Njerëzit që jetojnë në vendbanimet rurale kanë probleme me qasjen ndaj mbrojtjes shëndetësore, ujin e pastër për pije, energjinë sistemin e kanalizimit dhe rrugëve, përderisa njerëzit në vendbanimet urbane janë të brengosur për ndotjen e ajrit, urbanizimin dhe mafinë urbane
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 14 tetor – “Idarja” dhe shëndeti janë dy hallet më të mëdha që mundojnë qytetarët. Analiza “Ndikimi i faktorëve demografik ndaj pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën publike dhe edukimi i votuesve në Maqedoninë e Veriut”, tregon se mbrojtja shëndetësore (85 për qind ), dhe stabiliteti ekonomik-social (82 për qind), paraqesin temat më të rëndësishme tek popullata në vend. Këto çështje vlerësohen si motivuesit kryesor për aktivizimin e tyre shoqëror dhe politik. Brengosja për shumicën e çështjeve, më shumë vërehet tek burrat, të anketuarit më të moshuar, ato me arsim të lartë, pensionistët dhe të punësuarit në sektorin publik. Andaj edhe ndërmarrja e aktiviteteve specifike dhe pragmatike për përmirësimin e cilësisë së jetesës janë motivi kryesor që njerëzit të bëhen aktiv në aspektin shoqëror dhe politik.
E përbashkët për të gjitha grupet demografike është interesimi për çështje konkrete praktike që mund të përmirësojnë cilësinë e jetesës së tyre. Gjithashtu të gjitha grupet demografike më pak janë të interesuara për çështje abstrakte dhe politike, përderisa kanë interesim më të madh për zgjidhjen e problemeve konkrete në politikë, siç janë mbrojtja shëndetësore, stabiliteti ekonomik dhe social, problemet lokale, ambienti mjedisor dhe arsimi. Raporti është pjesë e projektit “Përkrahje për reformat zgjedhore ” e ambasadës së Zvicrës apo Agjencisë zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim e implementuar nga IFES DHE NMSM. Njëherësh analiza tregon se 71 për qind e të anketuarve nuk janë të interesuar për pjesëmarrje aktive qytetare, ndërsa 52 për qind vlerësojnë se qytetarët nuk mund të kenë ndikim më të madh në komunën e tyre. Gjithashtu 47 për qind e popullatës është “shumë”, apo “deri diku”, e interesuar për ngjarjet aktuale shoqërore-politike në vend dhe botë, ndërsa gjysma tjetër apo 53 për qind e qytetarëve “aspak nuk janë”, ose “nuk janë shumë të interesuar”. Meshkujt me 40 për qind karshi grave me 26 për qind në aspektin gjinor janë më të angazhuar në aspektin shoqëror.
Njerëzit që jetojnë në vendbanimet rurale dhe komunitetet e largëta kanë probleme me qasjen ndaj shërbimeve siç janë: mbrojtja shëndetësore, uji i pastër për pije, energjia elektrike, sistemi i kanalizimit dhe rrugëve, përderisa njerëzit në vendbanimet urbane janë të brengosur për ndotjen e ajrit, urbanizimin dhe mafinë urbane ( planifikimin jo të drejtë dhe joligjor të planifikimit urban dhe punëve ndërtimore, kryesisht të lidhura me korrupsionin në vetëqeverisjen lokale), thuhet ndër të tjerash në analizën e realizuar me ndihmën e qeverisë zvicerane.
Të rinjtë janë kryesisht të interesuar për arsimin përgjatë kohës së pandemisë, ngjarjet sportive, ngjarjet lokale zbavitëse dhe kulturore, si dhe projektet e organizatave rinore dhe të programeve për këmbimin e studentëve. Gratë si dhe të rinjtë, janë të interesuara për ndikimin e pandemisë ndaj procesit arsimor, hapjen e kopshteve, papunësinë dhe pyetjet me interes të përgjithshëm të të rinjve. Ngjashëm me grupet e tjera të margjinalizuara dhe grupet vullnerabëll apo të prekshme demografike, edhe të papunët për një kohë të gjatë dhe personat të goditur lartë nga varfëria, kryesisht janë të brengosur “si të mbijetojnë”. Ato theksojnë se janë më pak të interesuar për ngjarjet politike-shoqërore, për shkak se kryesisht janë të interesuar si të mbijetojnë ditën. Një e katërta e popullatës së përgjithshme apo 24 për qind është e interesuar për pjesëmarrje më të madhe qytetare, ndërsa 71 për qind nuk është e interesuar.
Gjetjet tregojnë se njerëzit që marrin pjesë në nisma qytetare janë të dëshpëruar me rezultatet e arritura, apo nga mos suksesin që të shkaktojnë ndryshime. E përbashkët për të gjitha grupet demografike për pjesëmarrjen e dobët qytetare është vetëdija si dhe pasiviteti dhe indiferenca, mungesa e vullnetit dhe motivit për këmbëngulje dhe ndërmarrje të përgjegjësisë. Fokusimi ndaj interesave personale në vend kolektive, frika nga etiketimi, si dhe frika e njerëzve që druajnë se mos humbin vendin e punës nëse edhe haptazi shprehin pakënaqësinë e tyre etj.
Analiza e realizuar me ndihmën zvicerane më tej thekson se qytetarët nuk janë shumë të interesuar të inkuadrohen në nisma të ndryshme qytetare, për shkak se vlerësojnë se institucionet nuk ju përgjigjen kërkesave të qytetarëve, të punësuarit në institucionet publike nuk kanë kompetencë, motiv dhe dëshirë për punë, nevojiten lidhje dhe kontakte dhe jo merita që të korret sukses në punë, institucionet nuk janë transparente dhe llogaridhënëse, përqendrimi i fuqisë në partitë politike, ndikim i fuqishëm politik ndaj institucioneve dhe sektorit privat, mungesa e besimit ndaj shtetit dhe institucioneve etj. Lidhur me pjesëmarrjen në votime, analiza thekson se tre faktorët kryesor që ndikojnë në shkuarjen apo jo në votime janë perceptimi se votimi është e drejtë dhe obligim qytetar(56 për qind), gjasat për ardhmëri më të mirë (42 për qind), dhe frika për keqpërdorimin e votës (29 për qind).
Më shumë se gjysma apo 56 për qind e popullatës së përgjithshme theksojnë se votojnë rregullisht, 20 për qind shpesh, 12 për qind ndonjëherë, 6 për qind zakonisht abstenojë, dhe 4 për qind rregullisht abstenojnë. Tek të gjitha grupet demografike vërehet perceptimi i përgjithshëm negativ për votimet në zgjedhje që për to janë ndër të tjerash sinonim për “premtime boshe”, “fushata të këqija zgjedhore”, ” presione politike” dhe “harxhim i panevojshëm i të hollave”. Hulumtimi tregon se grupe të ndryshme demografike se vjen e më shumë po vendosin të mos dalin në votime, për shkak të pakënaqësisë me partitë politike në vend që sipas tyre nuk janë të interesuara tu përgjigjen nevojave të qytetarëve. Mos dalja në votime, sipas të anketuarve, është mënyrë e shprehjes së dëshpërimit dhe revoltit ndaj partive politike si dhe dënimit për mos përmbushjen e premtimeve. (koha.mk)