh. Në fillim të gjitha poshtërimet që na i bënin përmes aksioneve të ndryshme pushtetare: otkupi, heqja e dhunshme e havalesë, mbledhja e taksave, plot taksa me emra të ndryshëm, ndjekja e etërve dhe gjyshërve tanë si “armiq” të pushtetit dhe, natyrisht edhe varfëria, ishin çaste që kanë lënë mbresa të pashlyeshme ose më drejt më kanë ngarkuar me trauma. Mua nuk më harrohen milicët, shumarët, poreznikët dhe çinovnikë të ndryshëm që kalonin nëpër fshatin duke lënë pas vetes hijen e tmerrit.. Le ta theksoj se e gjithë kjo dhunë bëhej para syve të fëmijëve. Me këto kujtime u rrita, me këto jetoj edhe sot. Dhe, nëse ia shtoj të gjitha këto edhe një tragjedi, vdekjen e nënës, atëherë… Atëherë habitem si kam mundur ta mbaj gjithë atë barrë.
KOHA: Kur kuptuat se libri dhe shkrimi do të jetë përcaktues i fatit Tuaj?
AHMETI: Nuk mund të them me siguri se cili ishte ai moment vendimtar që unë të përcaktohem për punën e gazetarit dhe të merrem me letërsi. Ndoshta kanë qenë këngët dhe përrallat popullore, ndoshta ka qenë gjuha shqipe e cila qysh si fëmijë te unë i hapte dyert e imagjinatës dhe mrekullohesha me të, por mund të kenë ndikuar edhe mësuesit e mi që më inkurajonin, sepse në shkollë gjithmonë jam dalluar me hartime të mira. Ndoshta ky ka qenë fati im. Një fat i vështirë, veçmas kur ta kemi parasysh se ne kemi jetuar në një kohë, të them figurshëm, “pas rrënimit të Kullës ballkanike të Babilonit”, në Jugosllavinë e dikurshme, ku gjuha jonë praktikisht ka qenë vetëm gjuhë për përdorim shtëpiak.
KOHA: Cilët ishin arsimtarët, të cilët te ju lanë mbresa më të thella. Çfarë i karakterizonte ata?
AHMETI: Në shkollën fillore e kam pasur mësues shumë të mirë. Thuajse të gjithë kanë qenë të mirë dhe kanë treguar një kujdes të paparë për neve. Gjithmonë janë përpjekur të na mësojnë të jemi krenarë me atë që jemi dhe të krenohemi me gjuhën tonë. Në klasat e larta të fillores mësues të veçantë kemi pasur Ferit dhe Mysherefe Sadullahun, pastaj Hysni Abdullahun dhe Enver Gorjanin. Arsimtarët Ferit dhe Mysherefe Sadullahu, jo vetëm që ishin arsimtarë të mirë, por ata ishin edhe njerëzit që ishin shembull që na e diktuan, në njëfarë mënyre, rrugën jetësore: a të mbetemi në botën e një bujqësie mesjetare, apo ta zgjedhim rrugën e iluminizmit evropian. Arsimtari Hysni Abdullahu ka qenë një gjeni i mbetur fatkeqësisht në një fshat të harruar dhe i ndjekur hap pas hapi nga hafijet e asaj kohe. Nuk ka pasur lëndë të cilën arsimtari Hysni nuk e ka njohur në thellësi, që nga hollësitë e gramatikës shqipe deri te problemet më të vështira matematikore me dy e me më shumë të panjohura, fizika dhe gjeometria, pastaj historia me të gjitha pikanteritë e saj. Ndërkaq arsimtari Enver Gorjani ka qenë kujdestari i klasës sime që nga klasa e pestë deri në të tetën. Një arsimtar i cili është kujdesur si prind për neve dhe na ka ndihmuar për çdo problem që kishim si fëmijë të cilët trajtoheshim si njerëz të rendit të dytë të pushtetit të atëhershëm, në krahasim me maqedonasit. Ndërkaq arsimtarët nga shkolla e mesme që i kujtoj me pietet janë Qerim Arifi, Myedin Hadri dhe Murat Isaku. Emrat e këtyre arsimtarëve do të kisha dashur t’i shpëtoj nga harresa. Ata kanë qenë idealistë dhe mësues të mëdhenj të cilët na e kanë mësuar alfabetin e krenarisë.
KOHA: Për shumë vite punuat në gazetën Flaka. Pse vendosët të merreni me gazetari?
AHMETI: Pse vendosa të bëhem gazetar? Përgjigjja do të jetë e shkurtër. Për shkak se e dua gjuhën shqipe dhe letërsinë.
KOHA: Pastaj, në kohë të vështira, ju kaluat në gazetën Rilindja. Çfarë e karakterizon këtë periudhë.
AHMETI: Ka qenë koha e të ashtuquajturit aksion kundër nacionalizmit shqiptar, të cilit ia ngjitën dy bishta të tjerë. Njëherë e quajtën nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar, pastaj nacionalizmi dhe separatizmi shqiptar. Kuptohet separatizmin nuk do ta arsyetonte Evropa si metodë të përpjekjes së shqiptarëve për barabarësi me popujt tjerë të Jugosllavisë. Prandaj terrori kundër nesh mbeti të quhet lufta kundër nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar. Ka qenë një periudhë e rëndë, një formë e inkuizicionit, prej të cilës e pësuan shumë intelektualë, në radhë të parë arsimtarët dhe gazetarët. Fatkeqësisht shumë veta mbetën pa punë, shumë veta u burgosën, shumë veta u detyruan të syrgjynosen, shumë veta ta lënë punën e të kërkojnë zgjidhje për ekzistencën e vet. Në këto kohë të vështira, kritiku dhe eseisti Ali Aliu u detyrua ta lërë punën në Flakë dhe të shkojë të strehohet diku në Prishtinë. Unë po ashtu, kurse Teki Dervishin e përjashtuan në mënyrën më të turpshme duke kurdisur të pavërteta, provokacione dhe intriga. Ky ishte një komplot klasik ndaj tij. Redaksia praktikisht vepronte në kushte të një censure të paparë ose më drejt në kushte shtetrrethimi.
Por, kjo kohë ka qenë njëherësh edhe një test për qëndresën shqiptare. E vërtetë është se pati mjaft njerëz që u gjunjëzuan, por shumë të tjerë i bënë ballë kësaj histerie dhe u kalitën në rezistencë dhe në përpjekjet për mbrojtjen e identitetit kulturor, gjuhësor e kombëtar. Nëse bota e atëhershme ku jetonim ne ishte praktikisht një llogore, mjaft intelektualë të asaj kohe në hapësirat e Jugosllavisë, veçmas në Kosovë, e kishim botën tonë të krenarisë dhe të imagjinatës ku bëheshin projekte për liri dhe ku projektohej edhe hapësira kulturore shqiptare.
KOHA: Jeni nga miqtë më të përzemërt të shkrimtarit tonë Teki Dervishi. Ç’mund të na thoni për këtë letrar të veçantë, i cili fatkeqësisht ndërroi jetë?
AHMETI: Me Tekiun kemi qenë shokë e fqinjë dhe, sa punonim në Flakë, e ndanim të mirën e të keqen, bashkë. Tekiu, si njeriu që kishte qenë në burgun më famëkeq të ish Jugosllavisë pa i mbushur tetëmbëdhjetë vjet, në Goli Otok, por, në radhë të parë si njeri me një inteligjencë të pashoqe, një gjeni, menjëherë “e lexonte” çdo iniciativë, çdo aksion të pushtetit, çdo pritë që na kurdisej dhe vazhdimisht na e tërhiqte vërejtjen mos të biem në kurthe e provokime. Ishte për rezistencë ndaj terrorit, por ishte edhe shumë i kujdesshëm ndaj provokimeve, sepse në burg njeriu nuk mund të japë kontribut në qëndresën e popullit për ta mbrojtur dinjitetin kombëtar. Dhe, gjithmonë ka pasur të drejtë kur dyshonte se diçka do të ndërmerrnin. Çdo lëvizjeje që bënte pushteti, ai i binte në fije. Atëherë thoshte: “Po na ndjekin”. Në fillim ne mendonim se ishte ndonjë fobie e tij si pasojë e burgut të rëndë, por shpejt u bindëm se na kanë ndjekur dhe vazhdonin të na ndiqnin. Ishte kjo një ndjekje kafkiane. Asokohe te ndërtesa jonë, natë e ditë, qëndronte një makinë e milicisë, dhe “kujdesej” për ne. Dhe, kur shkonim në punë (e shkonim me veturën e Tekiut) pa pardon, na përcillnin deri te baraka e redaksisë e kur ktheheshim, përsëri na vinin prapa dhe ndaleshin para ndërtesës sonë “për ta kaluar natën” aty. Natyrisht, Tekiun e kishin të parin në shënjestër. Çudi pse rrinin në veturë gjithë natën, kur na kanë përgjuar edhe në shtëpi. Pastaj, ka ndodhur që fqinjët t’i çojnë me ditë të tëra nëpër hotele dhe të hynë aty përgjuesit të na përgjojnë e të na ndjekin. Dosjet këtë e dëshmuan. Megjithëkëtë Tekiu nuk u ndal së shkruari. Jeta e tij është sinonim i qëndresës, sinonim i fjalës së shkruar.
Teki Dervishi në këto kohë të vështira, nën kontrollin e syrit të agjentëve të fshehtë dhe tërë aparatit shtetëror antishqiptar u bë ndër figurat më të rëndësishme të letërsisë shqipe. Këtë mund ta arrinte vetëm një gjeni. Me shkrimet e tij, me idetë që i jepte për afirmimin e kulturës shqiptare në faqet e Flakës, ai në fakt u bë frymëzues dhe udhërrëfyes i krijuesve letrarë dhe i gazetarëve të rinj për mbrojtjen e dinjitetit personal dhe kolektiv.
Çdo varg i Tekiut, çdo personazh paraqet shumësinë e pikëpamjeve të autorit për një kohë të zymtë, në të cilën shqiptari e veçmas krijuesi, qoftë ai letrar apo piktor, krijues i vlerave muzikore apo mendimtar, i nxjerr në pah pikëpamjet filozofike të autorit, thellësinë e mendimit dhe forcën krijuese të autorit, të cilat paraqesin një lëndë shumë interesante për hulumtime jo vetëm në shkencën për letërsinë, por edhe në shumë shkenca shoqërore.
I kujdesshëm – po, por Tekiu nuk ndahej me asgjë nga bindja e tij se liria është e drejtë e patjetërsueshme e gjithkujt. Atë e tmerronte pozita nënçmuese e shqiptarëve, me burgjet e atëhershme të cilat kryesisht ishin të mbushura me të burgosur politikë shqiptarë. Me dhembje i kujtonte vrasjet masive që kishin ndodhur pas Luftës së Dytë Botërore, e veçmas në aksionin famëkeq të mbledhjes së pushkëve, dëbimet për në Turqi etj. Dhe, Tekiu nuk ishte ai që mundte të jetë indiferent ndaj gjithë këtij terrori të pushteteve që shqiptarin e mbanin të robëruar. Veçanërisht ai ishte i ndjeshëm kur e shihte si e përbuzte pushteti gjuhën shqipe. .
Jeta e vështirë e shqiptarëve në atdheun pa atdhe, ligësia latente e cila jeton dhe vlon brenda njeriut dhe e cila ngre krye shpesh me qëllim që ta shtypë të pambrojturin, duke zbuluar karakteret më të dobëta të njerëzve, pastaj vetmia e pafund e krijuesit, janë tri nga vijat themelore që e përshkojnë veprën e tij. Dhe, e gjithë kjo është realizuar për mrekulli dhe ka mbetur si njëra ndër përmendoret më të bukura të gjuhës dhe të letërsisë shqipe.
Tekiu, ndonëse tash, post mortum, padrejtësisht i heshtur, herë do – kur do, do të dalë në sipërfaqe dhe do të vendoset në majat e kësaj letërsie, aty ku e ka vendin, sepse na ka lënë vepra të cilat nuk i ngujon dot brenda vetes asnjë kohë, por ato janë tema të përjetshme të shkruara nga dora e një mjeshtri të madh.
KOHA: Jeni prind i dy fëmijëve që janë artistë të shquar dhe secili në drejtimin e vet i kontribuojnë kulturës shqiptare. Ç’do të thotë kjo për ju?
AHMETI: Jam i kënaqur me punën e fëmijëve të mi, por nuk jam i kënaqur me kushtet të cilat ua kam ofruar atyre për punë. Fatkeqësisht edhe ata e kanë vuajtur golgotën që kam kaluar unë si shumë shqiptarë të tjerë të asaj kohe.
KOHA: Keni qenë ndër themeluesit e PPD-së, e cila në fillim të pluralizmit ishte thjeshtë një lëvizje gjithpopullore. Por ndodhi që kësaj partie kaq të madhe t’i mbetet vetëm emri?
AHMETI: PPD-ja ka qenë njëra ndër idetë më fisnike të inteligjencës së shqiptarëve në Maqedoni. Nuk ka qenë lehtë të themelohet kjo parti, sepse rezistenca e pushtetit ka qenë e madhe. Sidoqoftë ajo u bë me përpjekjet e shumë njerëzve liridashës. Dhe, nuk mbeti pa gjurmë. Fatkeqësisht partitë e sotme nuk i vijnë asaj “as deri në zog të kamës”. Pse u zhbë? U zhbë, besoj unë, se ajo ishte një pendë e fuqishme për mbrojtjen e identitetit shqiptar. Dhe, u iniciuan përçarje, ndarje dhe ndjekje të udhëheqjes. Midis tjerash, e burgosën edhe kryetarin, Nevazat Halili, që ishte kulmi i marrisë së këtij pushteti, madje e mbështetur nga disa qarqe ndërkombëtare.
KOHA: Nga ajo që lexojmë nëpër gazeta e portale, shihet qartë se ju keni qëndrim kritik ndaj pushtetit. Si do ta përkufizoni krizën aktuale?
AHMETI: Shpeshherë miqtë më pyesin pse jam kundër BDI-së ose ndonjë partie tjetër. Përgjigjja ime është se unë nuk jam kundër BDI-së fare, por më duhet ta them të vërtetën për punën që e bëjnë politikanët. Me punën e tyre unë jam i pakënaqur. Dhe, këtë e them publikisht. Tash po del në shesh se të pakënaqur janë edhe të gjithë ata që ia kanë besuar votën kësaj partie, sepse rezultatet e punës politike të BDI-së nuk janë të mëdha, por janë fare të vogla. Mos t’i numërojmë dështimet e shumta të saj.
Mendoj se problemi kryesor këtu është inertësia dhe neglizhenca e politikanëve të cilët kurrsesi nuk po dalin nga gëzhoja e amatorizmit. Dhe, e interesit personal. Ata ende merren vetëm me kuadrot. Shkojnë aq larg sa edhe rektorët e, shpesh, edhe profesorët dhe drejtorët e instituteve i emërojnë sipas “çelësit” partiak. Sipas kësaj logjike duhet t’i vijë radha edhe komunës së Bërvenicës ose të Kamjanit ta japin drejtorin e Institutit për Trashëgimin Kulturore të Shqiptarëve. E nëse nuk kanë njeri të aftë për këtë punë, Bërvenica, Kamjani ose cila do komunë tjetër duhet “ta krijojë” drejtorin se çelësi partiak medoemos duhet të respektohet. Nuk janë vetëm arsimi, kultura dhe përdorimi i gjuhës shqipe që kanë mbetur të nëpërkëmbur. Hiç më mirë nuk qëndron as ekonomia në viset shqiptare të vendit. Tash të them diçka edhe për krizën. Mendoj se për mosdaljen nga kriza përgjegjësi ka edhe partia shqiptare në pushtet. Këtë përgjegjësi do ta ketë edhe për faktin se popullsia shqiptare tashmë po kridhet në varfëri edhe më të madhe.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.