Nuk ka fitues në derbin e Madonninës, teksa fati është me Milanin dhe kundër Icardit, që pa t’i anulohej një gol në pozicion jashtë loje dhe të shpërdoronte dy mundësi të arta.
Pjesa e parë fillon me mjaft vrull dhe sheh Interin më kërkues, por rasti i parë i rrezikshëm është i Milanit. Kuqezinjtë ekzekutojnë një faull nga krahu i djathtë dhe Bonucci godet me kokë, por Handanoviç grushton mrekullisht një top që po i drejtohej rrjetës.
Skuadra e Spallettit shton presingun dhe rikuperon një top në gjysmëfushën e Milanit, duke nisur menjëherë Icardin, që mposht Donnarummën dhe e dërgon topin në rrjetë, por festa ndalon një minutë më pas, sepse VAR konstaton një pozicion jashtë loje milimetrik, duke bërë që pjesa e parë të përfundojë në barazim pa gola.
Edhe pjesa e dytë ka të njëjtin intensitet, me të dy skuadrat që nuk lëshojnë, ndërsa Icardi ka mundësinë më të mirë për të shënuar, por me portën e boshatisur bën të pamendueshmen, duke gjuajtur jashtë. Në një tjetër aksion të Perisiç nga krahu, është Donnarumma që ndërhyn, duke i hequr mundësinë e golit, kapitenit të Interit.
Në minutën e dytë shtesë, Icardi pati nëj tjetër mundësi me portën e boshatisur, por goditja e tij përfundoi në mënyrë shumë të çuditshme jashtë portës së Donnarummës.