IDEALET E REVOLUCIONIT KASTRIST. Kuba nuk ka se ç’të kremtojë (FOTO)

Sot, nuk ka mbetur pothuajse asgjë nga revolucioni origjinal, i cili premtoi liri civile dhe shanse për të gjithë. Në vend të kësaj, arritja më e madhe e regjimit socialist në këto 60 vite ka qenë mbajtja e popullit të saj në një varfëri dhe shtypje, përmes një rrjeti të rreptë të mbikëqyrjes dhe kontrollit ekonomik. Dhe kjo nuk përbën asnjë motiv për të festuar

Nga Jorge C. CARRASCO

Gjashtëdhjetë vjet më parë, ndërsa mijëra kubanë kremtonin rënien e regjimit të Fulgencio Batistas, një atmosferë e mbushur me një përzierje të lavdërimeve dhe urrejtjes, po pushtonte Havanën. Pak njerëz e parashikuan se çfarë do të ndodhte më pas.

Më 1 janar 1959, u “vra” Republika e Kubës. Jo shumë njerëz do të qanin humbjen e saj – disa ishin shumë të zënë për të mbushur çantat e tyre me para, të tjerët po përfitonin nga vakumi politik, duke grabitur dyqanet e kryeqytetit. Ato institucione republikane që nuk u shkatërruan nën diktaturën e Batistës, u copëtuan keqazi në muajt dhe vitet e ardhshme nga regjimi i Fidel Kastros. Kongresi Kombëtar i Kubës nuk u mblodh më asnjëherë, ndërsa emri i hotelit “Havana Hilton” u ndryshua. Krishtlindjet, baret dhe kabaretë e Havanë, sindikatat e pavarura, shkollat fetare, klubet private, bizneset e mëdha dhe të vogla, mbetjet e fundit të asaj që Kuba kishte qenë para komunizmit; çdo gjë u shkatërrua, shpronësua ose fshi nga jeta dhe mendjet e njerëzve.

Revolucioni, nuk e fshehu kurrë përbuzjen që kishte gjithmonë për simbolin më të madh të epokës republikane: vetë Havanën. Ndërtesat e saj madhështore, parqet e bukura, pallatet e mëdha, statujat, teatrot dhe muzetë, mbase shumë borgjeze për revolucionarët, ndoshta shumë të shquara ose ndoshta shumë të mrekullueshëm, për t’u ndërtuar nga kapitalistët dhe imperialistët e “këqij”. “Havana borgjeze”, qe dikur një nga qytetet më të njohura shoqërore dhe kulturore në botë, u rrënua gradualisht. Asgjë tjetër nuk u ndërtua pas vitit 1959, që do të mund t’i kthente kryeqytetit të shkatërruar shkëlqimin e tij të mëparshëm. Ndoshta Republika Borgjeze kishte qenë mizore dhe e pabarabartë, po aq edhe joshëse.

Por pasojat e revolucionit, ishin të dhunshme dhe groteske – aq groteske sa që arkitektura brutale sovjetike mbushi periferitë e Havanës me qindra komplekse të zymta banimi. Ndoshta, pa e kuptuar, Havana ishte shndërruar në një zonë të përhershme lufte, në të cilën një betejë që është zhvilluar prej 60 vjetësh duket sikur nuk do të marrë fund kurrë, një betejë mes tiranëve dhe njerëzve të zakonshëm që i jep jetë qytetit, brez pas brezi.

Fidel Kastro e dinte që kubanezët në vitet 1950 nuk e pranonin atë si një lloj Perëndie socialiste, siç bënë koreano-veriorët me dinastinë Kim. Përkundrazi, duke këmbëngulur në thirrjet për sistemit të tij politik të bazuar tek “revolucioni”, ai i bëri njerëzit të besonin në rëndësinë e një ideali. Ishte ndërkaq një përpjekje e vetëdijshme për të zëvendësuar fjalën e quajtur “Republikë”, që Kastro e urreu aq shumë. Për shumë njerëz, “revolucioni” nënkuptonte procesin e çlirimit nga diktatura e Batistas, betejat në malet e Sierra Maestrës dhe idealet që premtonin barazi për të gjithë, një vjelje të përbashkët të kallmit të sheqerit, lidhje me Bashkimin Sovjetik, anti-imperializmin, Partinë Komuniste, Çe Gevarën dhe vetë Kastron.

Nëse kishit një shtëpi, nëse hanit ushqimin e racionuar që shpërndante shteti, nëse kishit kujdes shëndetësor dhe arsimim falas, kjo ishte falë ‘revolucionit’; nëse vuanit, nëse kishit uri, nëse urrenit, nëse shtypeshit, nëse i denonconit të afërmit tuaj “anti-revolucionarë” tek policia sekrete, nëse së bashku me një turmë fqinjësh të zemëruar hidhnit vezë mbi disidentët politikë dhe homoseksualët, këto të gjitha bëheshin për “revolucionin”. Sa herë që një kuban i referohej “revolucionit” në vend të Republikës apo qeverisë, ose thjesht Kubës, ai e zhveshi statusin e tij si shtetas dhe shndërrohej në një ushtar. Tragjedi të panumërta njerëzore u justifikuan në emër të revolucionit të Fidel Kastros. Megjithatë, versioni i idealizuar i regjimit për Revolucionin e Kubës, kishte marrë fund ndoshta shumë dekada përpara se njerëzit ta kuptonin plotësisht këtë. Mund të thuhet se ai përfundoi thuajse në momentin që filloi, kur komunistët vendosën të ekzekutonin qindra njerëz pa një gjykim të drejtë.

Apo ndoshta përfundoi më 23 gusht 1968, kur Kastro mbajti një fjalim që justifikonte pushtimin e Çekosllovakisë nga ushtritë e Paktit të Varshavës, duke pranuar “të drejtën” e Bashkimit Sovjetik për të parandaluar pavarësinë e njërës prej satelitëve të saj, në shkelje brutale të së drejtës ndërkombëtare. Atë natë, Kastro anuloi zyrtarisht sovranitetin e Kubës, dhe pranoi haptazi “të drejtën” e Bashkimit Sovjetik për të pushtuar ishullin, në qoftë se edhe atje shpërthente një revoltë e ngjashme. Sot, “revolucioni” është një ngjarje e pakuptimtë për shumicën e kubanëve – njerëzit preferojnë ta quajnë mënyrën se si qeverisin “sistemi” ose “gjëja”. Fjalët e humbasin kuptimin e tyre, ato “vdesin” kur nuk kanë asgjë specifike për t’iu referuar, kur përdoren vazhdimisht në mënyrë të pasaktë, kur realisht s’kanë kuptim për askënd. Sot, kubanezët e rinj, të uritur për dije, modernitet dhe teknologji, preferojnë fjalën “evolucion”.

Ky ndryshim revolucionar, i erës që dikur i frymëzonte njerëzit e zakonshëm, sot është përgjegjës për shkatërrimin e miliona familjeve. Ato përfshijnë ata që arritën të iknin nga ishulli, ata që u ekzekutuan, u dërguan në kampet e punës, kryen vetëvrasje ose vdiqën në përpjekje për të arritur në SHBA – për të mos përmendur miliona njerëz që mbetën në ishull, duke jetuar nën një regjim shtypës dhe ekonomikisht të prapambetur. Sot në Kubë, nuk ka shumë “drejtësi sociale” për të kremtuar. Ekziston një humnerë e thellë ekonomike ndërmjet krerëve të qeverisë dhe punëtorëve të zakonshëm, të cilët fitojnë më pak se 30 dollarë në muaj. Borgjezët e rinj të pasur, nuk janë më kapitalistët dhe sipërmarrësit, por burokratët, të afërmit e personelit të rëndësishëm ushtarak, dhe anëtarë të Partisë Komuniste që kontrollojnë hotelet, restorantet dhe baret më luksoze në ishull, të cilat janë të përshtatura pothuajse ekskluzivisht për turistët e huaj të pasur.

Sot, nuk ka mbetur pothuajse asgjë nga revolucioni origjinal, i cili premtoi liri civile dhe shanse për të gjithë. Në vend të kësaj, arritja më e madhe e regjimit socialist në këto 60 vite ka qenë mbajtja e popullit të saj në një varfëri dhe shtypje, përmes një rrjeti të rreptë të mbikëqyrjes dhe kontrollit ekonomik. Dhe kjo nuk përbën asnjë motiv për të festuar. (bota.al)

(Jorge C. Carrasco është një gazetar i pavarur kubanez)